BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatores Ahmetaj në konferencën rajonale “Planifikimi i rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme”

Data e publikimit: 15.11.2018

 

Të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë të organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe FINSAC, partneri ynë i çmuar në rrugën drejt zhvillimit,

Kriza financiare e vitit 2008 do të vijojë të shërbejë si pikënisje e diskutimeve tona, pasi shumë nga përpjekjet tona të sotme e kanë zanafillën pikërisht nga kjo periudhë. Kjo krizë ishte një test i ashpër për aftësinë e shtetit në menaxhimin e krizave në nivel kombëtar dhe ndërkufitar. Ky test bëhet edhe më domethënës për aftësinë globale, nëse sjellim në vëmendje se kriza e fundit lindi në vendet e zhvilluara, por u reflektua në vendet në zhvillim përmes efektit zinxhir.

#498DSC 4623

Me qëllim ruajtjen e shërbimeve financiare bazë për qytetarët dhe bizneset, qeveritë u detyruan të përdornin fondet publike, duke injektuar para dhe lëshuar garanci për institucionet financiare në vështirësi, në nivele të paprecedenta. Në periudhën tetor 2008 - tetor 2011, Komisioni Evropian aprovoi 4.5 miliardë euro nga fondet publike në ndihmë të institucioneve financiare. Natyrisht, kjo mbështetje vlejti për të kufizuar të paktën në afatin e shkurtër, falimentimin masiv të bankave dhe rrënimin e ekonomisë reale, por nga ana tjetër ngarkoi taksapaguesit me barrën e financave publike të përkeqësuara. Kjo situatë e detyruar përforcoi më shumë nevojën për të reflektuar mbi mbrojtjen e taksapaguesve dhe financave publike në kohë krize, pa cenuar përmbushjen e interesit publik. Reflektimi shërbeu për nxitjen e diskutimit të domosdoshëm mbi përshtatshmërinë e rregullimit të tregjeve financiare në përballimin e krizave, ku u evidentuan dy mungesa të rëndësishme në kornizën rregulluese:

#350DSC 4651

#350DSC 4675

Së pari, legjislacioni bankar vendoste rregulla të qarta për hyrjen me rregull në treg të pjesëmarrësve të rinj, por nuk përcaktonte kërkesat detyruese për daljen me rregull nga tregu të pjesëmarrësve me probleme. Tashmë pas krizës, pothuaj të gjithë bien dakord se mungesa e regjimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme që mundëson një dalje të zbutur dhe me rregull nga tregu të bankave problematike, detyroi qeveritë të përdornin fondet publike. Së dyti, niveli i lartë i integrimit financiar bëri që goditjet e brendshme në një vend të transmetohen përtej kufijve në vende të tjera, duke u kthyer në problem global.

Analiza pas krizës financiare motivoi Bashkimin Evropian të shqyrtojë çështjet e rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka dhe të konsiderojë përforcimin e bashkëpunimit ekzistues ndërkufitar, për të reflektuar më mirë shkallën e integrimit të tregjeve financiare. Sot, Unioni Bankar në Evropë ka prezantuar rregulla të harmonizuara për ndërhyrjen e jashtëzakonshme, për të gjithë Bashkimin Evropian dhe një aplikim të unifikuar për Eurozonën. Më specifikisht, legjislacioni i Bashkimit Evropian ka aktivizuar Direktivën Evropiane për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme për të gjitha vendet anëtare, si dhe ka krijuar Mekanizimin e Unifikuar për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Eurozonë.

