BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në konferencën e përbashkët për shtyp me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë
Data e publikimit: 07.12.2017
I nderuar zoti Ministër,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Është kënaqësi të jem sot para jush, në këtë komunikim publik, për të prezantuar një nismë konkrete të Bankës së Shqipërisë në kuadrin e përpjekjeve tona për rritjen e formalizimit të ekonomisë. Është inkurajues fakti se një seri nismash të autoriteteve shqiptare shkojnë në të njëjtin drejtim, atë të rritjes së shkallës së zbatimit të ligjit dhe të përdorimit të kanaleve formale financiare. Eksperienca ka treguar se përpjekjet komplementare të institucioneve rregullatore, ulin kostot e operimit të politikave dhe rritin gjasat e tyre për sukses.
Aktiviteti informal imponon kosto të hapura dhe kosto të fshehura për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Ai dëmton shëndetin e financave publike të vendit, rrit barrën e taksave dhe shtrembëron efektin e saj në agjentët ekonomikë, dëmton konkurrencën dhe rrit kostot e veprimtarisë së bizneseve të ndershme, redukton burimet e financimit të bizneseve dhe frenon zhvillimin normal të tyre, si dhe krijon probleme sociale që vijnë nga mungesa, apo mbulimi i pamjaftueshëm, i sigurimit shoqëror dhe shëndetësor.
Nga këndvështrimi i Bankës së Shqipërisë, si autoritet monetar, dhe si mbikëqyrës e rregullator i sektorit bankar, aktiviteti informal redukton efektivitetin e politikave tona stabilizuese dhe krijon premisa për destabilitet të një apo më shumë segmenteve të sistemit financiar.
Duke u ndalur te çështja e fundit, dëshiroj të risjell në vëmendjen tuaj se ruajtja dhe forcimi i stabilitetit financiar të vendit ka qenë dhe mbetet një objektiv madhor i punës së Bankës së Shqipërisë. Sikundër kemi deklaruar në komunikimet tona, një nga sfidat më të mëdha me të cilat jemi përballur gjatë viteve të fundit, ka qenë përkeqësimi i cilësisë së portofolit të kredisë së sektorit bankar. Ky përkeqësim pasqyroi në vetvete efektin e shumë faktorëve, por ai u ndikua padyshim edhe nga shkalla e lartë e informalitetit në ekonomi. Për të qenë më konkretë, mungesa e transparencës financiare, mungesa apo mangësitë e titujve të pronësisë dhe problemet e hasura në ekzekutimin e kolateralit, kanë kontribuar në rritjen e nivelit të kredive me probleme si dhe kanë qenë një nga penguesit e masave tona, ligjore e rregullative, për reduktimin e tyre.
Përtej ndikimit negativ që informaliteti ka dhënë në ecurinë e kreditimit dhe në cilësinë e kredisë, ai ka dëmtuar edhe vetë kredimarrësit. Marrja përsipër e rreziqeve përtej kapaciteteve paguese, të paidentifikuara si pasojë e mungesës së qartësisë së pasqyrave financiare, ka shkaktuar edhe dështimin e shlyerjes së kredive duke i përballur kredimarrësit me situata të paparashikuara prej tyre.
Për këto arsye, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar me seriozitet dhe ka mbështetur në vazhdimësi nismat e ndërmarra për rritjen e formalizimit të ekonomisë.
Nga ana jonë, ne kemi marrë disa masa për trajtimin e çështjes së informalitetit, masa të cilat kanë dhënë efektet e tyre ndër vite. Rritja e transparencës dhe ulja e kostove të veprimeve në bankë, pa cenuar pavarësinë operacionale të bankave dhe vendimmarrjen e tyre, ka ndikuar në një afrim më të madh të individëve dhe bizneseve pranë këtyre institucioneve.
Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme përcaktoi vendosjen e kriterit rregullativ, si një detyrë të rëndësishme për Bankën e Shqipërisë, që duke filluar nga viti 2018 veprimtaria e kredidhënies të mbështetet vetëm në deklaratat tatimore. Ky është një nga elementet thelbësore të adresimit të informalitetit, edhe për vetë peshën specifike që zë veprimtaria bankare në ekonominë e vendit. Banka e Shqipërisë e ka trajtuar edhe më parë këtë dukuri nga pikëpamja rregullative, por duke u kufizuar vetëm tek kredimarrësit e mëdhenj të bankave. Koordinimi i veprimeve me organet qeveritare dhe veprimet e përshtatshme të ndërmarra, kanë krijuar hapësirën e nevojshme për ta thelluar këtë masë rregullative në një bazë më të gjerë kredimarrësish.
Banka e Shqipërisë është e bindur se kjo masë do të sjellë përfitime afatgjata për të gjitha palët e përfshira në proces.
- Për industrinë bankare: mbështetja e kredidhënies në deklaratat tatimore lehtëson ndjeshëm procesin e kredidhënies, duke i vendosur bankat në një emërues të përbashkët në leximin e të dhënave financiare. Kjo krijon lehtësi në veprimtarinë e kreditimit, duke i dhënë qartësi të lartë bankave në procesin e analizës financiare dhe përzgjedhjen e kredimarrësve, si dhe në shkëmbimin e informacioneve me njëra-tjetrën për kredimarrës të përbashkët.
- Për bizneset dhe familjet shqiptare: ky proces nxit rritjen e transparencës, çka do të përkthehet detyrimisht në uljen e rrezikut të kredisë dhe – ajo që është më e rëndësishme – në uljen e kostos së financimit. Po ashtu, duke krijuar një fushë më të barabartë loje, ky proces rrit konkurrencën dhe eficiencën, çka, në analizë të fundit, ndihmon zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.
- Për ekonominë në tërësi: ky proces rrit qëndrueshmërinë ekonomike dhe financiare të vendit, si dhe krijon premisa për një sistem tatimor më të thjeshtë dhe për një shpërndarje më të drejtë të barrës së taksave.
Ju faleminderit!