BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në konferencën e 7-të të Bankës Qendrore Evropiane për vendet e Evropës Qendrore Lindore dhe Juglindore

Data e publikimit: 06.10.2017

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi për mua që marr pjesë në këtë Konferencë, dhe të diskutoj për rolin e institucioneve tona në procesin e konvergjencës në BE, një çështje që është shumë aktuale. Besoj se shkëmbimi i njohurive dhe i përvojave tona në këtë fushë do të sillte përfitime për të gjithë ne.

Mendimet e mia do t'i shtjelloj të ndara në tri dimensione kryesore. Në fillim, do të vë në dukje disa prej sfidave me të cilat po përballet procesi i konvergjencës i EJL, nga këndvështrimi i Bankës së Shqipërisë. Më pas, do të përshkruaj shkurtimisht pozicionimin e Shqipërisë përgjatë këtyre dimensioneve. Në fund, do të përpiqem të vë në dukje se si mund të forcohet procesi i konvergjencës në vetvete për të ankoruar politikëbërjen tonë.

1. Sfidat e procesit të konvergjencës së vendeve të EJL-së

E ardhmja afatgjatë politike dhe prosperiteti ekonomik i rajonit të EJL-së lidhet ngushtë me procesin e konvergjencës dhe atë të integrimit në BE. Ndërsa vendet kanë dallime midis tyre, një specifikë e përbashkët për të gjithë janë përfitimet ekonomike dhe politike nga procesi.

Procesi i konvergjencës është i vështirë dhe plot sfida, veçanërisht, rreziku i rënies në "grackën e nivelit të mesëm të ardhurave", karakteristikë që bëhet aktuale për shkak të ngadalësimit të shpejtësisë së konvergjencës që po kalon rajoni ynë pas krizës. Arsyet kryesore që mund ta çojnë ekonominë në një nivel të mesëm të të ardhurave janë performanca e ulët e inovacionit, cilësia e dobët e institucioneve dhe një zhvillime demografike të pafavorshme.

Nga një këndvështrim i caktuar, aftësia e një vendi për të ecur përpara në shkallën e zhvillimit varet nga kalimi në një nivel më lart i sistemit të brendshëm ekonomik, nga një ekonomi e orientuar drejt eficiencës në një ekonomi të orientuar drejt inovacionit. Sigurisht, fuqizimi i të gjitha sistemeve ekonomike dhe përvetësimi i praktikave më të mira është më i lehtë të thuhet se sa të kryhet.

Zvogëlimi i kthimeve margjinale mbi punën dhe kapitalin, si dhe një hapësirë e reduktuar për rritjen e produktivitetit të faktorit të përgjithshëm, që vjen kryesisht nga teknologjitë e importuara, ngadalëson rritjen ekonomike dhe rrit rreziqet për të ngecur në "një grackë të nivelit të mesëm të të ardhurave". Si rrjedhim, progresi në fazën tjetër të zhvillimit kërkon përmirësim të kapitalit njerëzor, lehtësim dhe inovacion në proceset e prodhimit, përparim të teknologjisë së gjeneruar në vend dhe zgjerim të vlerës së shtuar të eksporteve. E thënë thjesht, vendet e EJL-së duhet ta shndërrojnë veten në ekonomi të orientuara drejt inovacionit.

Në këtë pikë, roli institucioneve përcakton gjerësisht sundimin ligjit, klimën e investimeve dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale, cilësinë e arsimit dhe të infrastrukturës, si dhe qasjen në financa. Për këtë arsye, fuqizimi i institucioneve sipas standardeve të BE-së, merr një rëndësi të jashtëzakonshme.

2. Procesi i konvergjencës në Shqipëri

Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, Shqipëria, ka kaluar një proces konvergjimi relativisht të shpejtë, duke e nisur nga një nivel krahasimisht i ulët i të ardhurave për frymë. Megjithatë, kjo është frenuar pas krizës financiare. Ndonëse Shqipëria, sot një vend me nivel mesatar të të ardhurave, nuk ka rënë akoma, sipas mendimit tim, në grackën e nivelit të mesëm të të ardhurave, rreziqet që kjo të ndodhë janë të pranishme.