#350DSC 4696

#350DSC 4677

Direktiva Evropiane për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme krijon instrumente për ndërhyrje parandaluese dhe të hershme në një bankë, të dizenjuara për të penguar falimentimin e saj, si dhe instrumente për të siguruar ndërhyrjen me rregull kur banka po falimenton, në kuadër të mbrojtjes së interesit të publikut. Ligji i ri i zëvendëson procedurat standarde të likuidimit të bankës, me ato të ndërhyrjes së jashtëzakonshme nga autoriteti përkatës. Falimentimi i bankave dhe krizat financiare mund të jenë fenomene të zakonshme, por që mbeten shumë të kushtueshme. Kostot në disa raste zënë edhe 40-60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke përfshirë humbjen në depozita, dobësimin e aksesit në financim apo humbjen e besimit të publikut në sistemin financiar, që zvogëlon kapacitetin e tij për mbështetjen e rritjes ekonomike dhe uljen e varfërisë. Gjithashtu, procedurat standarde të falimentimit për bankat dëshmuan se ishin të papërshtatshme në kohë krize, pasi nuk adresojnë rrezikun sistemik, nuk sigurojnë vijueshmërinë e funksioneve kritike dhe as mbrojtjen e depozituesve. Këto procedura kërkojnë kohë, negociata të gjata si dhe marrëveshje të komplikuara me kreditorët, të cilat mund të dëmtojnë dhe të zvogëlojnë më tej vlerën e aktiveve të bankës në stres financiar, duke sjellë pasoja të rënda për ekonominë reale.

#498DSC 4749 - Copy

Për këtë qëllim, ligji i ri për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme pajis autoritetet mbikëqyrëse dhe të ndërhyrjes së jashtëzakonshme me kapacitetin ligjor dhe instrumentet e nevojshme, për ristrukturimin e operacioneve të bankës, nëse falimentimi i mundshëm i saj rrezikon stabilitetin financiar ose minon objektiva të tjera të rregullatorit. Qëndrimi është i qartë: nga njëra anë, kemi interesin publik për stabilitetin financiar dhe nga ana tjetër, kemi aksionarët e bankës, të cilët me vullnetin e tyre kanë ndërmarrë riskun e biznesit duke investuar në bankë. Nëse aksionarët do të mbështeten në mundësinë e garancisë së nënkuptuar të shtetit ndaj bankave, kjo përbën rrezik moral nga ana e tyre, duke i shtyrë drejt ndërmarrjes së një risku të lartë. Zbatimi i ligjit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme eliminon formalisht bazën për këtë pritshmëri garantimi.

Midis kostove që shkakton falimentimi i një banke, kontaminimi përbën ndoshta koston më të lartë, sepse e shndërron problemin në një bankë, në problem për të gjithë sektorin bankar. Ai mund të ndodhë për dy arsye: për shkak të efektit domino të ekspozimit të një banke ndaj një banke tjetër, si dhe për shkak të përhapjes së panikut në publik, që sjell tërheqje masive të depozitave. Ky kanal është veçanërisht më i theksuar për ekonomitë në zhvillim, ku kontaminimi është më i shpejtë për shkak të kulturës së dobët financiare, mungesës historike të falimentit të bankave, si dhe pranisë së institucioneve më të dobëta. Në këtë kontekst, regjimi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme shërben si një mjet për rivendosjen e disiplinës në treg dhe shmangien e fenomenit të kontaminimit. Në thelb, ndërhyrja e jashtëzakonshme është pjesë integrale e mbikëqyrjes bankare që aplikohet në stadin e fundit të jetës së një banke, në rast se masat e marra gjatë stadit të mbikëqyrjes standard apo të mbikëqyrjes intensive, dështojnë të përmirësojnë situatën në një bankë me probleme.

Procesi i hartimit të regjimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme u shoqërua me përforcim të kërkesave rregullative mbikëqyrëse, që synojnë rritjen e qëndrueshmërisë së bankës ndaj goditjeve dhe forcimin e strukturës së vetë tregut financiar për shmangien e rrezikut moral. Pas krizës financiare, ekspertët arritën në përfundimin se nuk ka model banke që përshtatet mirë apo keq në kohë krize. Modelet e ndryshme të bankave që dështuan, tregojnë se problemi buron nga marrja e një niveli të lartë risku, financimi përmes burimeve afatshkurtra dhe mbrojtja e pamjaftueshme që ofron kapitali, madje edhe kur kërkesat minimale janë të përmbushura. Ky përfundim është përkthyer në rritje të kërkesave mbikëqyrëse për sasi dhe cilësi të kapitalit dhe të likuiditetit, si dhe kufizim të levës financiare dhe të mospërputhjeve në maturim midis aktiveve dhe detyrimeve të bankës. Të gjitha këto kërkesa do të plotësohen nga sektori bankar në një kornizë të përcaktuar afatmesme.

