BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z.Gent Sejko në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë me temë “Harmonizimi i politikës monetare me stabilitetin financiar–objektivat, përgjigjet dhe ndërveprimi mes tyre në periudha pasigurie"

Data e publikimit: 27.10.2016

 

I nderuar zoti Kryeministër,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Ministra e Ambasadorë,

I nderuar zoti Anastasakis,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi e veçantë të hap punimet e Konferencës Vjetore të Bankës së Shqipërisë dhe t’i uroj mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve në sallë. Edhe këtë vit, ky aktivitet organizohet në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Evropiane të St. Antony’s College të Universitetit të Oxford-it.

Konferenca e këtij viti do të ndalet në dy prej temave kryesore që po dominojnë analizat dhe debatet si në rrethet politikëbërëse, ashtu dhe në ato akademike dhe profesionale. Dy tematikat janë:

  • së pari, efektet e mundshme të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian ose i ashtuquajturi fenomeni “Brexit”; dhe,
  • së dyti, përcaktimi i modaliteteve për koordinimin e politikës monetare me politikën dhe masat makroprudenciale, në realitetin e ri me të cilin po përballemi.

Së bashku me të ftuarit nga bankat qendrore evropiane dhe të rajonit, nga institucionet ndërkombëtare dhe nga akademia, do të diskutojmë mbi sfidat me të cilat përballemi, si dhe mbi politikat dhe instrumentet e duhura, të cilat duhet të përdorin bankat qendrore.

Jam i bindur se punimet e kësaj konference do të prodhojnë më shumë qartësi për të gjithë pjesëmarrësit, qofshin ata politikëbërës apo përfaqësues të sektorit privat.

Më lejoni që, në vazhdim të fjalës sime, të shtjelloj këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë mbi këto dy çështje:

- Në fillim, dëshiroj të paraqes një kontekst të situatës ekonomike dhe financiare në të cilën ndodhemi.

- Më tej, dëshiroj të ndaj me ju një këndvështrim shqiptar dhe rajonal mbi pasojat e mundshme të fenomenit Brexit.

- Në mbyllje, do të bëj një përmbledhje të sfidave me të cilat përballen dy politikat kryesore të bankave qendrore: ajo monetare dhe ajo makroprudenciale.

***

1. Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor në periudhën pas krizës

Kriza e fundit botërore ndikoi të gjitha dimensionet e aktivitetit njerëzor: atë ekonomik, atë financiar dhe atë shoqëror. Për nga madhësia e goditjes, nga kompleksiteti i sfidave dhe nga ndërvarësia e kanaleve të transmetimit, ajo ishte një krizë e paprecedentë gjatë dekadave të fundit. Ajo nisi si një turbullirë në segmente të caktuara të sistemit financiar, për t’u transformuar në një krizë të plotë të këtij sistemi dhe, shumë shpejt, u transferua në sektorin real. Kjo goditje solli humbje të mëdha në prodhim e punësim, reduktoi mirëqenien dhe testoi qëndrueshmërinë e modeleve të rritjes e të zhvillimit të shumë vendeve.

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ishin në syrin e ciklonit të krizës botërore. Megjithatë, edhe pse në periferi të tij, efektet e krizës me kalimin e kohës u ndjenë të forta edhe në rajon. Rënia e kërkesës së huaj, rritja e pasigurisë, shtrëngimi i kushteve të financimit dhe tërheqja e fondeve të huaja nga rajoni, e frenuan aktivitetin ekonomik dhe evidentuan një sërë problemesh strukturore.

Pa dashur të listoj të gjitha kanalet dhe pasojat e krizës botërore, dëshiroj të them se përballimi i saj kërkoi rishikimin e shumë politikave dhe praktikave konvencionale.

Së pari, bankat qendrore u detyruan të eksplorojnë në territore të pashkelura. Politika monetare stimuluese mori një intensitet të paimagjinueshëm deri para disa vitesh. Në jo pak raste, kjo politikë u mbështet në përdorimin e instrumenteve jokonvencionale, të patestuara më parë, të cilat tashmë kanë një pretendim legjitim për t’u përfshirë në arsenalin e bankave qendrore.

Së dyti, për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomisë, rëndësi e veçantë iu kushtua edhe stabilitetit financiar, si në nivel sistemi, ashtu dhe në nivel institucionesh. Për këtë qëllim u adoptuan një sërë politikash të reja mbikëqyrëse e rregullatore.

Së treti, doli në pah nevoja për ndërveprimin e shëndetit fiskal me stabilitetin ekonomik dhe financiar të një vendi, duke kushtëzuar hapësirën për veprim dhe reagimin e financave publike.

