BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në seancën dëgjimore të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mbi projektbuxhetin 2017

Data e publikimit: 22.11.2016

 

I nderuar zoti Kryetar i Komisionit,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Deputetë,

Zhvillimi i qëndrueshëm dhe afatgjatë i vendit ka qenë dhe mbetet një prioritet konstant i punës së Bankës së Shqipërisë. Përmbushja e këtij objektivi kërkon jo vetëm aplikimin e politikave të kujdesshme monetare dhe fiskale, por edhe koordinimin e vazhdueshëm dhe eficient të tyre.

Miratimi i Buxhetit dhe i paketës shoqëruese fiskale ka një rëndësi vendimtare për zhvillimin ekonomik të vendit. Buxheti dhe paketa fiskale konturojnë prioritetet afatshkurtra dhe afatmesme të financave publike, ndikojnë profilin afatgjatë të rritjes e zhvillimit nëpërmjet mbështetjes me fonde të reformave strukturore, si dhe orientojnë zhvillimin e sektorit privat nëpërmjet përcaktimit të stimujve për konsum dhe investime.

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë vlerëson mundësinë që na jepni në këtë seancë dëgjimore për të shprehur opinionin tonë mbi Projektbuxhetin e vitit 2017.

Duke respektuar mandatin tonë ligjor dhe duke qëndruar brenda fushës sonë të ekspertizës, opinioni i Bankës së Shqipërisë mbi Projektbuxhetin e vitit 2017 do të fokusohet në pikat e mëposhtme:

  • Perspektivat e zhvillimit të vendit dhe ndërthurja e tyre me politikat monetare e fiskale;
  • Projeksionet fiskale dhe qëndrueshmëria e financave publike, dhe,
  • Ndikimi i huamarrjes së parashikuar publike në tregjet e brendshme financiare.

Gjithashtu, në mbyllje të këtij opinioni do të paraqesim edhe disa sugjerime mbi hapa të mundshëm për rritjen e efektivitetit dhe të qëndrueshmërisë së financave publike.

web 498 kef 8921 0

1. Ecuria e pritur ekonomike dhe ndërthurja e saj me politikat monetare e fiskale

Ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja rikuperimi gjatë dy viteve të fundit. Ky rikuperim pasqyron gjallërimin e konsumit dhe të investimeve private, ndërkohë që ambienti i jashtëm ka qenë dhe mbetet i pafavorshëm. Zgjerimi i aktivitetit të sektorit privat është mbështetur nga politika jonë monetare stimuluese dhe është favorizuar nga politika fiskale konsoliduese e ndjekur gjatë kësaj periudhe. Ky miks politikash ka ulur kostot e financimit të sektorit privat dhe ka përmirësuar likuiditetin në ekonomi.

Buxheti i vitit 2017 faktorizon parashikimet për një rritje ekonomike reale në nivelin 3.8% dhe për një rritje të vlerës nominale të prodhimit të brendshëm bruto në nivelin 6.3%.

Sikundër detajohet në Projektbuxhet dhe në relacionin shoqërues, kjo rritje ekonomike do të mbështetet nga vazhdimi i kombinimit të stimulit monetar me politikën e konsolidimit fiskal. Megjithatë, intensiteti i konsolidimit fiskal gjatë vitit 2017 parashikohet të jetë disi më i ulët se ai i vitit 2016.

Banka e Shqipërisë vlerëson se kuadri i pritur i zhvillimeve ekonomike dhe politikat mbështetëse të tij përbëjnë një pikënisje të pranueshme dhe konsistente për hartimin e Buxhetit të vitit 2017.

Aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë një përmirësim të ritmeve të rritjes gjatë dy viteve të ardhshme. Stimuli monetar do të ofrojë mbështetje për rritjen e kërkesës së brendshme, duke mbajtur në nivele të ulëta kostot e financimit të konsumit dhe të investimeve private. Paralelisht me të, politika fiskale parashikohet të ndjekë një kurs konsolidues, sikurse ilustrohet nga përmirësimi me 0.2 pikë përqindjeje i raportit të balancës primare ndaj PBB-së dhe nga parashikimi i reduktimit me 2.7 pikë përqindjeje të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së.