Masat rregullative janë shoqëruar edhe me konsensus për nevojën e reformave strukturore të sistemit financiar, që do të thotë, ndarje të aktiviteteve me risk të spekulimit financiar nga aktiviteti i mbledhjes së depozitave, si dhe trajtimi i problemit të bankave shumë të mëdha për të falimentuar, përmes dekurajimit të rritjes së tepruar të tyre. Leksioni më i madh i krizës financiare ishte se rregullat mikro të mbikëqyrjes bankare nuk mjaftojnë për mbrojtjen e stabilitetit financiar, për shkak se sistemi si i tërë sillet ndryshe nga pjesë të veçanta të tij. Në përpjekje për të siguruar veten e tyre, institucionet financiare mund të ndërmarrin sjellje që dëmtojnë kolektivisht stabilitetin financiar. Aktiviteti bankar zhvillohet me ciklet e veta, të njohura si cikle financiare, të cilat mund të përkeqësojnë ciklin e biznesit të ekonomisë reale. Bankat ekspozohen ndaj goditjeve të përbashkëta makroekonomike, të cilat i dobësojnë njëkohësisht, duke cenuar stabilitetin financiar. Kuptimi i këtij leksioni diktoi nevojën e mbikëqyrjes makroprudenciale krahas asaj mikroprudenciale. Ndër instrumentet më efektive të mbikëqyrjes makroprudenciale janë kërkesat për krijimin e shtesave kundërciklike në kapital, që shërbejnë si mburojë ndaj krijimit të çekulibrave sistemikë, si dhe shtesave në kapital për bankat sistemike të cilat duke qenë mjaft të mëdha, shkaktojnë kosto sociale përtej përmasës individuale. Përmes këtij kompozimi të ri të kapitalit, instrumentet makroprudenciale menaxhojnë riskun sistemik para materializimit të tij, duke ulur probabilitetin e ndodhjes së ngjarjes, si dhe pas materializimit të tij, duke minimizuar humbjet që përthithen nga niveli më i lartë i kapitalit.

Por ka ende shumë për të bërë.

Prej kohësh është kuptuar se integrimi më i thellë financiar sjell edhe funksionim më të mirë të Bashkimit Evropian. Gjithsesi, integrimi financiar tregoi që është i cekët dhe i kthyeshëm dhe pas krizës financiare, fragmentimi mori peshë ndaj centralizimit dhe integrimit. Masat e ndërmarra për kufizimin e likuiditetit brenda secilit vend, përmirësuan çështjen e stabilitetit financiar kombëtar, por neglizhuan efektin negativ ndaj vendeve të tjera. Bashkimi Bankar i adresoi këto papërshtatshmëri duke përqendruar politikat financiare kombëtare në nivel qendror dhe duke synuar përmbushjen e dy objektivave: sigurimi i shëndetit të bankave dhe nxitja e një integrimi më të thellë të sektorit bankar.

Mbikëqyrja Qendrore Evropiane luan një rol të rëndësishëm për këto objektiva. Një mbikëqyrje më e fortë dhe uniforme rrit qëndrueshmërinë e bankave dhe i pajis ato me një kornizë politikash më koherente për bankingun ndërkufitar, duke sjellë përfitime në krahasim me sistemin e fragmentuar të mbikëqyrjes kombëtare. Mario Draghi thotë: “le të mos harrojmë, se fragmentimi fillon me vendimin e bankave për të mos operuar në rajone ku raporti risk-fitim në kredidhënie gjykohet i pamjaftueshëm për të shpërblyer kapitalin e investuar prej tyre.”

Këshillat e mbikëqyrësve për bankat pas krizës mbeten të njëjta: ato duhet të përshtatin modelin e biznesit që rezulton më efektiv dhe rentabël, të përmirësojnë menaxhimin e riskut dhe të menaxhojnë pastrimin e bilancit nga aktivet me probleme të trashëguara. Me gjithë progresin e bërë, këto detyra mbeten ende për t’u përfunduar dhe tani është koha më e përshtatshme për t’i realizuar. Korniza rregullative është më e qartë dhe e plotësuar (po fillon zbatimi i Bazel III), mbikëqyrja është më e qartësuar në aspektin e metodologjive dhe politikave dhe aplikimi i FinTek zbulon rrugë të reja të të bërit biznes eficient për bankat. Së fundi dhe shumë e rëndësishme, korniza makroekonomike përgjithësisht është e stabilizuar dhe rritja ekonomike pozitive dhe e qëndrueshme.

