BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në takimin e nivelit të lartë për remitancat

Data e publikimit: 11.12.2017

 

I nderuar zoti Ministër,

Të nderuar pjesëmarrës,

Duke ju uruar mirëseardhjen në godinën e Bankës së Shqipërisë, dëshiroj ta filloj fjalën time me një falënderim për Ministrin e Shtetit për Diasporën, zotin Majko, në lidhje me nismën e marrë prej tij për një vëmendje më të madhe në përthithjen dhe përdorimin efektiv të dërgesave në para nga ana e shqiptarëve me banim jashtë shtetit, ose siç jemi mësuar ta përdorim shpesh me termin, remitanca.

Ky takim i sotëm është vetëm fillimi i një sërë hapash të përbashkëta që do të ndërmerren nga institucionet shqiptare, me përpjekjen për t’i dhënë vendin që meriton kontributit financiar që shqiptarët e emigruar bëjnë për mirëqenien e familjeve të tyre në Shqipëri dhe jo vetëm. Ky kontribut rezulton po kaq vital edhe për zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të vetë vendit.

Banka e Shqipërisë i ka konsideruar gjithmonë remitancat si faktor mjaft të rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe jo vetëm. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë mat dhe analizon statistikat e disponueshme, sikurse kryen vlerësime të natyrës josasiore që lidhen me shpërndarjen gjeografike të burimit të remitancave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në fokusin tonë, vijon të mbetet vlerësimi i faktorëve që ndikojnë në nivelin e remitancave dhe luhatshmërinë ciklike të rrjedhës së tyre në vite.

Për Shqipërinë, remitancat përfaqësojnë një burim të qëndrueshëm dhe të konsiderueshëm të hyrash, të cilat tejkalojnë edhe investimet e huaja direkte, duke përbërë në këtë formë një burim të qenësishëm financimi të rritjes ekonomike. Në këtë drejtim, edhe Banka e Shqipërisë i konsideron remitancat si një burim i rëndësishëm të ardhurash në ekonomi dhe me ndikim në bilancin e pagesave.

Të para në një këndvështrim më të ngushtë, remitancat vlerësohen të kenë një impakt domethënës në familjet shqiptare, në reduktimin e varfërisë dhe në përmirësimin e cilësisë së jetesës.

Edhe në rastin e Shqipërisë, studimet e kryera nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore tregojnë që të ardhurat e përftuara nga remitancat alokohen kryesisht për konsum, mjekim dhe arsimim, por edhe për kursim e investime, këto të fundit kryesisht në banim.

Veç sa më lart, Banka e Shqipërisë i trajton remitancat edhe nga këndvështrimi i kanaleve hyrëse të tyre në ekonominë shqiptare. Studimet më të fundit tregojnë se dominuese janë kanalet formale të dërgimit, kryesisht përmes institucioneve financiare që mundësojnë transferta parash, e më pak përmes atyre bankare. Ndërkohë, në nivele ende mjaft të larta është dërgimi i tyre në formën e parasë cash, e cila meriton një analizë të thellë.

Sipas vrojtimit të Bankës Botërore të kryer në vitin 2016, është arritur në konkluzionin se arsyet për përdorimin e ulët të kanaleve bankare janë kostot e larta të transferimit të parave, dhe se procedurat e transferimit vlerësohen të koklavitura. Për ta konkretizuar, sipas këtij studimi, kostot e dërgimit të remitancave në Shqipëri vlerësohen në 9.4% të shumës së dërguar, krahasuar me një mesatare të rajonit, në nivelin 7.2%.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që sa më shumë të rritet përdorimi i kanaleve financiare, aq më shumë rritet depërtimi i financave në ekonomi. Për më tepër, rritja e përdorimit të kanaleve financiare ndihmon në rritjen e përfshirjes financiare të popullatës, duke rritur mundësitë për kursime dhe investime sa më produktive.

