BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatores së Parë Minxhozi, në Konferencën Virtuale të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 29.10.2020

 

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Të nderuar zonja e zotërinj,

Prej disa vitesh tashmë, Banka e Shqipërisë dhe Instituti për Çështjet Globale i Shkollës Ekonomike dhe Shkencave Politike të Londrës (LSE) organizojnë një seri konferencash të përbashkëta.  Aktiviteti i sivjetshëm do të synojë të trajtojë ngjarjet që kanë shënjuar rrjedhën e këtij viti, duke inkurajuar një bashkëbisedim të hapur ndër akademikë dhe politikëbërës, me qëllim nxitjen e një të menduari të ri dhe përqasjeve të politikës ndaj sfidave më të mëdha me të cilat po ndeshemi në këtë kohë.

Banka e Shqipërisë është krenare që e organizon këtë konferencë së bashku me Institutin për Çështje Globale, i cili është i pozicionuar tashmë si qendër akademike udhëheqëse në hulumtimin e përqasjeve strategjike të kërkimit ndaj sfidave të politikës.  Në emër të saj, Banka e Shqipërisë përpiqet ta përvetësojë konsensusin e shfaqur akademik, duke e përshtatur atë me tiparet e veçanta të ekonomisë së Shqipërisë dhe të tregjeve të saj financiare.

DSC 0739 498

Thënë këtë, kam kënaqësinë e veçantë që t’i drejtohem kësaj konference, e cila përqendrohet në trajtimin e temës “ Covid-19: Ndikimi i pandemisë në ekonomi dhe politikat e bankës qendrore”.

Pandemia, e cila ka kapluar të gjithë globin, ka potencialin e padiskutueshëm të riformëzojë mënyrën tonë të jetesës për të ardhmen e parashikueshme. Ndërsa emergjenca shëndetësore është ende në zhvillim e sipër, ndërlikimet e saj mund të kenë pasoja në shkallë të gjerë në jetën tonë sociale dhe në strukturën ekonomike. Për institucionet politikëbërëse, veçanërisht në vendet me ekonomi në zhvillim, sfida për të përmbushur objektivat kryesorë si: stabiliteti i çmimeve; rritja e qëndrueshme; dhe stabiliteti financiar, po i orienton këto të fundit të veprojnë në një territor të pashkelur më parë.

Përfitoj nga ky rast, të trajtoj disa nga çështjet më urgjente që janë vënë në pikëpyetje.

 

***

Të nderuar pjesëmarrës,

Jeta me virusin Sars-Cov2 vazhdon të jetë një sfidë shëndetësore dhe shoqërore e pahasur më parë. Fatmirësisht, institucionet e shëndetit, sot, e njohin shumë më mirë virusin si dhe dinë se cilat janë politikat për të mira për ta kontrolluar atë. Fatkeqësisht, ende jemi larg një zgjidhjeje epidemiologjike përfundimtare dhe praktike.

Përkundrejt kësaj panorame, rënia ekonomike e shkaktuar prej pandemisë është ende e papërcaktuar.  Mbyllja e menjëhershme në tremujorin e dytë, shtroi rrugën drejt një recesioni global të sinkronizuar; aktiviteti ekonomik në pjesën më të madhe qoftë të vendeve në zhvillim dhe atyre të zhvilluara u tkurr me shpejtësi, ndërsa papunësia u rrit menjëherë. Megjithatë, lehtësimi i masave të mbylljes në tremujorin e tretë, dhe zbatimi  politikave monetare dhe fiskale në nivel kombëtar, kanë filluar ta tërheqin ekonominë globale nga pragu i kolapsit.

DSC 0768 498

Shkalla e dy paketave kryesore të masave mbështetëse të ndërmarra në nivel kombëtar - politika fiskale dhe ajo monetare - arriti në nivele të pashënuara më parë në shumë ekonomi, madje që nuk janë hasur as gjatë krizës së fundit globale të vitit 2008. Mbështetja fiskale agregate në nivel global arriti pothuajse në 12 trilionë dollarë. Normat bazë të interesit u ulën në zero dhe në disa raste e tejkaluan këtë kufi dhe shkuan në territor negativ. Zgjerimi i bilancit të bankës qendrore, sipas stilit të vjetër, shoqëruar me ndërmarrje më të lartë të rrezikut si kurrë ndonjëherë, - operacione, që deri një dekadë më parë shiheshin si të paimagjinueshme, - u kthyen në instrumente qendrore për t’iu përgjigjur kësaj situate.