Korniza e prezantuar më lart përbën një shtrat të mirë për mbylljen e sfidave të mbetura nga postkriza. A është i nevojshëm adoptimi i standardeve ndërkombëtare për ruajtjen e stabilitetit financiar? Përgjigjja është po, sepse globalizimi dhe ndërlidhja e sektorit bankar kanë nevojë për standardizim të rregullimit prudencial. Gjithsesi, gjatë adoptimit të standardeve ndërkombëtare është e rëndësishme të mbahen parasysh dy çështje: Së pari, këto standarde duhet të përshtaten me nivelin e zhvillimit të vendit, duke e kalibruar sipas kushteve të brendshme. Së dyti, standardet ndërkombëtare paraqesin një minimum kërkesash, duke e lënë në diskrecionin të vendeve individuale ndërmarrjen e kërkesave më të shtrënguara.

Modeli i integrimit global është modeli ekonomik që ka ndjekur edhe shumica e vendeve në tranzicion, si Shqipëria. Nën këtë orientim, tregu bankar shqiptar ka dëshmuar vullnet dhe objektiva të qarta për një integrim sa më të shpejtë në kuadrin ligjor të sistemit bankar të Bashkimit Evropian si dhe të ndryshimeve të rëndësishme që ai ka pësuar pas vitit 2008. Megjithëse në historinë e sektorit bankar shqiptar nuk ka raste falimentimi të bankave, ne evidentuam të njëjtat boshllëqe në legjislacionin tonë bankar, sikurse edhe ekonomitë e tjera evropiane. Duke ndërtuar skenarë hipotetikë për përballimin e një ekspozimi potencial të ekonomisë shqiptare ndaj krizës së borxhit sovran grek, u evidentua se Banka e Shqipërisë, si autoriteti mbikëqyrës për sektorin bankar, nuk kishte gjithë instrumentet e duhura ligjore për menaxhimin e situatave të paaftësisë paguese në bankat me rëndësi sistemike. Kjo nevojë për një kuadër të ri ligjor adresohej në të gjitha aspektet, ato kombëtare dhe ndërkufitare, nga Direktiva Evropiane për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në banka. Në fakt, përpjekjet fillestare për përgatitjen dhe paraqitjen e planeve të para të rimëkëmbjes pranë Bankës së Shqipërisë, e kanë zanafillën në vitin 2012. Udhëzuesi përkatës u miratua nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në vitin 2014. Por, natyrisht, këto ishin përpjekje brenda autoritetit ligjor mbikëqyrës dhe si të tilla, nuk mjaftonin. Për këtë arsye, gjatë vitit 2015, me mbështetjen e projektit FinSac të Bankës Botërore, Banka e Shqipërisë filloi punën e vështirë, por të domosdoshme të harmonizimit të Direktivës Evropiane, në një ligj të ri shqiptar.

Ligji "Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë” hyri në fuqi në korrik 2017, duke i ngarkuar Bankës së Shqipërisë, mandatin e ri të Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në banka. Ky mandat plotëson mekanizmin e plotë të sigurisë financiare për sektorin bankar, me Bankën e Shqipërisë përgjegjëse për rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit bankar, hartimin e politikave makroprudenciale, kryerjen e funksionit të huadhënësit të fundit, si dhe zbatimin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Së bashku me skemën e mbulimit të depozitave të ofruar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave që prej vitit 2002, kuadri i sigurisë financiare në Shqipëri është i plotë. Në zbatim të këtij ligji, u krijua dhe Fondi për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme, me kontribut të sektorit bankar. Ky fond synon të arrijë nivelin 6.3 miliardë lekë brenda vitit 2027.

