BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatores së Dytë Ahmetaj në konferencën “Balancimi i mundësive dhe rreziqeve FinTech – zbatimi i “Axhendës së Balit”

Data e publikimit: 29.01.2019

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Axhenda e Balit formon një matricë objektivash për t’u përmbushur dhe një udhëzues për rritjen e potencialit të ekonomisë së vendeve tona. Si e tillë, ajo përbën një standard ndërkombëtar që duhet zbatuar kombëtarisht.

Por natyrisht, që zbatimi të jetë efektiv, çdo standard duhet të përshtatet duke reflektuar prioritetet e çdo vendi. Në rastin shqiptar, kjo do të thotë se radha e punës duhet të reflektojë një vend të vogël, me të ardhura për frymë prej 4870 USD, prani të lartë të cash-it në ekonomi, emigracion të lartë dhe me përfshirjen financiare më të ulët në rajon, ku mbi 60% e të rriturve nuk kanë një llogari bankare dhe 65% nuk kanë një kartë.

Një profil i tillë, sinjalizon menjëherë me të kuqe dy kuti të matricës, - para se të flasësh për blockchain apo digital currency – formalizimin e remitancave dhe përfshirjen financiare. Pikërisht në këto dy drejtime dua të përqendrohem në këtë diskutim.

Të dy çështjet kanë tre aleatë të përbashkët: teknologjinë, edukimin financiar dhe jobankat. Po ndalem shkurt tek secili.

IMG 20190129 095629 - Copy-2 498

Prania më e lartë e teknologjisë në jetën e qytetarëve dhe veçanërisht në infrastrukturën financiare, promovon njëkohësisht dhe në mënyrë të ndërsjellë formalizimin e dërgesave përmes kanaleve bankare dhe motivimin për të qenë konsumator në industrinë financiare.

Përgjithësisht, teknologjia përqafohet për avantazhet e ndryshme që u sjell përdoruesve. Ajo bashkon njerëzit në grupe dhe platforma ku shpërndahet informacioni, zgjeron në kohë dhe hapësirë konceptin e tregut, rrit sigurinë por edhe prodhon rreziqe të reja e, në fund të fundit rrit produktivitetin e faktorit “punë”. Për të gjitha këto ka një avantazh të pakonkurrueshëm: shpejtësinë dhe rrezen e veprimit.

Ofruesit e teknologjisë mund t’i shpjegojnë të gjitha këto e shumë të tjera me një gjuhë të sofistikuar e ndoshta hutuese teknike. Por ne, si përdorues dhe ndërmjetës midis prodhuesve të teknologjisë financiare (FinTech) dhe masës së gjerë të përdoruesve të produkteve dhe shërbimeve të gjeneruara prej saj, na duhet ta përvetësojmë dhe ta përcjellim në treg në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme. Përndryshe, teknologjia nuk do mund të përqafohet nga industria financiare, sado e dobishme të jetë, thjesht sepse nuk mund të shitet. Dhe nuk mund të shitet, nëse nuk bëhet dukshëm e dobishme. Këtu hyn në rol edukimi financiar, ku ne duhet të udhëheqim. Dhe baza ekziston, sepse në Shqipëri rezulton të ketë 112% pajtimtarë të telefonisë celulare dhe 66% akses në internet.

Më shumë FinTech për ne do të thotë:

  1. Reduktim i cash-it në ekonomi, si rrjedhojë e infrastrukturës për pagesa elektronike dhe home banking. Përveç kontributit në transmetimin e politikës monetare dhe rritjes së stabilitetit financiar, kjo sjell reduktimin e kostove sociale në ekonomi. Një përfitim i rëndësishëm vjen nga kufizimi i mundësive për ekonominë informale dhe evazionin fiskal. Sot cash-i përdoret për 90% të pagesave të vogla, gjë që vlerësohet të vendosë një kosto për ekonominë prej 1.5% të PBB-së.
  2. Zgjerim të kanaleve për hyrje formale të remitancave në Shqipëri. Sot, 250 milionë njerëz, ose 3.4% e popullsisë botërore, jetojnë në një vend të ndryshëm nga ai i lindjes, dhe kjo prirje ka ardhur në rritje. Nga fluksi i remitancave të tyre varen rreth 500 milionë njerëz të tjerë.

