BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatores Ahmetaj në forumin “Empowering financial inclusion through financial education”, organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave dhe Banka e Shqipërisë

Data e publikimit: 29.06.2018

 

Si përfaqësuese e Bankës së Shqipërisë, ndihem mirë të jem pjesë e kësaj konference, sepse Banka e Shqipërisë është ndër bankat qendrore pioniere në rajon për përfshirjen konkrete në edukimin financiar të publikut.

Ka një arsye detyruese për këtë angazhim: për cilindo që jeton në një ekonomi tregu, marrja e vendimeve të duhura financiare është një aftësi thelbësore për mirëqenien jo vetëm individuale, por dhe shoqërore. Sepse, të njëjtat aftësi, orientojnë njëkohësisht vendimet që individët marrin si qytetarë, duke ndihmuar kështu në formësimin e një ekonomie të mirë.

Vitet e fundit ka një zhvendosje të theksit, nga një edukim tradicional mbi ekonominë, në njohuritë mbi financat. Kjo sepse sofistikimi i produkteve dhe shërbimeve financiare, si dhe përfshirja gjithnjë e më shumë e fintech në këtë industri, e bën më urgjente këtë nevojë.

 DSC5518-2 - 498

Dhe, nga nevoja për më shumë njohuri, nuk përjashtohet askush, as vetë ne që punojmë në këtë industri. Për shembull, edhe për ne mund të ketë nevojë për sqarime mbi një kontratë hipotekare.

Po kështu, zgjerimi i tregut financiar me produkte të reja, siç janë fondet e pensioneve, sigurimet shëndetësore dhe të aseteve, po e zhvendosin gjithnjë e më shumë nevojën për mbrojtje financiare afatgjatë, nga bizneset tek individët, duke i bërë njohuritë financiare më të nevojshme për ta.

Mbetet mjaft me vend koncepti i thjeshtë i Alfred Marshall për ekonomiksin, si një studim i njerëzimit në biznesin e jetës. Kjo do të thotë se nëse duam të kemi një ekonomi të fortë, duhet të ndihmojmë njerëzit të përdorin njohuritë e ekonomisë në funksion të jetës së tyre të përditshme, të asaj që ai e quan “biznes i jetës”.

Aktiviteti i Bankës së Shqipërisë për edukimin financiar të publikut fillon me synimin për ta zhveshur bankën nga tisi i misterit që e ka rrethuar historikisht aktivitetin real të një banke qendrore. Në këtë mënyrë, ajo synon të ndërtojë dhe forcojë besimin që publiku ka tek vendimet dhe veprimet e saj.

Kjo ka nisur me hapjen e dyerve të bankës për publikun në aktivitete të ndryshme si dhe, veçanërisht, në krijimin e një muzeu me fakte dhe artefakte, mbi rrënjët e krijimit dhe të sotmen e sistemit monetar shqiptar. Ai muze është bërë pjesë e krenarisë sonë në sytë e vizitorëve.

Nga vendet e përfshira më herët dhe aktivisht në përgjegjësinë për edukimin financiar të publikut vijnë disa përvoja të vlefshme për ne, që jemi ende në hapat e parë të këtij procesi, gjithnjë e më kërkues.

Kjo përvojë tregon se suksesi fillon me përfshirjen në proces të niveleve më të larta drejtuese, siç është guvernatori, ministri, e të tjerë drejtues të institucioneve qendrore financiare dhe të edukimit. Sepse gjatë rrugës ka nevojë për burime njerëzore dhe financiare dhe ndaj, mbështetja e personave vendimmarrës është dyfish e domosdoshme. Përfshirja personalisht e Guvernatorit dhe Ministres së Arsimit në javën e parasë dhe më gjerë, dëshmon një përvetësim të qartë të kësaj përvoje.

Është po kjo përvojë, që na ka treguar se, komunikimi për të qenë eficient, duhet t’i drejtohet një audience sa më të gjerë. Pra, sa më shumë aktivitete që flasin shqip dhe me gjuhë të thjeshtë për publikun dhe, sa më shumë media që e përcjellin këtë komunikim. Takimet me agjentët financiarë, konferencat për shtyp, intervistat për publikun dhe leksionet e hapura, janë instrumente të përdorura gjerësisht në këtë kontekst nga Banka e Shqipërisë, por që, natyrisht, kanë nevojë të intensifikohen e të vijnë më thjesht në publik.

Bashkëpunimi me sa më shumë partnerë është një tjetër nevojë e këtij procesi. Dhe këtu, institucione me reputacion, si Banka e Shqipërisë, marrin rol qendror, për shkak se ato kanë më shumë aftësi të mbledhin organizata e individë kontribues në salla sa më të hapura për të gjithë. Banka e Shqipërisë e ka përdorur fort këtë aset.

Ajo, me përfshirjen aktive të Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe partnerëve ndërkombëtarë, mbledh së bashku në salla konferencash, disa herë në vit, ekspertë, grupe të ndryshme interesi dhe përfaqësues të gjithë mediave, në mënyrë që të ndihmojë në kultivimin e mendimit ekonomik, të shpjegojë politikat e saj dhe të sjellë për publikun shqiptar zhvillimet më të fundit në arenën e debatit ekonomik botëror.

Edukimi financiar, si çdo edukim i qëndrueshëm, ka nevojë për sa më shumë literaturë e materiale didaktike, por që të jenë së pari lehtësisht të kuptueshme për mësuesit. Mësuesit, në cilindo nivel arsimor janë përçuesit më të mirë të këtij informacioni, jo vetëm për shkak të kontaktit në shtrirje kohore, por, sidomos, për shkak se i adresohen brezit të ri.

