BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatores Ahmetaj në Ceremoninë e Prezantimit të Serisë së re të Kartëmonedhave Shqiptare

Data e publikimit: 12.09.2019

 

Të nderuar miq e të ftuar,

Sot ju kemi ftuar në ambientet e Bankës së Shqipërisë në atributin që ky vend ka si “shtëpia e parasë”, në kuptimin figurativ, por edhe fizik të fjalës (duke qenë se ndodhemi pranë arkës së vjetër). Sot ju kemi ftuar të kremtojmë të dyja dimensionet e parasë, atë të vlerës si mjet këmbimi dhe atë të një vepre autentike arti.

Që në fillimet e prodhimit të kartëmonedhave të para, procesi paraprihej nga një konkurs për dizenjimin. Një i tillë e paraprin ende sot procesin për realizimin e kartëmonedhës tonë. Dizenjimi duhet të plotësonte tre kritere:

  • të ishte punë origjinale, e papublikuar më parë,
  • të ishte kombëtar në karakter,
  • të përmbante një teknikë të tillë linjash të komplikuara imët, që të ishte tepër e vështirë për t’u replikuar. Kjo kërkesë i atribuohej elementeve të sigurisë të kartëmonedhës si bartëse vlere.

Të tria mbeten të vlefshme për kartëmonedhën tonë. Kjo sepse, që në gjenezë kartëmonedha është konceptuar jo vetëm si mjet këmbimi, por edhe si pjesë e identitetit të një kombi. Ndaj numizmatët, në kartëmonedha, arrijnë të dallojnë edhe ndryshimin e epokave, shkallën e lirisë apo të ndërvarësisë sociale. Sepse, shpesh, sidomos në sisteme diktatoriale, dizenjimi i kartëmonedhave manifeston ndikimet e qeverive mbi tregjet. Mungesa e këtyre ndikimeve është një dimension i lirisë sociale.

Koha ka treguar se asgjë nuk e ka cenuar misionin edukues e kombëtar të kartëmonedhës. Ajo vazhdon ta mbartë atë, duke i rezistuar, edhe për këtë arsye, formave të tjera të parasë.

Seria e lekut është pasuruar ndër vite me prerje të reja, si një funksion i të ardhurave mesatare në Shqipëri, standard ky ndërkombëtar, duke mundësuar një strukturë të përshtatshme për përdoruesit, por kufizim të thesarizimit për qëllime të paligjshme. Së fundmi, ajo është pasuruar me kartëmonedhën me vlerën nominale më të lartë, 10,000 Lekë, e cila është në proces prodhimi dhe parashikohet të hidhet në qarkullim në vitin 2020.

Seria aktuale e kartëmonedhave daton prej vitit 1996, dhe mban si tematikë evokimin e epokave të historisë së kombit shqiptar, përmes paraqitjes së portreteve të personaliteteve simbol të tyre, të cilët kanë lënë gjurmë në kujtesën kombëtare.

Banka e Shqipërisë vendosi ta ruajë këtë tematikë edhe në serinë e re, e cila përfaqëson një evoluim dhe përmirësim të serisë aktuale. Ky variant u preferua ndaj zgjedhjes së një tematike të re, jo vetëm sepse familjariteti me serinë aktuale konsiderohet i rëndësishëm për besueshmërinë e publikut, por edhe sepse ruan lidhjen emocionale me përmbajtjen e figurës.

Është për këtë arsye që në serinë e re kemi të gdhendur portretet e Naim Frashërit, Ismail Qemalit, Pjetër Bogdanit, Mbretit Gent, Skënderbeut, duke u përmbyllur me autorin e Himnit të Flamurit, Asdrenin, në kartëmonedhën me prerje 10,000 Lekë.

Në secilën prerje të serisë së re ka një bashkëveprim të qartë dhe harmonik ndërmjet portretit dhe pjesës së pasme të kartëmonedhës. Portretet zënë një pjesë të mirë të secilës kartëmonedhë dhe kanë rezultuar të përshtatshme për t’u gdhendur në shtypin me reliev. Ndërsa, në prerjet 200 dhe 500 Lekë është përmirësuar dukshëm pamja e portreteve të Naim Frashërit dhe Ismail Qemalit.