Rreth 1.2 milionë shqiptarë janë emigrantë, ose sa 40% e atyre që jetojnë në vend, ndërsa fluksi i remitancave vlerësohet në rreth USD 1.15 miliardë në vit, ose sa 12% e PBB-së.

Ky burim i rëndësishëm të ardhurash jep kontribut shumëdimensional:

  • për bilancin e pagesave, pasi mbulon rreth 37% të deficitit tregtar të mallrave;
  • për rritjen e PBB-së, pasi vlerësohet se gjatë periudhës 2010-2017 kanë kontribuar në rreth 5.6% të PBB-së.
  • për familjet, pasi vlerësohet se sigurojnë 13% të buxhetit të familjes shqiptare, duke zbutur varfërinë përmes rritjes së nivelit të konsumit, arsimit, shëndetit.

Volumi i remitancave në botë është dyfishuar krahasuar me një dekadë më parë. Kjo për dy arsye: për shkak të rritjes së emigracionit dhe për shkak të progresit në infrastrukturën e transferimit të parave.

Përgjithësisht, është e vështirë të maten saktë volumet e remitancave për shkak të kanaleve të shumta formale dhe joformale, përmes të cilave ato rrjedhin. Por, preferenca për të përdorur një kanal kundrejt të tjerëve varet shumë nga sistemet financiare dhe ambienti i përgjithshëm institucional i vendeve dërguese dhe pritëse. Sot në Shqipëri, 4% e dërgesave hyjnë përmes kanaleve bankare, 57% përmes jobankave dhe 39% në cash. Kjo mënyrë hyrjeje, që përkthehet në disbursim të 96% të tyre në cash, dobëson efektin multiplikator të ndërmjetësimit financiar.

Për të gjykuar se cila është ndërhyrja më efektive për formalizimin e remitancave, duhet të kuptojmë arsyet pse zgjidhen kanalet joformale. Nga vrojtimet rezulton të jenë tre:

  1. Vështirësi në akses në sektorin bankar për emigrantët në vendet e origjinës.
  2. Kostot, të cilat në kanalet formale vlerësohen të jenë rreth 8-18%, dukshëm më të larta se rajoni, dhe larg objektivit global prej 3% që synohet deri në vitin 2030.
  3. Perceptimi për procedurat bankare si të komplikuara, për shkak të kulturës së ulët financiare. Kjo shpjegon pse 57% e individëve zgjedh institucionet jobanka, që kanë kosto akoma më të larta, por janë më të thjeshta në aksesim.

Shmangia e këtyre pengesave kontribuon për rritjen gjithëpërfshirëse dhe ndihmon shumë në përfshirjen financiare të familjeve përfituese. Formalizimi i fluksit të remitancave krijon mundësi për aksesim të familjeve rurale në produktet financiare bazike dhe, më pas, në ato më të sofistikuara, si kredia.

Mundësimi i një infrastrukture formale më të zgjeruar dhe me kosto më të ulët mund t'i zhvendosë flukset nga kanalet informale drejt atyre formale. Për këtë nevojitet gjetja e një balance midis një regjimi rregullativ, që minimizon përgjithësisht abuzimin financiar, dhe lehtësimit të fluksit të fondeve midis emigrantëve dhe familjeve të tyre.

Një bankë qendrore mund të jetë një katalizator për avancimin e FinTech, duke mbetur njëkohësisht një rregullator i rreptë. Është vetëm çështje balancash midis promovimit të ideve novatore të FinTech dhe prudencës rregullatore.

