BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, në Konferencën e përbashkët për shtyp me Misionin e FMN-së dhe Ministrin e Financave

Data e publikimit: 30.07.2004

 

Drejtuesit dhe ekspertët e Bankës së Shqipërisë zhvilluan, gjatë periudhës 19-30 korrik 2004, bisedime intensive me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të udhëhequr nga z.Julio Escolano. Banka e Shqipërisë dhe Misioni i FMN-së arritën në konkluzionin se stabiliteti i treguesve makroekonomikë i viteve të fundit do të vazhdojë edhe për pjesën e mbetur të vitit 2004.

Sektori real i ekonomisë, mbështetur në të dhënat nga sektorët e industrisë, bujqësisë, ndërtimit, transportit dhe shërbimeve, pritet të shënojë një tjetër rritje të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) me rreth 6 për qind.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit (Inflacioni), që për muajin qershor shënoi 2.9 për qind, në fund të vitit 2004, nëse nuk do të ketë ndryshime thelbësore të faktorëve të ofertës dhe kërkesës, pritet të jetë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Monedha vendase ka qenë e vlerësuar ndaj valutave të huaja, politika fiskale po shkon sipas parametrave të parashikuar dhe agregatët monetarë janë të stabilizuar. Kreditimi i ekonomisë pritet të vazhdojë tendencën e rritjes me rreth 30 për qind në vit. Sistemi bankar, sipas deklaratës së fundit të Bankës së Shqipërisë vlerësohet i shëndoshë, i konsoliduar dhe me fitim në një periudhë disavjeçare.

Ecuria dhe pritshmëritë për nivele nën kontroll të inflacionit dhe stabilitetit të treguesve makroekonomikë, çuan Bankën e Shqipërisë në vendimin për të ulur me 0.25 për qind normën bazë të interesit për të katërtën herë brenda vitit 2004. Parashikimet tregojnë se inflacioni do të jetë i ulët gjatë periudhës afatmesme dhe situata monetare dhe ajo fiskale janë nën kontroll. Inflacioni i ulët ka kontribuar në ruajtjen e niveleve pozitive dhe të pranueshme të normave të interesit të lekut, duke ruajtur besimin e qytetarëve për të depozituar kursimet e tyre në monedhën vendase. Reduktimi i kostos së huamarrjes së lekut në ekonomi pritet të nxisë kreditimin në lekë, të ulë koston e borxhit të qeverisë dhe të lehtësojë presionet mbiçmuese të lekut, pa shkaktuar presione të forta negative mbi inflacionin.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë është ndjekur nga bankat e nivelit të dytë si në uljen e normave të interesit të depozitave, yieldin e bonove të thesarit dhe interesat e kredive.

Sa i përket zhvillimeve në kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë vlerëson se në periudhat afatmesme stabiliteti makroekonomik ka rritur besimin e publikut në monedhën vendase. Ndërkohë, faktorët kryesorë 'afatshkurtër' që supozohen të kenë ndikuar në vlerësimin e lekut gjatë muajve të fundit, janë rritja e prodhimeve bujqësore, të ardhurat nga turizmi dhe dërgesat e emigrantëve. Kushtet e favorshme klimaterike dhe investimet për sera kanë çuar në rritje të prodhimit të brendshëm bujqësor, ulje të çmimeve, ulje të kërkesës për importe bujqësore dhe ulje të kërkesës për valutë. Turizmi ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit dhe sezonin e këtij viti duket më i organizuar, duke shkaktuar rritjen e ofertës së valutës.

Gjatë Misionit janë diskutuar çështje të tjera në kuadër të Memorandumit të Politikave Ekonomike dhe Financiare dhe në emër të Bankës së Shqipërisë, dëshiroj të falenderoj Misionin dhe z.Escolano në veçanti, për bashkëpunimin e frytshëm me ekspertët tanë, vlerësimet pozitive dhe mbështetjen e vazhdueshme për Bankën e Shqipërisë.

* * *