Banka e Shqipërisë e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë politikën e konsolidimit fiskal, duke vlerësuar se – në balancë – ajo ndikon pozitivisht në rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Vazhdimi i kursit konsolidues të politikës fiskale ul primet e rrezikut, redukton ndikimin e sektorit publik në tregjet e brendshme financiare, dhe rrit hapësirat për kreditimin e sektorit privat.

2. Projeksionet fiskale dhe qëndrueshmëria e financave publike

Bazuar në kuadrin e mësipërm makroekonomik dhe në masat e paketës fiskale, Projektbuxheti i vitit 2017 parashikon:

- Të ardhura publike në nivelin 436 miliardë lekë ose 27.3% të PBB-së. Ky parashikim nënkupton një rritje prej 6.9% ndaj nivelit të pritur të të ardhurave për vitin 2016 dhe reflekton kryesisht rritjen e bazës së tatueshme, në përgjigje të rritjes së pritur ekonomike. Nga ana tjetër, efekti i ndryshimeve të paketës fiskale është relativisht i vogël;

- Shpenzime publike në nivelin 467.2 miliardë lekë ose 29.3% të PBB-së. Ky parashikim nënkupton një rritje prej 6.5% ndaj nivelit të pritur të shpenzimeve për vitin 2016;

- Një deficit buxhetor prej 31.2 miliardë lekësh ose 2% të PBB-së. Ky deficit është 2.4% më i lartë se ai i pritur për vitin 2016. Në terma të financimit, deficiti parashikohet të financohet përafërsisht në masën 60% nga burime të brendshme dhe 40% nga burime të huaja;

- Një reduktim të borxhit publik, nga niveli i pritur prej 71.8% i PBB-së në fund të vitit 2016 në 69.1% të PBB-së në fund të vitit 2017. Ky parashikim respekton një kërkesë të Ligjit Organik të Buxhetit (LOB). Gjithashtu, ai është konsistent me nivelin e programuar të deficitit buxhetor dhe me projeksionet e rritjes ekonomike, por abstragon nga efektet e lëvizjeve të mundshme në kursin e këmbimit.

Në lidhje me këto projeksione dhe implikimet e tyre për qëndrueshmërinë e financave publike, Banka e Shqipërisë konstaton sa më poshtë vijon.

2.1 Mbi projeksionet fiskale

Duke përjashtuar efektet e mundshme të vitit elektoral, të cilët shpesh – dhe fatkeqësisht – materializohen në rënie të eficiencës së administratës tatimore, Banka e Shqipërisë vlerëson se niveli i parashikuar i të ardhurave publike është i realizueshëm. Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se, ashtu si dhe në rastin e parashikimeve makroekonomike, balanca e rreziqeve ndaj këtij projeksioni është e zhvendosur në kahun e poshtëm. Në këtë kontekst, është inkurajues fakti se buxheti i vitit 2017 inkorporon disa instrumente mbrojtëse ndaj mosrealizimit të mundshëm të të ardhurave, në formën e kontingjencave të ndryshme buxhetore të parashikuara deri në nivelin 0.5% të PBB-së. Megjithatë, këto kontingjenca mund të mos jenë të mjaftueshme. Opinioni ynë mbi mënyrat optimale të trajtimit të pasigurisë dhe të rreziqeve në parashikim, detajohet në seksionin e fundit.

2.2 Mbi respektimin e kërkesave të Ligjit Organik të Buxhetit

Sikundër raportohet dhe në relacionin shoqërues, Banka e Shqipërisë konstaton se Projektbuxheti i vitit 2017 respekton kërkesat ligjore të parashtruara në Ligjin Organik të Buxhetit.

Kështu, përtej reduktimit të borxhit publik:

- Vlera e pritur e PBB-së nominale është brenda parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të detajuara në botimin e fundit të World Economic Outlook.

- Niveli i parashikuar i shpenzimeve kapitale është më i lartë se niveli i programuar i huamarrjes publike.