Për këtë arsye, formalizimi i fluksit hyrës të remitancave përmes kanaleve bankare, së bashku me efektin shoqërues në reduktimin e cash-it në ekonomi, është vendosur në fokus të një projekti të përbashkët me Bankën Botërore. Në këtë kuadër, në vitin 2017 u realizua një studim i përqendruar për tregun e pagesave me vlerë të vogël, pjesë e të cilit janë edhe remitancat. Gjetjet e këtij studimi u përdorën si bazë për hartimin e Strategjisë kombëtare për reformimin e tregut të sistemeve të pagesave me vlerë të vogël në Shqipëri. Zbatimi i kësaj strategjie është në fokus të Komitetit Kombëtar të Pagesave, një strukturë ndërinstitucionale.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka hartuar projektligjin e ri për shërbimet e pagesave, i cili ka pjesë të vetën edhe tregun e pagesave me vlerë të vogël. Meqenëse ky ligj ka përafruar në kontekstin shqiptar direktivën e BE PSD2, që konsiderohet revolucion për mbështetjen e inovacionit të fushën e pagesave, pritet që ndikimi i tij të jetë i rëndësishëm edhe në tregun e pagesave në Shqipëri. Brenda tij parashikohet edhe krijimi i kushteve të përshtatshme për zgjerimin e konkurrencës, transparencës dhe sigurisë. Një nga projektet në shqyrtim është edhe ofrimi i një llogari bazike për segmentin me të ardhura të ulëta, e cila lejon shërbimet bazë të pagesave, pa kosto.

Disa nga objektivat e matshëm të suksesit të kësaj strategjie përfshijnë arritjen e mbi 130% të pagesave pa para në dorë (cashless) dhe pasjen e një llogarie në nivelin 70% nga personat në moshë madhore, deri në vitin 2022.

Shërbimet e shlyerjes në nivel ndërkufitar akomodohen nga bankat korrespondente, të cilat imponojnë kosto monetare dhe kohore. Për këtë arsye, është vlerësuar si shumë i rëndësishëm krijimi i parakushteve të nevojshme ligjore dhe infrastrukturore për integrimin e tregut vendas me tregun e përbashkët të pagesave në euro, SEPA, çka do të reduktojë kostot.

Përveç kësaj, shërbimet inovative të teknologjisë, si block chain dhe instant payment mund të shërbejnë për të njëjtin qellim.

Në linjë me Bankën Botërore, Banka e Shqipërisë ka ndërtuar bazën e të dhënave me komisionet e pagesave në tregun shqiptar, e cila po zgjerohet edhe për institucionet jobanka, duke krijuar kështu mundësinë për monitorim të reduktimit gradual të tyre drejt objektivave ndërkombëtarë. Për gjithë këtë projekt, edukimi financiar i publikut është thelbësor.

Një tjetër projekt, i quajtur Greenback, që ka për qëllim të çojë në formalizim të remitancave dhe ulje të kostove, përmes ndërgjegjësimit dhe edukimit financiar, është prezantuar tashmë me mbështetjen e partnerëve.

Tregu financiar në Shqipëri përbëhet në 90% nga bankat, por niveli i depërtimit të tyre për 100,000 banorë mbi 18 vjeç rezulton më i ulët se rajoni. Ato, së bashku me 9 institucionet financiare të licencuara për shërbimin e pagesave dhe transfertave, përbëjnë tregun e pagesave me vlerë të vogël. Tregu bankar ka investuar seriozisht në këtë fushë, duke ofruar shërbime home banking, që lejojnë aksesim në distancë të fondeve dhe instrumente elektronike të pagesave. Dy banka ofrojnë edhe shërbime të tregtisë elektronike, gjë që mund të ndikojë në kanalizimin pjesor të remitancave në formë mallrash. Përdorimi i kartave po rritet. Sot, 1/3 e popullsisë zotëron një kartë debiti dhe vetëm 8% një kartë krediti. Megjithatë, infrastruktura e përdorimit të tyre mbetet e përqendruar në zonat urbane dhe në pjesën më të madhe ato përdoren për shërbime bazike.

