BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në konferencën e përbashkët për shtyp me Misionin e FMN-së dhe Ministrin e Financave

Data e publikimit: 28.06.2016

 

Mbi përfundimin e Rishikimit të Tetë të Marrëveshjes me FMN-në

Sikurse jeni në dijeni, gjatë dy javëve të fundit kemi qenë të angazhuar në bisedime intensive me përfaqësuesit e Misionit të FMN-së, në kuadër të rishikimit të radhës së Marrëveshjes. Këto bisedime janë fokusuar në analizën e situatës aktuale ku ndodhet ekonomia dhe sistemi financiar shqiptar, në identifikimin e perspektivave të zhvillimit dhe të sfidave me të cilat përballemi, si dhe në përcaktimin e politikave që duhen ndjekur për të mbështetur zhvillimin e vendit.

28 6 2016 498 226 fmn konf 8571 0

Konkluzionet e diskutimeve tona mund të përmblidhen në tre pika:

(i) Aktiviteti ekonomik shfaqet në rritje dhe perspektiva e zhvillimit mbetet pozitive.

(ii) Megjithatë, ambienti i jashtëm është i pafavorshëm dhe ekonomia shqiptare vazhdon të përballet me dobësi strukturore, të cilat frenojnë ritmet e rritjes.

(iii) Për këtë arsye, politikat monetare dhe fiskale duhet të vazhdojnë të gjenerojnë një stimul të kujdesshëm ekonomik, ndërsa reformat strukturore duhen përshpejtuar më tej.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë gjykon se Marrëveshja me FMN-në dhe masat e parashikuara si pjesë e Rishikimit të Tetë të saj, ofrojnë një kuadër konsistent për hartimin dhe zbatimin e programit të zhvillimit të vendit.

28 6 2016 498 256 fmn konf 8572 0

Më lejoni të detajoj më tej opinionin e Bankës së Shqipërisë.

***

Ekonomia shqiptare vazhdon të shfaqë një përmirësim progresiv të ritmeve të rritjes. Ky përmirësim pasqyron zgjerimin e kërkesës së brendshme – me fjalë të tjera rritjen e konsumit dhe të investimeve private, – ndërkohë që kërkesa e huaj shfaqet e dobët dhe politika fiskale vazhdon të ruajë një kah konsolidues. Informacioni i ri i përftuar gjatë gjysmës së parë të vitit është në linjë me këtë gjykim.

Intensiteti i goditjeve të ofertës, të cilat sollën rënien e shpejtë të inflacionit në pjesën e parë të vitit, duket se po zbehet. Inflacioni shënoi një rritje të lehtë në muajin maj, duke arritur vlerën 0.7%. Kjo ecuri konfirmon gjykimin tonë mbi natyrën kalimtare të goditjeve të sipërpërmendura. Megjithatë, analizat tona konkludojnë se balanca e presioneve inflacioniste është ende e dobët. Aktiviteti ekonomik mbetet nën potencial, çka sugjeron se rikthimi i inflacionit në objektiv do të jetë një fenomen gradual dhe afatmesëm.

Politika jonë monetare ka marrë një natyrë më të fortë stimuluese gjatë vitit 2016. Pas dy uljeve të njëpasnjëshme në muajt prill e maj, norma bazë e interesit ndodhet aktualisht në nivelin 1.25%. Forcimi i stimulit monetar ka sjellë uljen e normave të interesit në të gjitha segmentet e tregut financiar, duke nxitur rritjen e konsumit dhe të investimeve private. Banka e Shqipërisë gjykon se ambienti financiar – i karakterizuar nga norma të ulëta interesi dhe nga likuiditet i bollshëm – duhet të inkurajojë një qasje më pozitive të bankave ndaj kreditimit.

Treguesit e shëndetit të sektorit bankar kanë ardhur në përmirësim, në përgjigje të gjallërimit të aktivitetit ekonomik dhe të masave të tjera të marra nga autoritetet shqiptare. Treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizimit mbeten në parametra të mirë, ndërsa niveli i kredive me probleme – pavarësisht luhatjeve – është vendosur nën kontroll.

Parashikimet tona për të ardhmen nuk kanë ndryshuar: Banka e Shqipërisë pret një përmirësim progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë horizontit afatmesëm. Kjo ecuri do të vazhdojë të ushqehet nga kushtet financiare stimuluese dhe nga rritja e kërkesës së brendshme private. Ajo do të ndihmojë në përmirësimin e ekuilibrave ekonomikë e financiarë të vendit, si dhe në kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2018.

Përmbushja e këtyre objektivave kërkon ruajtjen e miksit aktual të politikave ekonomike. Politika monetare do të vazhdojë të mbetet në kahun stimulues gjatë horizontit afatmesëm, ndërkohë që intensiteti i stimulit monetar nuk do të zbutet edhe për disa tremujorë. Nga ana tjetër, politika fiskale duhet të ruajë kahun e saj konsolidues.

Balanca e rreziqeve lidhur me zhvillimet e pritura vazhdon të qëndrojë në kahun e poshtëm. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik vazhdon të frenohet nga ecuria e pafavorshme ekonomike në Eurozonë, e cila komplikohet më tej nga fenomeni Brexit, si dhe nga sjellja ende hezituese e agjentëve ekonomikë dhe financiarë në ndërmarrjen e projekteve afatgjata të biznesit.

Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë gjykon se politikat ekonomike dhe reformat strukturore duhet të fokusohen në:

- Ruajtjen dhe forcimin e mëtejshëm të stabilitetit ekonomik e financiar.

- Përshpejtimin e reformave strukturore, sidomos në: përmirësimin e ambientit ligjor dhe të klimës së biznesit; inkurajimin e investimeve të brendshme dhe të huaja, plotësimin e infrastrukturës; rritjen e produktivitetit; dhe përmirësimin e tregut të punës.

- Zgjerimin e kreditimit, në mbështetje të zhvillimit afatmesëm të vendit. Problemet e kreditimit ne i trajtuam gjerësisht gjatë Forumit të katërt Financiar Shqiptar. Konkluzionet e këtij forumi do të shërbejnë si udhërrëfyes i punës sonë të përbashkët, për rikthimin e kreditimit në nivelet e dëshiruara.

Në mbyllje, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet e angazhuar për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe forcimin e stabilitetit financiar të vendit. Paralelisht me to, dhe në përputhje me angazhimet e marra në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator dhe për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës financiare të vendit.

Ju faleminderit për vëmendjen.

Pyetje – përgjigje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Misionit të FMN-së dhe Ministrit të Financave