Procesi i implementimit të ligjit shqiptar të rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme përfshin tri hapa të rëndësishëm:                                                                                           

Hapi i parë është hartimi i planeve të rimëkëmbjes nga secila bankë që vepron në Shqipëri, me skenarë të besueshëm e konkretë, si dhe përcaktimi i treguesve sinjalizues, që paralajmërojnë përkeqësimin e situatës financiare në bankë, para se ajo të jetë në vështirësi të parikuperueshme. Gjatë hartimit të planeve të rimëkëmbjes, banka duhet të krijojë opsione të besueshme për të mbijetuar ndaj skenarëve të stresit, duke ngritur në këtë mënyrë mekanizma që bëhen pjesë e menaxhimit ditor të biznesit bankar dhe nuk mbeten thjesht pjesë e një plani hipotetik. Pavarësisht se hartimi i planeve të rimëkëmbjes është detyrë e bankave individuale, Banka e Shqipërisë në cilësinë e Autoritetit Mbikëqyrës, luan një rol thelbësor në vlerësimin e cilësisë dhe besueshmërisë së këtyre planeve.

Gjatë vitit 2018, bankat hartuan planet e rimëkëmbjes, bazuar në një akt të ri nënligjor të miratuar nga Banka e Shqipërisë, që përcakton përmbajtjen e detajuar të tyre. Paneli që hap punimet e kësaj konference, do të prezantojë konkretisht vlerësimet tona mbi këto plane. Shkurtimisht, mund të them se sfidat tona mbeten të njëjta me ato me të cilat përballen edhe autoritete të tjera mbikëqyrëse në këtë fushë, qoftë ato evropiane apo të vendeve të rajonit. Në situata të qëndrueshme financiare, planifikimi i rimëkëmbjes i mundëson Bankës së Shqipërisë njohjen e thellë të strukturës dhe operacioneve të bankës, duke mbështetur në këtë mënyrë procesin tonë të mbikëqyrjes drejt identifikimit të fushave për përmirësim, si dhe vetë-diagnostikimin e bankës për këto fusha. Në situata të vështira financiare, plani i rimëkëmbjes është dokumenti kryesor që ka banka në dorë, për korrigjimin e vështirësive të saj, dhe si i tillë duhet të jetë eficient, i zbatueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Hapi i dytë i kuadrit të ri të menaxhimit të krizave, lidhet me ndërhyrjen e hershme në bankë. Ky hap aktivizohet në rast se pas zbatimit të planeve të rimëkëmbjes, veprimet e bankës nuk rezultojnë të suksesshme për përmirësimin e situatës. Banka e Shqipërisë, në cilësinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes ndërmerr disa masa konkrete të ndërhyrjes së hershme në bankë, para se banka të shfaqë paaftësi paguese. Aktualisht, ne jemi në procesin e hartimit të akteve nënligjore, që përcaktojnë mënyrën e zbatimit të ndërhyrjes së hershme sipas kërkesave të reja ligjore.

Hapi i tretë në menaxhimin e krizave është ndërhyrja e jashtëzakonshme në bankë, që kryhet nga Banka e Shqipërisë në cilësinë e mandatit të ri që ka marrë. Në mënyrë të ngjashme me planet e rimëkëmbjes, planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme që hartohen nga Banka e Shqipërisë, synojnë të identifikojnë pengesat ligjore, strukturore dhe të burimeve financiare që ka banka, ndaj mundësisë për zbatimin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Në këtë drejtim, planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme janë një nga mjetet thelbësore për lehtësimin e zbatimit të ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë.

Në muajin prill të këtij viti, Banka e Shqipërisë miratoi aktin nënligjor, që përcakton përmbajtjen e planeve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Në vijim, bankave iu kërkua të raportojnë një tërësi të dhënash për hartimin e këtyre planeve, bazuar në modelin e Autoritetit Bankar Evropian dhe aktualisht jemi në proces hartimi të këtyre planeve. Hartimi i planeve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka është i komplikuar, përfshin fusha të natyrave mjaft komplekse e ndërkufitare, të cilat duhet të zbatohen dhe koordinohen brenda një periudhe të shkurtër kohore. Në këtë perspektivë, planifikimi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme është një proces i vazhdueshëm dhe një mision afatgjatë për heqjen e pengesave ndaj mundësisë për ndërhyrje në bankë. Ky planifikim nuk nënkupton hartimin e një plani vjetor që ruhet diku në një raft dhe shpluhuroset vetëm në rast nevoje për zbatimin e tij, por përbën fillimin e një procesi të gjatë të ristrukturimit të të gjitha aspekteve të biznesit bankar që mund ta pengojnë këtë proces. Këndvështrimi ynë është se ky proces i përket po aq Bankës së Shqipërisë, si Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, sa edhe bankave që duhet të përfshijnë rezultatet e tij në veprimtarinë e përditshme të biznesit të tyre.