Por, ndryshe nga trendi pozitiv i volumit të remitancave dhe teknologjisë që favorizon hyrjen formale të tyre në vend, është vënë re një trend negativ në vëmendjen që bankat kanë treguar ndaj produkteve të dedikuara për emigrantët, në një kohë që bankat në Shqipëri përbëjnë 90% të tregut financiar. Nëse krahasojmë aktivitetin e bankave për ofrimin e produkteve për këtë segment të tregut, rezulton se sot ka më pak banka që janë aktive sesa 10 vjet më parë, para krizës. Produkti kryesor që ato ofrojnë për emigrantët mbetet transferta dhe depozita, ndërsa vihet re një tërheqje e tyre prej produkteve të kredisë për emigrantët të ofruara në treg 10 vjet më parë.

Zhvillim pozitiv në këtë segment ka pasur vetëm në ofrimin e kartave elektronike.

Duke zhvendosur vëmendjen nga ky treg, bankat e kanë vendosur veten në pozicion të pafavorshëm krahasuar me operatorët jobanka. Institucionet financiare jobanka kanë qasje tjetër nga bankat. Ato janë më aktive ndaj këtij segmenti jo vetëm me produkte të mikrokredisë, por dhe me shërbime të dërgesave të emigranteve dhe zhvillimet e fundit tregojnë që e përqafojnë inovacionin më shpejt.

Banka e Shqipërisë është ndër bankat qendrore pioniere në rajon për përfshirjen konkrete në edukimin financiar të publikut. Ajo ka tashmë prej vitesh një axhendë të plotë vjetore në këtë funksion, duke qenë e ndërgjegjshme se vitet e fundit ka një zhvendosje të theksit, nga një edukim tradicional mbi ekonominë, në njohuri mbi financat. Kjo sepse sofistikimi i produkteve dhe shërbimeve financiare, si dhe përfshirja gjithnjë e më shumë e FinTech në këtë industri, e bën më emergjente këtë nevojë.

Po kështu, zgjerimi i tregut financiar me produkte të reja, siç janë fondet e pensioneve, sigurimet shëndetësore dhe ato të aseteve, po e zhvendosin gjithnjë e më shumë nevojën për mbrojtje financiare afatgjatë, nga bizneset tek individët, duke i bërë njohuritë financiare më të nevojshme për ta.

Banka e Shqipërisë është gjithashtu e ndërgjegjshme se ka një tregues që mat efektivitetin e këtij procesi, që është niveli i përfshirjes financiare. Ky tregues për Shqipërinë, me gjithë progresin, dëshmon se ka ende shumë për të bërë.

Në funksionin e saj si rregullator, Banka e Shqipërisë synon që sistemi të sigurojë shërbimet financiare dhe akses në kredi në mënyrë sa më të drejtë. Rregullimi ka pjesë të vetën edhe sigurimin e trajtimit të drejtë të klientëve nga ana e bankave, duke mundësuar që ato t’i shërbejnë gjithë komunitetit, përfshirë këtu grupet me të ardhura të ulëta. Sepse, rritja e qëndrueshme ekonomike kërkon rritje gjithëpërfshirëse. Aksesi në shërbimet dhe burimet financiare, si dhe një mjedis rregullator i paanshëm është një kontribuues thelbësor për rritjen e suksesshme të ekonomisë.

Nëse përfshirja financiare vjen duke u përmirësuar, do të thotë se publiku po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e sistemit financiar, po përdor produktet e tij, po jep kështu kontributin e tij për zgjerimin e ndërmjetësimit financiar. Nëse ky ndërmjetësim zgjerohet, ekonomia po ushqehet me fonde, projekte të reja po jetësohen, dhe potenciali i ekonomisë po zgjerohet. Edukim financiar do të thotë rritje e mirëqenies për të gjithë. Kjo do të na bëjë të gjithëve më aktivisht të përfshirë në këtë proces.

Faleminderit!