Së fundi, shumë modele zhvillimi – të bazuara më shumë në borxh dhe konsum, sesa në investime dhe produktivitet – u provuan të jenë jetëshkurtra. Këto modele kërkuan dhe vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e reformave rrënjësore strukturore, për të rikonceptuar modelet e biznesit të shumë vendeve dhe për të garantuar një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Ndonëse debatet mbi përshtatshmërinë dhe efikasitetin e instrumenteve të përdorura për përballimin e krizës vazhdojnë, është e padiskutueshme që – në tërësinë e tyre – këto instrumente arritën të shmangin më të keqen dhe gradualisht, të krijojnë premisa për rritje të mëtejshme të ekonomisë botërore.

Tabloja e mësipërme është e vërtetë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Politikat stimuluese ekonomike, reformat strukturore dhe korrigjimi i zhbalancimeve të brendshme e të jashtme, kanë dhënë efektet e tyre. Ekonomitë e rajonit duket se janë në rrugën e rritjes, por tashmë ato mbështeten në një kuptim më të mirë të faktorëve përcaktues të zhvillimit afatgjatë, si dhe në një kuadër më të plotë politikash mbështetëse. Eksperienca e grumbulluar dhe mësimet e nxjerra janë pa dyshim elemente të cilat do të na ndihmojnë pozitivisht në lundrimin tonë drejt viteve që vijnë.

Si një vend tipik i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ndodhet në një stad të ngjashëm zhvillimi.

Analizat dhe parashikimet tona konfirmojnë se ekonomia shqiptare ndodhet në një trend pozitiv. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim progresiv gjatë tre viteve të ardhshme. Kjo rritje vazhdon të ushqehet nga gjallërimi i kërkesës së brendshme private.

Politika monetare lehtësuese e ndjekur nga ana e Bankës së Shqipërisë, kushtet e përmirësuara të financimit dhe forcimi i besimit të agjentëve privatë vlerësohen si elementet kryesore që qëndrojnë pas këtij gjallërimi. Rikthimi gradual i ekonomisë në ekuilibër do të ndihmojë në përmirësimin tërësor të treguesve ekonomikë, me të cilët më konkretisht kam parasysh:

  • rritjen e punësimit;
  • kthimin e inflacionit në objektiv;
  • reduktimin e borxhit publik; dhe
  • forcimin e mëtejshëm të bilanceve financiare të sektorit privat.

Përshpejtimi i rritjes ekonomike në Shqipëri është dëshmi e dinamizmit të sektorit privat. Ky zhvillim është inkurajues, për vetë faktin se politika fiskale e ndjekur gjatë kësaj periudhe është fokusuar drejt kujdesit dhe shëndoshjes së financave publike, ndërkohë që politika dhe masat makroprudenciale të Bankës së Shqipërisë kanë synuar forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar. Si pasojë e masave tona, sistemi bankar shqiptar paraqitet i shëndetshëm, me një shkallë të lartë kapitalizimi e likuiditeti, si dhe me një nivel pozitiv rentabiliteti.

Kushtet për kreditim në Shqipëri janë përmirësuar dhe do të vazhdojnë të vijnë në përmirësim. Në përmbushje të misionit të tij, sektori bankar duhet t’i shndërrojë këto premisa pozitive në më shumë kredi:

  • duke u treguar largpamës në vendimmarrje;
  • duke vlerësuar drejt perspektivat e zhvillimit dhe realitetin shqiptar;
  • duke shfrytëzuar potencialet që ofrojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Nga ana tjetër, fenomeni i kredive me probleme – i cili në masën dërrmuese pasqyron efektin prapaveprues të goditjes që morëm nga kriza – është drejt adresimit, ndonëse mbetet ende shumë punë për të bërë deri në zgjidhjen përfundimtare të tij.

***

Të nderuar pjesëmarrës,

Vazhdimisht kur diskutojmë për perspektivat e zhvillimit, si politikëbërës, nuk mund të injorojmë rreziqet dhe sfidat me të cilat përballemi. Marrëdhëniet me partnerët tanë ekonomikë dhe financiarë në Eurozonë kanë qenë dhe mbeten një burim progresi, por edhe një kanal i hapur goditjesh.

Si rajon, ne kemi gjeneruar dhe konsumuar kriza, por së fundmi peshorja anon dukshëm në kahun e konsumit.

Sikundër thashë dhe më lart, përtej problemeve ekonomike e financiare, kriza botërore u reflektua edhe në probleme të theksuara sociale. Këto probleme kanë marrë trajta e forma të ndryshme në vende të ndryshme, por lëvizja kundër globalizimit është një fill i përbashkët tensioni në zhvillimet ekonomike botërore. Kjo lëvizje ka prodhuar rezultate të ndryshme: diku ajo ka marrë formën e rritjes së barrierave proteksioniste, diku ka marrë formën e politikave izolacioniste, diku tjetër formën e riatdhesimit të kapitaleve dhe rifokusimit të aktivitetit në vendet e origjinës. Rezultati i referendumit të 23 qershorit, mbi marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me Bashkimin Evropian, është një prej tyre.