Gjatë ciklit të parë të kësaj pune për vitin 2018, kemi evidentuar një sërë çështjesh që kërkojnë vëmendje të veçantë në plan por edhe ndjekjen e tyre nga bankat:

       - Banka e Shqipërisë duhet të ketë akses në një nivel sa më cilësor të informacionit të prodhuar nga bankat, me qëllim përzgjedhjen e duhur të strategjisë së ndërhyrjes së jashtëzakonshme;

       -identifikimi i saktë i sistemeve operacionale të bankës të ndërlidhura me funksionet kritike është i rëndësishëm;

       -njohja e mirë e marrëveshjeve kontraktuale dhe trajtimi përkatës i tyre është domosdoshmëri, dhe veçanërisht

       -sigurimi i burimeve të financimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme përbën sfidë.

Plotësimi i Kërkesës Minimale për Kapital dhe Detyrime të pranuara apo siç njihet MREL, ku mbështetet pikërisht aplikimi i instrumentit esencial të ri të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, ai i rikapitalizimit nga brenda apo siç njihet bail-in, mbetet sfida kryesore për periudhën afatmesme. Plotësimi i MREL paraqet një sfidë për vende si Shqipëria, për shkak të kapacitetit të tregut vendas për të përthithur (blerë dhe mbajtur) borxhin e varur që mund të shërbejë për plotësimin e kërkesës minimale, si dhe të kapacitetit të vetë bankave për ristrukturimin e burimeve të financimit, të cilat përbëhen aktualisht në një masë të gjerë nga depozitat. Rrjedhimisht, për përmbushjen e këtij detyrimi duhet projektuar një periudhë e ndërmjetme, pa cenuar në asnjë rast synimin kryesor të zbatueshmërisë së ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Së fundi, ndërhyrja e jashtëzakonshme është një proces mjaft sfidues për vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara. Sektori bankar në Ballkan mbizotërohet nga bankat me kapital të huaj. Në Shqipëri, filialet e bankave me kapital të huaj përbëjnë rreth 78% të aktiveve të sektorit bankar, ndërsa ato evropiane 48%. Banka e Shqipërisë është Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për 7 filiale të grupeve bankare të Bashkimit Evropian, 4 prej të cilave të klasifikuara si sistemike nën mandatin e Bordit të Përbashkët për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme, SRB. Për këtë qëllim, nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme të grupit bankar dhe autoriteteve lokale ku vepron filiali, është mjaft i rëndësishëm për koordinimin e veprimeve, shkëmbimin e informacionit të nevojshëm për planifikimin dhe zbatimin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, dhe në tërësi për menaxhimin e koordinuar të krizave. Kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin se Banka e Shqipërisë nënshkroi marrëveshjen e rëndësishme të bashkëpunimit me Bordin e Përbashkët për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme, pra Autoritetin e Ndërhyrjes për Bashkimin Evropian, në datën 3 tetor të këtij viti.

Të nderuar pjesëmarrës,

Kjo konferencë kulmon punën e 18 muajve të fundit të Bankës së Shqipërisë, drejt zhvillimit të një kuadri të plotë për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në sektorin bankar. Për këtë arsye, është shumë me vlerë prania në sallë e kolegëve nga autoritetet e mbikëqyrjes dhe të ndërhyrjes së jashtëzakonshme në nivel qendror të Bashkimit Evropian, nga autoritetet kombëtare të ndërhyrjes së jashtëzakonshme të disa vendeve të Bashkimit Evropian dhe të rajonit, bankierë vendas dhe të huaj, si dhe përfaqësues të mediave. Kjo prani do të thotë shkëmbim eksperiencash dhe vlerësim për ç’ka është bërë.

Unë jam e bindur se sot, veç të tjerash, do të ndërtojmë edhe një urë të re për bashkërendimin e përpjekjeve tona për një sistem të qëndrueshëm financiar brenda dhe jashtë kufijve gjeografikë.