BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në seancën dëgjimore të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mbi projektbuxhetin 2016

Data e publikimit: 09.12.2015

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,
Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Hartimi dhe miratimi i buxhetit dhe paketës shoqëruese fiskale është një moment mjaft i rëndësishëm për konturimin e politikave ekonomike për vitin e ardhshëm. Si një plan financiar i aktivitetit të sektorit publik, buxheti detajon tiparet kryesore të politikës fiskale dhe parashikon mbështetjen me fonde të politikave dhe prioriteteve të zhvillimit. Paralelisht me të, paketa fiskale dhe legjislacioni tatimor ndikojnë strukturën e incentivave të zhvillimit të sektorit privat. Për këtë arsye, vlerësoj se ekzaminimi i kujdesshëm, konsultimi i gjerë dhe debatet konstruktive mbi to, i shërbejnë finalizimit të një dokumenti sa më cilësor dhe realist.

Në përgjigje të ftesës suaj, do të paraqes në vijim opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi pikat kryesore të projektbuxhetit për vitin 2016. Duke dashur të jem korrekt dhe besnik i mandatit ligjor të bankës qendrore, opinioni në vazhdim do të përqendrohet në fushat kryesore të veprimit dhe ekspertizës sonë: (i) kuadri ekonomik dhe politikat ekonomike; (ii) projeksionet fiskale dhe qëndrueshmëria e financave publike; dhe, (iii) ndikimi i pritur i huamarrjes publike në tregun e brendshëm financiar. Në mbyllje, (iv) dëshiroj të ndaj me ju disa sugjerime për rritjen e efektivitetit dhe të qëndrueshmërisë së financave publike, gjatë vitit 2016 dhe në vazhdim.

1. Kuadri i pritur ekonomik për vitin 2016 dhe politikat mbështetëse të tij
Treguesit buxhetorë dhe ecuria e aktivitetit ekonomik kanë një lidhje të ndërsjellë dhe shkakësore, si në fazën e parashikimit ashtu edhe në atë të realizimit. Saktësia e projeksioneve buxhetore varet në një masë të madhe nga cilësia e parashikimeve makroekonomike, ndërkohë që vetë ecuria e ekonomisë është funksion i politikave ekonomike dhe i reformave strukturore të parashikuara për t’u ndjekur gjatë vitit. Për këtë arsye, formatimi i një kuadri të besueshëm dhe konsistent të zhvillimeve të pritura ekonomike ka rëndësi parësore.

Parashikimet fiskale të projektbuxhetit janë bazuar në supozimin e një rritjeje reale të PBB-së me 3.4% gjatë vitit 2016, ndërkohë që inflacioni pritet të arrijë në 2.3% dhe normat e interesit janë parashikuar të qëndrojnë në nivele të përafërta me ato të vitit 2015. Këto parashikime bazohen në pritjet për rikuperimin e kërkesës së brendshme dhe pritjet për një situatë më pozitive në partnerët tanë tregtarë. Gjithashtu, këto parashikime faktorizojnë vazhdimin e konsolidimit fiskal edhe gjatë vitit të ardhshëm, sikurse tregohet nga reduktimi i deficitit buxhetor nga 4.1% të PBB-së në vitin 2015, në 2.2% të PBB-së në vitin 2016.

Banka e Shqipërisë vlerëson se këto parashikime ofrojnë një pikënisje të pranueshme për hartimin e projeksioneve fiskale të vitit të ardhshëm. Në gjykimin tonë, rritja ekonomike do të vijë në përmirësim progresiv gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa presionet inflacioniste do të vazhdojnë të mbeten të dobëta. Gjithashtu, normat e interesit do të vazhdojnë të qëndrojnë në nivele të ulëta, në përgjigje të politikës sonë monetare stimuluese dhe të reduktimit të huamarrjes publike në tregjet e brendshme financiare.

Gjithashtu, në përputhje me nevojat e zhvillimit të vendit dhe angazhimet e marrëveshjes me FMN-në, Banka e Shqipërisë ka kërkuar dhe ka mbështetur ndjekjen e një politike fiskale konsoliduese, e cila synon reduktimin e deficitit dhe të borxhit publik. Kahu konsolidues i politikës fiskale është konsistent me politikën monetare stimuluese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe pasqyrohet në intensitetin e lartë të këtij stimuli monetar. Në këtë mënyrë, dy politikat kryesore ekonomike – ajo monetare dhe ajo fiskale - njëkohësisht mbështesin rritjen ekonomike dhe i shërbejnë reduktimit të borxhit publik, i cili përbën dhe një nga dobësitë më të mëdha strukturore të ekonomisë shqiptare.

2. Projeksionet fiskale dhe qëndrueshmëria e financave publike
Në këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë, buxheti duhet të respektojë me përparësi dy objektiva të rëndësishëm dhe të ndërvarur. Së pari, ai duhet të jetë një buxhet realist dhe i mbështetur në parashikime të kujdesshme. Së dyti, ai duhet të ndihmojë qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike.