Lëvizja antiglobaliste dhe barrierat ndaj lëvizjes së lirë të mallrave, të njerëzve dhe të kapitalit, paraqiten të dëmshme për ekonominë botërore në tërësi. Megjithatë, efektet negative të tyre bien në mënyrë disproporcionale mbi vendet në zhvillim, si Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor.

Më lejoni të paraqes përmbledhtazi vlerësimin tonë mbi pasojat e mundshme negative të Brexit dhe efektet që mund të kenë ato për bankat qendrore në rajon.

2. Ndikimi i mundshëm i Brexit në Shqipëri dhe rajon

Brexit përbën pa dyshim një fenomen përcaktues për Bashkimin Evropian dhe Eurozonën. Si i tillë, ai nuk mund të kalojë pa lënë gjurmë në Shqipëri dhe në rajon. Ai mund të shoqërohet me efekte negative, direkte apo indirekte, afatshkurtra apo afatgjata, në tregjet e punës, të mallrave dhe të shërbimeve.

Përgjithësisht, efektet e drejtpërdrejta në Shqipëri dhe në rajon vlerësohen të jenë të vogla, pasi bashkëpunimi tregtar me Mbretërinë e Bashkuar është i ulët. Për ilustrim, eksporti i mallrave shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar përbën vetëm 0.2% të totalit gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa pesha e importit është luhatur rreth nivelit 1.1%.

Raporte të ulëta paraqet edhe stoku i investimeve të huaja britanike në Shqipëri, ndërkohë që ndikimi në treguesit e emigrimit dhe të remitancave është disi më i lartë, por gjithsesi jopërcaktues.

Nga ana tjetër, efektet e tërthorta do të varen nga ndikimi që do të ketë Brexit në ekonominë dhe sistemin bankar evropian. Brexit mund të përkthehet gjithashtu në zhvillime institucionale që do të ndikojnë rregullat e zhvillimit të ekonomisë dhe tregjeve financiare evropiane, si dhe mund të ndikojë ecurinë e proceseve integruese. Me fjalë të tjera, pasojat e tij për Shqipërinë e rajonin ekzistojnë potencialisht, por mbeten ende të vështira për t’u identifikuar. Duke mos dashur të zgjatem më shumë, besoj se diskutimi i sotëm do të na ndihmojë të kuptojmë këto procese dhe të vlerësojmë paraprakisht ndikimet potenciale që pasojat politiko-ekonomike të Brexit, mund të kenë për ne.

Ajo që dëshiroj të theksoj këtu është se ne, si Ballkan Perëndimor, mbetemi me shpresë se Brexit nuk do të gjenerojë forca centrifugale të cilat dëmtojnë proceset integruese evropiane, iniciojnë ngritjen e barrierave në tregti dhe në lëvizjen e lirë të njerëzve apo inkurajojnë fragmentarizimin e mëtejshëm të sistemit financiar evropian.

3. Politika monetare dhe stabiliteti financiar post-Brexit

Koordinimi i politikës monetare me masat e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit financiar mbetet një çështje ende sfiduese për politikëbërësit, edhe në kohërat më të mira. Sfidat ndaj këtij koordinimi vetëm sa mund të forcohen, nëse pasojat e Brexit do të marrin dimensionet negative të renditura më sipër.

Më lejoni të theksoj se, në vizionin e Bankës së Shqipërisë, një politikë monetare e orientuar drejt stabilitetit të çmimeve dhe një politikë mbikëqyrëse e rregullatore e orientuar drejt stabilitetit financiar, janë në interes të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë, dhe komplementare me njëra-tjetrën. Kjo kredo është tërësisht e testuar nga eksperienca botërore dhe shqiptare.

Në një horizont afatgjatë, Banka e Shqipërisë është e bindur se investimi që kemi bërë në promovimin e stabilitetit financiar do të japë fryte në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, si dhe do të rrisë hapësirat e manovrimit të politikës monetare. Po ashtu, përmbushja e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, do të rrisë besimin në monedhën kombëtare, do të ulë luhatshmërinë dhe do të forcojë transparencën në tregjet financiare, duke ndihmuar kështu zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit financiar.

Nga ana tjetër, në afat të shkurtër, koordinimi i politikës monetare me stabilitetin financiar paraqet shpesh sfida dhe kompromise. Në këtë kontekst, vendosja e prioriteteve të qarta, përdorimi i instrumenteve të duhura, dhe komunikimi transparent i aksioneve dhe objektivave të bankës qendrore, mbeten elemente kyç të suksesit të punës sonë.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj edhe njëherë bindjen time se të gjitha çështjet që trajtova më sipër do të shtjellohen më në detaje gjatë punimeve të Konferencës të ditës së sotme. Kam besim se kontributi i panelistëve të nderuar, së bashku me ndërhyrjet aktive të pjesëmarrësve nga salla do të jenë një vlerë e shtuar në këtë drejtim.

Duke i uruar punime të frytshme Konferencës së sotme,

***

Ju falënderoj për vëmendjen!