Të dyja faqet e kartëmonedhave janë rikonfiguruar në tërësi dhe janë pasuruar me elemente të shtuara ose të përmirësuara të sigurisë. Ngjyrat dominuese janë ruajtur, por janë përmirësuar duke qenë më të gjalla dhe më të ekuilibruara për syrin. Kompozimi i secilës kartëmonedhë më vete ruan harmoninë me të gjithë serinë.

Qëllimi i përgjithshëm ka qenë krijimi i një serie kartëmonedhash të thjeshta në përdorim, moderne, por që ruan balancën me traditën. Personalizimi dhe jo unifikimi i disa prej elementeve të sigurisë për çdo prerje është një risi. Përmasat e reduktuara i bëjnë kartëmonedhat më të përshtatshme për përdorim.

Një vëmendje e veçantë në krijimin e kartëmonedhave të reja i është kushtuar dhe kategorisë së personave me aftësi të kufizuara në shikim. Paraqitja e vlerës nominale në çdo anë të kartëmonedhës është më e lexueshme, përmasat e secilës prerje janë të diferencuara dhe në skajet e kartëmonedhës do të vazhdojnë të jenë të pranishme elemente me reliev, të dallueshme me anë të prekjes.

Seria e re sjell për herë të parë në duart e publikut shqiptar kartëmonedhën në polimer. Ky material plastik, i cili ka dëshmuar të jetë më jetëgjatë në përdorim krahasuar me letrën me përmbajtje pambuku, u zgjodh të përdorej për kartëmonedhën 200 Lekë, për shkak të konsumit më të lartë dhe cilësisë më të ulët, të evidentuar për këtë prerje gjatë viteve. Kartëmonedhat në polimer janë më rezistente ndaj ndotjes dhe lagështirës, por gjithashtu më të sigurta dhe të vështira për t’u falsifikuar, pasi lejojnë ndërfutjen e një sërë elementesh të avancuara të sigurisë, ndërmjet të tjerave, dhe dritare të tejdukshme në formën e sipërfaqeve pa shtyp.

Është e rëndësishme të theksoj se kartëmonedhat ekzistuese, të të gjitha prerjeve, do të vijojnë të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e reja. Ato do të vazhdojnë të kenë kurs ligjor dhe të shërbejnë si mjet pagese.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Imazhet e kartëmonedhave tona intuitivisht na duken familjare, e megjithatë, studimet tregojnë se edhe në vendet më të zhvilluara, pak njerëz janë në gjendje të dallojnë se çfarë figure është dizenjuar mbi secilën kartëmonedhë.

Pikërisht për të forcuar marrëdhënien emocionale të publikut me kartëmonedhën tonë, si pjesë e identitetit kombëtar, Banka e Shqipërisë do të angazhohet në ditët në vijim në një fushatë intensive mbarëkombëtare për prezantimin e serisë së re të kartëmonedhave.

Fushata, që nis sot, do të ketë në fokus familjarizimin e publikut me pamjen e re të parasë, njohjen e detajuar të të gjitha elementeve të sigurisë që përmban çdo prerje, si dhe mënyrat e identifikimit të tyre, forcimin e kulturës së mirëmbajtjes së kartëmonedhave me qëllim rritjen e jetëgjatësisë së tyre, dhe, jo më pak e fokusuar, leximin e mesazheve që vijnë artistikisht prej dizenjimeve për forcimin e ndërgjegjes kombëtare.

Së fundmi, uroj që puna jonë për këtë seri të re të kurorëzohet me sukses. I vetmi tregues për të matur këtë sukses është publiku, tek i cili ne synojmë të përcjellim emocione të identitetit kombëtar, përmes një kartëmonedhe dinjitoze, të krijuar nga emrat më prestigjiozë e më të vjetër të kësaj industrie, siç janë G&D, De La Rue dhe Oberthur, logoja e të cilëve e ka shoqëruar paranë tonë qysh prej emetimit të saj të parë.