Përgjatë më shumë se një dekade, falë edhe bashkëpunimit të pakursyer nga ana e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për të cilin gjej rastin, në emër të Bankës së Shqipërisë, të falënderoj zj. Ministre, ne kemi zhvilluar seminare për mësuesit e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare dhe kemi hartuar tekstin mësimor për gjimnazin “Financat personale në duart tuaja”- teksti për mësuesin dhe nxënësit. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka hartuar dhe një sërë broshurash të cilat janë në dispozicion të publikut, si: Ç’është për ju stabiliteti i çmimeve?; Ndërtoni të ardhmen - planifikoni të ardhurat tuaja; Mësime të shkurtra mbi paranë; etj.), si dhe ka organizuar konkurse të shumta për nxënës e leksione të hapura për studentë.

Eksperienca na ka orientuar që metodat e përdorura për përçimin e njohurive duhet të jenë sa më argëtuese, në mënyrë që të aksesohen pa sforcim nga publiku, si dhe të griset tisi i përfytyrimit hijerëndë të botës së financave. Botimi i Bankës së Shqipërisë “1,2,3 derrkuci Çufo mëson të kursejë” dedikuar fëmijëve të ciklit fillor, është një sukses në këtë aspekt, por që duhet shoqëruar me të tjera të këtij lloji.

Përfshirja e sa më shumë kontribuuesve dhe trupëzimi i këtij misioni në të gjitha aktivitetet tona të përditshme, dhe jo vetëm me fushatë, i shërben të gjithëve. Por, në mënyrë të veçantë, procesi i edukimit të publikut është shumë i rëndësishëm për vetë Bankën Qendrore.

Kjo:

  • jo vetëm sepse një publik më i edukuar merr vendime më eficiente për stabilitetin financiar,
  • jo vetëm sepse bëhet më i përfshirë në tregun financiar, duke e bërë më efikas për politikën monetare përdorimin e normës bazë të interesit si instrument të saj,
  • jo vetëm se përdorimi racional i produkteve financiare të depozitave dhe kredisë e bën më harmonik planifikimin afatgjatë të konsumit e ndaj, më stabël çmimet,
  • por, sepse përmes këtij edukimi, ajo ka mundësi të shpjegojë për publikun ç’do të thotë pavarësi e bankës qendrore dhe pse ajo është element esencial i aftësisë së saj për përmbushjen e misionit si autoritet i politikës monetare.

Përmes edukimit financiar të publikut, Banka e Shqipërisë e ka më të lehtë të komunikojë në mënyrë të kuptueshme vendimet e politikes monetare, veprimet e mosveprimet, qëllimin dhe strategjinë për arritjen e tij. Vetëm përmes këtij edukimi, publiku ndërton besimin tek banka qendrore dhe kupton pse stabiliteti i çmimeve, që përbën objektivin parësor të saj, është në fund të fundit një e mirë publike.

Duhet të jemi të qartë në misionin tonë: ne nuk synojmë t’i tregojmë publikut se çfarë duhet të mendojë apo të vendosë për çështjet e ndryshme, por thjesht, t’i ofrojmë atij një set njohurish mbi bazën e të cilave ai të bëjë vlerësime e të marrë vendimet e tij.

Sepse një individ me më shumë njohuri mbi ekonominë dhe financat:

  • jo vetëm është në gjendje të orientohet më mirë në tregun e punës,
  • jo vetëm është në gjendje të marrë vendime më racionale për të krijuar pasurinë e tij e, rrjedhimisht, të vendit,
  • por ai do të jetë më i përgjegjshëm edhe në rolin e tij si votues, si konsumator, si taksapagues, detyra këto mjaft të rëndësishme për çdo qytetar.

Po a ka një tregues me të cilin të matim efektivitetin e procesit të edukimit financiar të publikut?

Mund të ketë disa, por më i qarti dhe më i prekshmi është një: përfshirja financiare. Ky tregues për Shqipërinë flet për një nivel të ulët të këtij edukimi. Ndaj, jemi edhe sot këtu: për ta diskutuar e përmirësuar.

Banka e Shqipërisë kujdeset që sistemi të sigurojë shërbimet financiare dhe akses në kredi në mënyrë sa më të drejtë. Për këtë, ajo nga njëra anë rregullon dhe mbikëqyr sistemin dhe, nga ana tjetër, angazhon mjaft kapacitete të vetat në fushën e edukimit ekonomik dhe financiar.

Rregullimi ka pjesë të vetën edhe sigurimin e trajtimit të drejtë të klientëve nga ana e bankave, duke mundësuar që ato t’i shërbejnë gjithë komunitetit, përfshirë këtu grupet me të ardhura të ulëta.

Nëse përfshirja financiare vjen duke u përmirësuar, do të thotë se publiku po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e sistemit financiar, po përdor produktet e tij, po jep kështu kontributin e tij për zgjerimin e ndërmjetësimit financiar.

Nëse ky ndërmjetësim zgjerohet, ekonomia po ushqehet me fonde, projekte të reja po jetësohen, potenciali i ekonomisë po zgjerohet. A nuk është qëllimi final rritja e mirëqenies për të gjithë?

E pra, le të kuptojmë se edukim financiar do të thotë rritje e mirëqenies për të gjithë. Kjo do na bëjë të gjithëve më aktivisht të përfshirë në këtë proces.