Sipas projeksioneve të projektbuxhetit:
- të ardhurat buxhetore pritet të arrijnë në 417.7 miliardë lekë gjatë vitit 2016 ose në rreth 27.3% të PBB-së. Kjo vlerë përfaqëson një rritje vjetore prej 4.9% krahasuar me nivelin e planifikuar për vitin 2015;
- shpenzimet publike të vitit 2016 do të jenë rreth 452.1 miliardë lekë ose 29.5% e PBB-së. Në terma vjetorë, shpenzimet pritet të tkurren me rreth 0.9% krahasuar me një vit më parë;
- deficiti buxhetor i vitit 2016 është parashikuar në masën 34.4 miliardë lekë ose rreth 41% më i ulët se një vit më parë. Në terma të PBB-së, deficiti buxhetor vlerësohet në rreth 2.2% të PBB-së, çka përfaqëson një reduktim prej 1.8 pikësh përqindjeje ndaj nivelit të vitit 2015. Reduktimi vjen si pasojë e përfundimit të pagesës së detyrimeve të prapambetura (me një ndikim prej 1.3 pikësh përqindjeje) dhe politikës fiskale diskrecionare (me një ndikim prej 0.5 pikësh përqindjeje);
- balanca primare për vitin 2016 rezulton pozitive, rreth 0.3% e PBB-së, duke shfaqur një përmirësim prej rreth 1.5 pikësh përqindjeje ndaj vitit paraardhës. Balanca korrente parashikohet të arrijë një suficit prej rreth 34 miliardë lekësh ose rreth 2.2% e PBB-së, duke shfaqur një përmirësim të lehtë kundrejt vitit të shkuar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se parashikimi i të ardhurave buxhetore është i kujdesshëm. Parashikimi jonë për të ardhurat tatimore është i përafërt, me parashikimet e projektbuxhetit. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë gjykon se projektbuxheti paraqet disa përmirësime strukturore, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të balancës primare, e cila mat ndikimin e buxhetit në borxhin publik dhe në drejtim të ruajtjes së balancës pozitive korrente, e cila përafron eficiencën e përdorimit të të ardhurave publike. Këto përmirësime duhet të përfshihen e të shtjellohen më tej në buxhetet e viteve në vazhdim.

Përsa i takon nivelit të borxhit publik, Banka e Shqipërisë vlerëson se përmbushja e projeksioneve të projektbuxhetit do të ofrojë një pikë kthese në trajektoren e borxhit publik. Niveli i parashikuar i borxhit parashikohet të zbresë nga 72.6% e PBB-së në vitin 2015 në rreth 71% të PBB-së në vitin 2016. Megjithatë, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen në faktin se ky nivel borxhi mbetet i lartë dhe vazhdon të përbëjë pengesë për zhvillimin e vendit. Reduktimi i qëndrueshëm i tij do të kërkojë ruajtjen në mënyrë konsekuente të kahut konsolidues të politikës fiskale edhe për shumë vite në vazhdim. Para së gjithash, kjo do të kërkojë vullnet dhe konsensus politik bipartisan, një filozofi të cilën ju ftoj të gjithëve ta adoptojmë.

3 . Projektbuxheti dhe tregu i brendshëm financiar

Aktiviteti financiar i qeverisë ka ndikim të padiskutueshëm në tregjet e brendshme financiare. Kjo bëhet më e prekshme në vende si Shqipëria, ku sistemi financiar është relativisht i pa-diversifikuar dhe ku sektori publik ka një ndikim të madh në treguesit e likuiditetit dhe të normave të interesit.

Projektbuxheti i vitit 2016 parashikon një huamarrje të re publike në tregjet e brendshme financiare rreth nivelit 21 miliardë lekë. Duke u nisur nga situata e likuiditetit dhe struktura e normave të interesit në këto tregje, Banka e Shqipërisë vlerëson se ky objektiv është i realizueshëm dhe me ndikim të ulët në gjendjen e likuiditetit, në nivelin dhe në pjerrësinë e kurbës së normave të interesit. Këto zhvillime krijojnë më shumë hapësirë në bilancet e bankave për rritjen e kreditimit të sektorit privat.

***

Në mbyllje të këtij opinioni, më lejoni të shpreh disa sugjerime të Bankës së Shqipërisë për buxhetin e vitit 2016 dhe për përmirësime të mëtejshme strukturore në administrimin e financave publike.
4. Disa sugjerime të Bankës së Shqipërisë

4.1 Parashikimi i të ardhurave dhe administrimi i rrezikut buxhetor

Për të rritur transparencën fiskale dhe për të mbrojtur buxhetin nga shmangie të mëdha, Banka e Shqipërisë sugjeron plotësimin e tij me plane alternative fiskale, zbatimi i të cilave do të ishte i kushtëzuar nga devijime të mundshme të të ardhurave nga niveli i parashikuar.