- Projektbuxheti i vitit 2017 parashikon një kontingjencë fondesh të barabartë me 0.9% të shpenzimeve totale (4 miliardë lekë), për të kompensuar efektet negative që luhatjet e kursit të këmbimit dhe të normave të interesit mund të kenë në nivelin e borxhit publik.

- Projektbuxheti i vitit 2017 nuk parashikon të ardhura nga privatizimi.

2.3. Mbi qëndrueshmërinë e financave publike

Banka e Shqipërisë vlerëson se reduktimi i programuar i borxhit publik është një hap pozitiv në drejtim të rritjes së qëndrueshmërisë fiskale dhe të zvogëlimit të dobësive që vijnë nga niveli ende i lartë i borxhit publik.

Gjithashtu, Ligji Organik i Buxhetit prezanton disa kërkesa ligjore, të cilat:

- kërkojnë uljen progresive të borxhit publik gjatë çdo viti fiskal;

- ankorojnë kuadrin makroekonomik në parashikimet e FMN-së, dhe

- kufizojnë përqendrimin e deficitit buxhetor në periudha të caktuara të viteve elektorale.

Këto kërkesa ndihmojnë disiplinimin e politikës fiskale, përmirësojnë qëndrueshmërinë e financave publike, dhe rritin interesin e investitorëve, të brendshëm e të huaj, në instrumentet e borxhit shqiptar.

3. Huamarrja e sektorit publik dhe tregu i brendshëm financiar

Projektbuxheti i vitit 2017 parashikon një huamarrje të brendshme në masën 19.8 miliardë lekë. Situata e likuiditetit në tregun e brendshëm financiar dhe nivelet e ulëta të normave të interesit krijojnë premisa për akomodimin e këtij niveli të synuar huamarrjeje.

Megjithatë, Ministria e Financave dhe Qeveria Shqiptare duhet të kujdesen për një shpërndarje sa më të njëtrajtshme të huamarrjes dhe të shpenzimeve buxhetore, për të reduktuar luhatjet në tregjet e brendshme. Gjithashtu, Ministria e Financave duhet të kujdeset për monitorimin e vazhdueshëm të absorbimit të huamarrjes nga tregjet e brendshme financiare, për të mundësuar rikalibrimin e vazhdueshëm të instrumenteve të borxhit me kërkesat e tregut.

***

Në mbyllje, Banka e Shqipërisë dëshiron të paraqesë edhe disa sugjerime të cilat – në opinionin tonë – do të ndihmonin procesin e hartimit dhe të zbatimit të Buxhetit në të ardhmen.

4. Sugjerime dhe rekomandime

4.1 Administrimi i pasigurisë dhe rrezikut në parashikim

Parashikimi i të ardhurave buxhetore – ashtu si dhe çdo parashikim tjetër ekonomik – është i rrethuar nga pasiguri dhe rreziqe. Njohja dhe kuptimi i drejtë i këtij fakti bën të nevojshme marrjen e masave për identifikimin dhe njehsimin e tyre, si dhe i hap rrugë administrimit efektiv të pasojave të mundshme.

Në linjë me sugjerimet tona të mëparshme, Banka e Shqipërisë vlerëson se procesi i hartimit dhe i zbatimit të Buxhetit do të përfitonte nga ndërtimi i skenarëve buxhetorë alternativë, të cilët do të viheshin në zbatim në rast të devijimeve të mëdha nga parashikimi.