Më lejoni që shkurtimisht të analizoj arsyet përse:

Kuadri institucional në Shqipëri ka ndihmuar në shkallë të lartë në procesin e konvergjencës. Politikëbërja makroekonomike është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme gjatë viteve të kaluara. Banka e Shqipërisë ndjek regjimin e inflacionit të shënjestruar, i modeluar në mënyrë të konsiderueshme sipas kuadrit të BQE-së. Regjimi i kursit të këmbimit është i lirë, duke lehtësuar kështu përthithjen e çdo goditjeje të pafavorshme. Politika e fiskale është në rrugë të qëndrueshme konsolidimi, për të ulur primin e rrezikut dhe për të rritur hapësirën fiskale, me qëllim përballimin e goditjeve të mundshme në të ardhmen. Autoritetet kanë miratuar rregulla fiskale që kërkojnë një reduktim të qëndrueshëm të borxhit publik. Janë ndërmarrë nisma të ndryshme politike për të forcuar stabilitetin financiar. Eshtë hartuar dhe prezantuar një strategji për de-euroizimin në ekonomi. Janë kapërcyer pengesa ligjore për ekzekutimin e kolateralit dhe zgjidhjen e kredive me probleme. Së fundi, është miratuar ligji për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka. Për më tepër, janë forcuar pavarësia dhe eficienca e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Pavarësisht këtij progresi, ekzistojnë zhbalancime të thella strukturore që pengojnë transformimin e Shqipërisë në një ekonomi të orientuar drejt inovacionit. Sipas Treguesve të Konkurrueshmërisë Globale të Forumit Ekonomik Botëror ( WEF Global Competitiveness Indicators), ne mbetemi ende pas, për sa i përket zhvillimit institucional, sofistikimit të biznesit, inovacionit, gatishmërisë teknologjike, zhvillimit të tregut financiar, sundimit të ligjit, dhe cilësisë së gjyqësorit. Për të trajtuar këto pengesa, janë ndërmarrë reforma të ndryshme strukturore në administratën publike, në arsim, në sistemin dhe praktikat tatimore, në sistemin e pensioneve dhe në sektorin e energjisë. Vitin e kaluar u miratua një rishikim madhor i sistemit gjyqësor për të trajtuar atë që shihet si një nga pengesat e rritjes ekonomike dhe të konkurrueshmërisë. Megjithëse reforma ende është duke u zbatuar dhe është herët për të vlerësuar efektet e saj, ajo vë në dukje angazhimin e autoriteteve shqiptare për të trajtuar dobësitë strukturore.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka përfituar nga një pozicion pozitiv demografik si rezultat i krahut të saj të punës në moshë të re dhe energjik; nga ana tjetër, ka përjetuar edhe emigrim të vazhdueshëm neto drejt vendeve më të zhvilluara. Ndonëse emigracioni ka siguruar një fluks të qëndrueshëm të dërgesave të emigrantëve dhe ka lehtësuar presionet e tregut të punës, ai gjithashtu i ka shteruar vendit krah pune tejet të kualifikuar. Kjo dukuri mund të ketë pasoja afatgjata në inovacion dhe në progresin e deritanishëm të konvergjencës.

Pas këtij parashtrimi, më lejoni të paraqes disa përfundime.

3. Drejt një rruge konvergjence të qëndrueshme

Vendet e EJL-së janë në rrezik që të bien në "grackën e nivelit të mesëm të të ardhurave". Si të tilla, sistemet ekonomike duhet të transformohen, nëpërmjet politikave të hartuara me kujdes dhe me politika që kanë objektiva të përcaktuar mirë që nxisin inovacionin vendas, të modernizojnë institucionet dhe të amortizojnë efektet që vijnë nga zhvillimet e pafavorshme demografike.

Është e qartë se barra e reformave mbetet mbi vetë autoritet e vendeve të EJL-së. Një pronësi vendase e reformave merr një rëndësi të jashtëzakonshme për procesin demokratik dhe suksesin përfundimtar të konvergjencës.

Megjithatë, ndërsa këto politika duhet të zbatohen pavarësisht nga faktorë të jashtëm, integrimi në BE ka një rëndësi thelbësore në dinamikën e konvergjencës ekonomike.

Pas krizës ekonomike dhe financiare, oreksi për zgjerim të mëtejshëm të BE-së u ul, për shkak të zbehjes së mbështetjes popullore dhe zhvendosjes së përparësive të politikës drejt reformave. BE-ja i është larguar qëndrimit ndaj zgjerimit dhe integrimit të mëtejshëm, ndaj edhe vendet tona janë më pak të motivuara për reforma. Këto zhvillime përkuan, ose më mirë më lejoni të them se, nxitën një frenim në procesin e konvergjencës në shumë vende të EJL.

Së fundi, vetë institucionet e BE-së mund ta lehtësojnë më tej këtë proces, nëpërmjet:

  • Ofrimit të udhëzuesve transparentë dhe objektivë për integrimin e BE-së;
  • Theksimit të nevojës për konvergjencë institucionale gjatë gjithë procesit;
  • Monitorimit dhe raportimit të vazhdueshëm për progresin e vendeve individuale.

Nga njëra anë, kjo do të forcojë ndikimin pozitiv të procesit të integrimit në BE për zhvillimin e vendeve dhe shoqërive tona. Nga ana tjetër, do të rrisë koston e mospërputhshmërisë dhe me gjasë të nxisë konkurrueshmërinë pozitive të përputhshmërisë ndërmjet vendeve në rajon.

Faleminderit!