Duke vlerësuar përfitimet që rrjedhin nga depërtimi formal i remitancave në ekonomi, dhe kontributin e deritanishëm të sektorit bankar dhe financiar, Banka e Shqipërisë sugjeron një vëmendje më të shtuar në drejtim të reduktimit të kostove të transfertave, dhe përmirësimit ose dizenjimit nga e para të produkteve dhe shërbimeve të dedikuara për këtë segment të popullatës. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë angazhohet në modernizimin e mëtejshëm të infrastrukturave të sistemeve të pagesave, apo përshtatjen e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian, në funksion të një tregu të hapur, pa barriera dhe konkurrues.

Dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë është angazhuar edhe në projekte konkrete me Bankën Botërore, të lidhura me remitancat dhe përfshirjen financiare.

I pari konsiston në një proces vlerësimi të përputhshmërisë me "Parimet e përgjithshme për shërbimet e remitancave ndërkombëtare", të hartuara nga Banka Botërore dhe Banka për Rregullime Ndërkombëtare, dhe në një plan-veprimi konkret, me shumë aktorë të përfshirë, për të përmbushur ato fusha ku ka ende nevojë për përmirësim.

Vlen të përmendet edhe projekti Greenback i Bankës Botërore, i dedikuar për remitancat dhe i zbatuar në disa vende të botës. Ky projekt tani vjen edhe në Shqipëri - si vend pritës remitancash - dhe synon rritjen e eficiencës në treg për dërgesat e emigrantëve, dhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit financiar, dhe ka mbështetjen e Bankës së Shqipërisë deri në përfundimin e tij.

Projekti tjetër konsiston në vlerësimin e përputhshmërisë me kriteret e përcaktuara në kuadrin e "Përfshirjes financiare nga këndvështrimi i pagesave". Ai synon që nëpërmjet përmbushjes së kritereve nga aktorët e përfshirë, të rritet numri i individëve apo bizneseve (kryesisht të vogla) që kanë llogari bankare apo llogari pagesash për të kryer transaksione të ndryshme.

Veç sa më lart, për të pasur një vështrim më të plotë të remitancave në të gjitha dimensionet, Banka e Shqipërisë angazhohet sot në kuadrin e këtij takimi të prodhojë një botim të dedikuar, i cili do të prezantohet në qershor të çdo viti, periudhë e cila përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Dërgesave në Para pranë Familjeve - 16 Qershorin.

Së fundmi, por jo për nga rëndësia, duke vlerësuar si tejet të rëndësishëm koordinimin mes autoriteteve shtetërore, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me sektorin privat, do të nënshkruajmë sot Memorandumin e Mirëkuptimit. Synimi i tij është rritja e ndërgjegjësimit, lehtësimi i dialogut dhe nxitja e bashkëpunimit të efektshëm midis palëve për çështje që kanë të bëjnë me kontributin e dërgesave në para nga emigrantët shqiptarë në diasporë, për zhvillimin e ekonomisë.

Këtë angazhim të përbashkët që po marrim sot, e vlerësoj si hapin e parë të domosdoshëm të një platforme zhvillimore për fuqizimin dhe përdorimin më efektiv të remitancave.

Duke mos dashur të zgjatem më shumë, në fund të fjalës sime, do të doja të theksoja edhe njëherë se ka ardhur koha që të tregojmë më shumë kujdes, vlerësim dhe mirënjohje për ata dhjetëra-mijëra bashkatdhetarë, të cilët mes sakrificash të shumta, vazhdojnë të kontribuojnë në mirëqenien e kombit tonë, duke sjellë pjesë të kursimeve pranë familjeve të tyre.

Ne inkurajojmë të gjithë industrinë bankare dhe aktorët e tjerë të sistemit financiar që të kontribuojnë në këtë iniciativë, me vizion dhe produkte konkrete, për vetë faktin se ju mund të luani një rol të veçantë në mobilizimin sa më efikas të remitancave.

Duke shprehur edhe njëherë mbështetjen dhe angazhimin tonë institucional për këtë iniciativë, shpreh sigurinë që ky do të jetë një dialog i vazhdueshëm për të lehtësuar çdo ndërmarrje në fushën e remitancave.