BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në prezantimin e Raportit të Tranzicionit të BERZH 2016-2017

Data e publikimit: 27.01.2017

 

Të nderuar përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi e veçantë të ofrojmë sërish mikpritjen dhe bashkëpunimin tonë në takimin prezantues të radhës të "Raportit të Tranzicionit 2016-2017", të përgatitur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Ndonëse ka kaluar vetëm një vit që nga takimi i fundit, sfidat me të cilat përballet ekonomia globale, janë të shumta. Ato paraqiten shumë komplekse, duke krijuar perceptimin se ndodhemi para një epoke të re.

Problematikat ekzistuese, të ndërthurura me zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale të vitit të fundit kanë ndikuar procesin e deritanishëm të konvergjencës. Pavarësisht kësaj, Raporti i Tranzicionit evidenton dhe dokumenton me profesionalizëm dhe besueshmëri progresin ekonomik, ligjor dhe institucional të tranzicionit dhe të konvergjencës, duke u dhënë reformave në të ardhmen hapësirën dhe prioritetin e duhur.

Vlen të përmendet se kemi të bëjmë me një vlerësim të pavarur dhe një standard bashkëkohor që na ndihmon në gjykimin objektiv mbi ecurinë e reformave dhe politikave ekonomike të ndërmarra nga autoritetet e çdo vendi. Në mënyrë figurative ai përcakton metrikën me të cilën shoqëria mund të vlerësojë përgjegjshmërinë e autoriteteve kundrejt publikut dhe tregut.

Në këtë kontekst, raporti i vlerëson pozitivisht reformat dhe politikat ekonomike të ndërmarra nga autoritetet shqiptare. Për më tepër, përfundimet e raportit mbi zhvillimet ekonomike dhe situatën monetare dhe financiare janë të ngjashme me analizat dhe përfundimet e Bankës së Shqipërisë në fund të vitit 2016. Më konkretisht, ekonomia shqiptare ka përshpejtuar ritmet e rritjes mbështetur kryesisht nga politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë dhe transmetimi më efektiv i saj në ekonomi. Këto faktorë, së bashku me gjallërimin e mëtejshëm të kërkesës së brendshme, do të luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e mëtejshme të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2017.

Raporti evidenton faktin e rëndësishëm se sistemi bankar është likuid, i mirë-kapitalizuar dhe i aftë të përballojë goditjet që mund të vijnë nga sektori i jashtëm. Raporti identifikon kredinë me probleme si rrezikun kryesor jo vetëm për shëndetin e sistemit, por edhe për sa i takon transmetimit të politikës monetare në rritjen e kredisë për sektorin privat. Raporti vlerëson pozitivisht planin e koordinuar të veprimit të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me qeverinë dhe institucionet ndërkombëtare, për të adresuar në mënyrë të plotë dhe përfundimtare problemin e kredive me probleme.

Plani i veprimit të Bankës së Shqipërisë është një proces mjaft i gjerë dhe kompleks, që përfshin në vetvete rregullime e vendimmarrje ligjore, nënligjore dhe institucionale. Konstatoj me kënaqësi se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka arritur në konkluzionin se ky proces ligjor, rregullator e institucional do të kontribuojë në reduktimin e kredive me probleme në planin afatgjatë. Është gjithashtu inkurajuese të vëresh se raporti ruan një vlerësim të ngjashëm pozitiv për një grup reformash të ndërmarra nga qeveria dhe autoritetet e tjera në fushën e liberalizimit të tregut, privatizimit, sektorit të energjisë dhe infrastrukturës.

Në lidhje me të ardhmen, raporti në mënyrë objektive e vlerëson ambientin makroekonomik global si përgjithësisht të favorshëm. Natyra dhe origjina e flukseve të kapitalit drejt ekonomive në tranzicion është e imunizuar nga efektet negative të fenomenit Brexit apo rritjes së normave të interesit në ekonominë amerikane. Për rajonin e Evropës Qendrore e Juglindore, gjatë vitit 2017, pritet një rritje ekonomike më e shpejtë e nxitur nga faktorët e brendshëm dhe përmirësim i lehtë dhe i qëndrueshëm i situatës ekonomike tek partnerët e huaj. Rreziqet kryesore lidhen me ecurinë e çmimeve të lëndëve të para dhe veçanërisht me zhvillimet gjeopolitike dhe ekonomike në rrafshin global.

Një element "pikant" i evidentuar si shumë shqetësues, i pranishëm në gjithë vendet në tranzicion, ka të bëjë me thellimin e pabarazisë shoqërore. Raporti evidenton se pabarazia në ekonomi, në mundësi dhe në përfshirjen financiare është rritur duke ndikuar negativisht mirëqenien ekonomike të vendeve në tranzicion. Gjetja e rrugëve të zgjidhjes është një sfidë e vështirë, ku edukimi financiar dhe përfshirja financiare vlerësohen si mundësi për të adresuar me sukses këtë problematikë.

Përfitoj nga rasti të theksoj se Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar i kushton një rëndësi të veçantë këtyre dy çështjeve. Programet tona të edukimit financiar, botimet informuese mbi produktet dhe shërbimet bankare, së bashku me rregullimin, licencimin, prezantimin dhe mbështetjen e teknologjive dhe instrumenteve të reja të pagesave e shërbimeve financiare, synojnë rritjen e përfshirjes financiare dhe krijimin e mundësive për akses financiar nga të gjithë shtresat e shoqërisë.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se mund dhe duhet të bëhet më shumë për të konceptuar e promovuar produkte financiare që i përgjigjen më mirë nevojave të këtyre shtresave të popullsisë. Gjithashtu vlerësojmë se ka vend për një rritje më të shpejtë të kreditimit për sektorin privat, sidomos në sektorë të veçantë ku fenomeni i pabarazisë është më i dukshëm. Për të qenë më konkret, bujqësia p.sh., megjithëse jep një pjesë të konsiderueshme të prodhimit të përgjithshëm bruto, përfiton vetëm një pjesë shumë të vogël të kredisë dhe produkteve të tjera financiare.

Përtej këtyre politikave dhe strategjive të zhvillimit të produkteve financiare, lufta e vërtetë ndaj varfërisë dhe pabarazisë në afatin e gjatë duhet të mbështetet në përmbushjen e reformave strukturore ekonomike, ligjore dhe institucionale të hartuara si pjesë e procesit të integrimit evropian. Prioritetet e ekonomive tona duhet të jenë ruajtja e stabilitetit makroekonomik e financiar, vazhdimi i reformave strukturore në infrastrukturë dhe në tregun e punës. Krijimi i kushteve të favorshme për biznesin dhe investitorët e ndershëm nëpërmjet luftës kundër informalitetit duhet shoqëruar paralelisht me krijimin e kapitalit njerëzor dhe përgatitjen e fuqisë punëtore në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe sfidat e kohës.

Të nderuar pjesëmarrës,

Raporti i Tranzicionit 2016-2017, i përgatitur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përbën një dokument të rëndësishëm për të gjithë. Pavarësisht statusit tonë si vendimmarrës, politikëbërës, studiues, akademikë apo gazetarë. Raporti na paraqet informacionin e nevojshëm për të përforcuar analizat dhe përfundimet tona. Ju ftoj të gjithëve të njiheni me të dhe në mënyrë racionale dhe të përgjegjshme të materializoni konkluzionet e tij në analizën tuaj për të tashmen dhe perspektivën e ekonomisë sonë, dhe më gjerë.