Duke qenë në linjë me komunikimet tona të mëparshme, Banka e Shqipërisë gjykon se burimet e rritjes ekonomike nuk shfaqen ende të konsoliduara dhe balanca e rreziqeve vazhdon të qëndrojë në kahun e poshtëm. Me fjalë të tjera, probabiliteti për shmangie në kahun e poshtëm nga parashikimi i ecurisë së të ardhurave publike është më i madh se probabiliteti për shmangie në kahun e sipërm. Autoritetet fiskale duhet të vazhdojnë të ushtrojnë kujdesin e duhur, në mënyrë që deficiti buxhetor dhe borxhi publik të mbeten në nivelet e planifikuara.

Në rast se realizimi i të ardhurave buxhetore është më i ulët se parashikimi, Banka e Shqipërisë sugjeron identifikimin paraprak dhe renditjen e shpenzimeve sipas nivelit të rëndësisë apo të rentabilitetit, në mënyrë që korrektimi fiskal i bazuar në reduktimin e shpenzimeve të ishte transparent dhe efektiv.

Në të njëjtën mënyrë, në rast performance më të mirë të të ardhurave ndaj parashikimit, sugjerojmë të përcaktohet paraprakisht nëse të ardhurat shtesë do të shkojnë për përmirësimin e pozicionit fiskal duke zvogëluar deficitin dhe borxhin, apo do të shpenzohen për të ruajtur të pandryshuar deficitin buxhetor dhe kursin e politikës fiskale.

Banka e Shqipërisë sugjeron që:

(i)  në rast se të ardhurat buxhetore rezultojnë më të larta se plani si pasojë e një rritjeje ekonomike më të shpejtë se parashikimi, të ardhurat shtesë duhet të përdoren për reduktimin e borxhit. Ky reagim rrit hapësirat fiskale për përballimin e goditjeve të mundshme në të ardhmen, pa ndikuar negativisht mbi rritjen ekonomike;

(ii)  në rast se të ardhurat buxhetore janë më të larta se niveli i planifikuar, si pasojë e një efekti më pozitiv të luftës ndaj informalitetit apo përmirësimit të administrimit fiskal, të ardhurat shtesë mund të përdoren për kryerjen e shpenzimeve kapitale. Ky reagim le të paprekur stimulin fiskal në ekonomi.

4.2 Struktura e shpenzimeve ka nevojë për vëmendje në të ardhmen

Raporti i shpenzimeve korrente ndaj shpenzimeve kapitale ka shfaqur një tendencë rënëse disavjeçare. Shpenzimet kapitale kanë një ndikim ekonomik më të qenësishëm dhe më afatgjatë në treguesit e aktivitetit ekonomik. Për më tepër, në stadin ku ndodhet vendi, shpenzimet kapitale janë të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës dhe për zhbllokimin e faktorëve të rritjes.

Banka e Shqipërisë sugjeron rritjen e përpjekjeve që, edhe brenda kufizimeve që paraqet angazhimi për konsolidim fiskal, kjo tendencë të korrektohet gjatë viteve të ardhshme.

4.3 Struktura e financimit të deficitit dhe borxhit publik

Banka e Shqipërisë vlerëson se huamarrja në valutë rrit rreziqet nga luhatjet e mundshme të kursit të këmbimit. Tregjet e brendshme financiare kanë mundësi të mbulojë nivelin e huamarrjes së brendshme të planifikuar në buxhet gjatë vitit të ardhshëm, pa ushtruar presione në treguesit e likuiditetit dhe të normave të interesit.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë sugjeron që financimi i huaj me terma tregtarë të shihet si plan kontigjence, i kushtëzuar nga shfaqja e tensioneve të forta në tregjet e brendshme financiare apo pamundësia e tyre për të mbuluar nivelin e huamarrjes së brendshme.

4.4 Qëndrueshmëria afatgjatë e financave publike

Së fundi, Banka e Shqipërisë vijon të theksojë nevojën e prezantimit të një rregulli fiskal, i cili do të disiplinojë politikën fiskale dhe do të sigurojë qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike. Relacioni shoqërues i projektbuxhetit parashikon që ky ligj do të prezantohet në kuadrin e rishikimit tërësor të ligjit organik të Buxhetit.

Banka e Shqipërisë sugjeron që adoptimi i një rregulli fiskal të shikohet si një nismë e veçantë, prioritare dhe e shkëputur nga objektivat e tjerë të rishikimit të ligjit organik të buxhetit. Ndër të tjera, ky rregull duhet të prezantojë një angazhim të besueshëm dhe transparent qeveritar për reduktimin e borxhit publik, si dhe të sanksionojë ruajtjen e hapësirave të nevojshme për shpenzimet kapitale.

Ju faleminderit për vëmendjen!