BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Ministrit të Financave, z. Ridvan Bode, në konferencën e përbashkët për shtyp me Bankën e Shqipërisë dhe FMN në kuadër të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar, Hotel Tirana International, 15 dhjetor 2005

Data e publikimit: 15.12.2005

 

Dëshiroj që të theksoj se me këtë program, Shqipëria starton një prej reformave më cilësore të brezit të dytë, atë të reformimit dhe përsosjes së sistemit financiar bankar dhe jobankar. Kjo përbën dhe një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për ekonominë, por për të gjithë vendin. Kjo reformë, që synon ristrukturimin cilësor të sistemit financiar, sigurisht që është në të njëjtin raport me objektivat e vendit për përafrimin me Bashkimin Evropian dhe përbën një nga elementet më të rëndësishme, më delikate të të gjithë angazhimit tonë në këtë kuadër.

Dëshiroj të theksoj se qeveria në planin e strategjive të zhvillimit të vendit dhe në politikat ekonomike të saj, synon që gjithnjë e më shumë protagonizmi për zhvillimin e vendit të kalojë te iniciativa private, tek sektori privat dhe qeveria gjithnjë e më shumë të lëshojë pé, për të mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm, të balancuar dhe eficient të vendit tonë në perspektivë. Prirja e përvitshme e buxhetit të shtetit në konsumimin e kursimeve të popullatës dhe në përdorimin e burimeve financiare që vijnë nga kursimet për vitin 2005, do të thotë mospatja e një deficiti korent për shpenzimet e buxhetit dhe për vitin 2006 një ulje edhe më e madhe, me 0.2 për qind të PBB-së të nivelit të borxhit të brendshëm publik, përbën një politikë konstante për të zvogëluar rolin e buxhetit si konsumatori kryesor i tregut financiar.

Së dyti, përmes uljes së konsumit të drejtpërdrejtë të qeverisë në këtë sektor, përmes ruajtjes së normave të taksimit mbi konsumin, përmes zbutjes graduale të taksimit koorporativ, përmes zgjerimit të mundësive për të kredituar ekonominë private, ne mendojmë se janë krijuar kushtet dhe rrethanat që në Shqipëri tregu financiar të orientohet drejt strategjive që burojnë nga vetë tregu dhe jo drejt porosive apo rolit që vjen nga buxheti i shtetit apo nga protagonizmi i qeverisë në tregun financiar. Ne kemi objektiv rritjen e ndjeshme të pjesës së kursimeve të popullatës dhe burimeve financiare të sektorit bankar dhe jobankar drejt sektorit privat.

Viti 2005 shënon një rritje të qenësishme prej 15 për qind të kreditimit të ekonomisë private, por ne ende vazhdojmë të mbetemi vendi me nivelin më të ulët të kredive të dhëna për sektorin privat në raport me PBB-në, çka do të thotë se kjo reformë e filluar do të synojë rritjen e kapaciteteve për të kredituar drejt sektorit privat, drejt zhvillimit të ekonomisë reale.

Në kuadrin e programit të propozuar, ne na vjen mirë që qeveria dhe FMN-ja, arrijnë në të njëjtët objektiva dhe parametra. Për ne ka qenë dhe mbetet parësor përmirësimi i instrumenteve të shërbimit të fondit publik dhe në programin e qeverisë si dhe në kontaktet paraprake që kemi pasur me partnerët ndërkombëtarë, kjo ka përbërë një nga objektivat tanë kryesore për një veprim imediat.

Kushtet aktuale shumë të mira, pozicioni i llogarisë së qeverisë me një tepricë të ndjeshme, si dhe ekzistenca e një norme të lartë vjeljesh të të ardhurave fiskale na jep mundësinë për të ndërmarrë një reformë të thellë në drejtim të borxhit publik, reformë që synon të diversifikojë instrumentet e financimit të këtij borxhi, të hapë dhe të bëjë funksional tregun sekondar të letrave të bonove të thesarit, dhe po ashtu të mundësojë një përputhje në kohë midis bonove të lëshuara dhe qëllimit të lëshimit të tyre, investimeve publike për të cilin destinohet në tërësi borxhi publik në Shqipëri.

Fakti që ne tashmë jemi në gjendje që të bëjmë një përputhje të plotë midis nevojës për borxh publik dhe adresimit të tij vetëm për qëllime të investimeve publike, na krijon mundësinë që të kemi të përvijuar në kohë një shërbim eficient të borxhit publik me një kosto më të ulët për qeverinë në shërbimin e këtij borxhi publik.

Ne kemi ngritur strukturat tona në Ministrinë e Financave, sipas funksioneve të reja që kemi marrë dhe që janë sanksionuar tashmë, dhe presim që me FMN-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë të formulojmë një program cilësor të shërbimit të borxhit publik të ngjashëm me atë të vendeve të tjera, të cilët kanë bërë progres të dukshëm dhe janë pjesë e BE-së edhe pse kanë qenë vende të lindjes.

Në kuadrin e këtij projekti ne na vjen mirë që prioriteti që ka vendosur FMN-ja për përmirësime cilësore në mbikëqyrjen dhe funksionimin e sistemit financiar jobankar, të jetë në të njëjtën gjatësi vale me shqetësimin tonë që ky sektor ka nevojë për më shumë siguri dhe për një zhvillim më koherent me zhvillimin të tërësi të ekonomisë së vendit.

Ne jemi duke përfunduar projektin tonë për unifikimin e mbikëqyrjes dhe për forcimin e standardeve të mbikëqyrjes, çka do të thotë që sistemi financiar jobankar, tregu i sigurimeve, i pensioneve dhe një sërë instrumentesh të tjera që funksionojnë në këtë treg, të mund të jenë në një zhvillim të garantuar pozitiv dhe të mos shkaktojnë rrezik për stabilitetin monetar, financiar dhe stabilitetin ekonomik të vendit të tërësi.

Ne gjejmë veten në këtë projekt edhe në angazhimin tonë për të minimizuar dhe eliminuar informalitetin e zgjeruar që ka ekonomia shqiptare dhe për të marrë masa konkrete në parandalimin e pastrimit të parave të gjithë sektorit financiar, çka përbën një angazhim parësor për qeverinë dhe një shqetësim të shprehur disa herë nga partnerët ndërkombëtarë. Në tërësi, mendoj se fillimi i këtij programi na gjen të gatshëm për të ndërmarrë reforma të sigurta dhe cilësore dhe që do të kenë një sukses të garantuar. Me këtë rast shpreh angazhimin e plotë të Ministrisë së Financave dhe të qeverisë për të kontribuar në ndërtimin e një sistemi financiar modern.

Faleminderit !