Duke prioritizuar respektimin e deficitit buxhetor dhe objektivat e konsolidimit fiskal, Banka e Shqipërisë sugjeron se zbatimi i Buxhetit të vitit 2017 duhet të kufizohet si më poshtë:

- Në rast se të ardhurat buxhetore do të jenë poshtë nivelit të planifikuar dhe në rast se kjo diferencë është më e madhe se kontingjencat e parashikuara në Buxhet, Qeveria duhet të marrë masa shtesë për respektimin e deficitit buxhetor. Kjo nënkupton reduktimin e shpenzimeve në masë të njëjtë me nivelin e mosrealizimit të të ardhurave;

 -Në rast se të ardhurat buxhetore do të jenë sipër nivelit të planifikuar dhe në rast se kjo diferencë vjen si pasojë e një rritjeje ekonomike më të shpejtë se parashikimi, këto të ardhura duhet të kursehen, duke ulur në masë proporcionale deficitin buxhetor;


-Në rast se të ardhurat buxhetore do të jenë sipër nivelit të planifikuar dhe në rast se kjo diferencë vjen si pasojë e përmirësimit të administrimit fiskal, këto të ardhura mund të shpenzohen, duke lënë të paprekur deficitin buxhetor dhe intensitetin e konsolidimit fiskal.

4.2 Struktura e financimit dhe struktura e borxhit publik

Mënyra e financimit të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik ka rëndësi po aq sa dhe vetë niveli i tyre. Struktura e financimit të borxhit shqiptar ka qenë dhe mbetet e qëndrueshme. Borxhi i brendshëm po zhvendoset drejt afateve më të gjata të maturimit dhe ndjeshmëria e  tij ndaj luhatjeve afatshkurtra të normave të interesit po bie. Paralelisht me të, borxhi i huaj është në masën më të madhe në terma koncesionarë dhe ka afate të gjata maturimi.

Megjithatë, borxhi publik shqiptar ka shfaqur një tendencë financimi në rritje nga burimet e huaja. Në dekadën e fundit, pesha e borxhit të huaj ndaj borxhit total është rritur me 16 pikë përqindjeje.

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen në ekspozimin në rritje që niveli dhe kostoja e shërbimit të borxhit kanë ndaj lëvizjeve të kursit të këmbimit. Kjo nënkupton nevojën për kujdes të shtuar ndaj huamarrjes së huaj, sidomos ndaj asaj në terma tregtarë, e cila duhet trajtuar si alternativë e fundit në listën e burimeve të mundshme të financimit.

4.3 Racionalizimi i mëtejshëm i procesit të përzgjedhjes së investimeve publike

Procesi i përzgjedhjes së investimeve publike ka shënuar përmirësime të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Kjo është realizuar, ndër të tjera, nëpërmjet racionalizimit të angazhimeve publike të pabuxhetuara, nëpërmjet disiplinimit të projekteve disavjeçare, si dhe nëpërmjet përmirësimit të mekanizmave përzgjedhës.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjykon se ka ende vend për përmirësim.

Aplikimi i një analize formale kosto – përfitim për investime publike në fusha të caktuara, si: shëndetësia dhe arsimi, kultura, mbrojtja, apo programe të ndryshme sociale, mund të jetë i vështirë nga pikëpamja ekonomike apo edhe problematik nga pikëpamja etike.

Megjithatë, procesi i përzgjedhjes së investimeve të tjera publike, dhe sidomos ato në infrastrukturë, mund të përmirësohet më tej, nëpërmjet formalizimit të procesit dhe standardizimit të teknikave të vlerësimit të rentabilitetit ekonomik që ofrojnë projektet alternative. Ky do të ishte një hap tjetër pozitiv në drejtim të rritjes së eficiencës të financave publike shqiptare dhe mbështetjes së rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.

4.4 Ritmika vjetore e realizimit të Buxhetit

Ritmi jo i njëtrajtshëm i shpërndarjes së shpenzimeve dhe huamarrjes publike ka qenë dhe mbetet një problem i financave publike shqiptare. Banka e Shqipërisë ka theksuar në vazhdimësi se përqendrimi i tyre në tremujorin e fundit të vitit tenton të ulë efektivitetin dhe të rritë luhatjet në tregjet financiare.

Në këtë kontekst, vlerësojmë se duhen bërë përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar shpërndarjen e shpenzimeve dhe të huamarrjes gjatë vitit. Ankorimi i zbatimit dhe i monitorimit të buxhetit në plane tremujore, mund të ishte një instrument i vlefshëm në këtë drejtim.

Ju faleminderit për vëmendjen!