Pandemia testoi qëndrueshmërinë e ekonomisë së Shqipërisë dhe të sistemit tonë bankar. Ajo shkaktoi tension të pamasë social dhe financiar tek individët dhe bizneset, dhe i detyroi autoritetet të vepronin shpejt për të administruar krizën shëndetësore dhe të ndërmerrnin nisma të mëdha të politikës për të kufizuar ndikimin e saj. 

Banka e Shqipërisë ka përdorur një tërësi të gjerë politikash për të mbështetur veprimtarinë financiare dhe kërkesën agregate. Ne ulëm normën bazë të interesit në nivelin historik prej 0.5% dhe rritëm sasinë e likuiditetit të injektuar në sistem. Këto veprime patën për qëllim reduktimin e kostove të shërbimit të borxhit në të gjithë ekonominë dhe mbështetjen e ndërmjetësimit financiar të vazhdueshëm. Për më shumë, në konsultim të ngushtë me industrinë bankare, ne zbatuam lehtësira rregullatore të përkohshme të shënjestruara, hartimi i të cilave kishte për qëllim inkurajimin e shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive apo ristrukturimin konsensual të tyre për huamarrësit në vështirësi, por me perspektivë të shëndetshme të veprimtarisë. E fundit, ne ndërmorëm masa mikro dhe makroprudenciale me qëllim forcimin e bilanceve të bankave dhe ruajtjen e aftësisë së tyre kredidhënëse.

Nga ana fiskale, Qeveria e Shqipërisë ofroi lehtësi fiskale nëpërmjet:

  • dhënies së fondeve shtesë në mbështetje të sektorit shëndetësor;
  • zgjerimit të paketave sociale për të kompensuar humbjet e të ardhurave të individëve;
  • lehtësimit të përkohshëm të taksave për bizneset dhe prezantimit të skemave të garancisë sovrane për kreditë për të përmirësuar aksesin e tyre në financim. 

Kjo tërësi masash të ndërmarra në kohën e duhur, të koordinuara dhe gjithëpërfshirëse, kishin për qëllim kontrollin e ndikimit të rënduar ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar, si parakusht për rimëkëmbjen e ardhshme të ekonomisë.

Besoj se ne arritëm të gjenim balancën e duhur të politikave.

Deri më sot, Shqipëria ia ka dalë të shmangë kulmimin e shifrës së papunësisë dhe mbylljen në përmasa të konsiderueshme të bizneseve, pavarësisht vështirësive financiare që ato hasën. Për më shumë, sistemi ynë financiar mbetet solid, me luhatje të ulëta në tregjet financiare, norma të ulëta interesi të kredidhënies, kurs këmbimi valutor të qëndrueshëm, si dhe një sektor bankar likuid dhe të mirëkapitalizuar. Në këtë drejtim, ushtrimet e provës së rezistencës tregojnë qëndrueshmërinë e sektorit tonë bankar ndaj goditjeve shtesë.

Në këto rrethana, besoj se ekonomia shqiptare zotëron parakushte të mjaftueshme për një rigjallërim gradual. Megjithatë, sfidat mbeten. Në vijim të fjalës sime, do të ndaj me ju shkurtimisht parashikimin tonë për to.

***

Zonja e zotërinj!

Ndërsa pjesa më e madhe e skenarëve bazë ekonomikë mbeten pozitivë, është e qartë se rigjallërimi ekonomik global i vazhdueshëm mbetet i brishtë. Sfidat ndaj politikës janë ende të pranishme, si në periudhën afatshkurtër ashtu dhe në atë afatmesme e afatgjatë.

Sfida e parë është të sigurohet qëndrueshmëria e rigjallërimit të vazhdueshëm ekonomik dhe ruajtja e tij nga rreziqet e kahut të poshtëm, siç mund të ishte një mbyllje e dytë potenciale.   

Në Bankën e Shqipërisë, besojmë se qëndrimi i përgjithshëm i politikës monetare duhet të mbetet lehtësues gjatë periudhës së ardhshme të parashikueshme. Çdo normalizim i politikës duhet të jetë i koordinuar dhe i bazuar në të dhëna. Një normalizim i koordinuar do të thotë një kombinim ideal, së pari, i qëndrimit të politikës makroprudenciale, i ndjekur më pas nga politika fiskale dhe ajo monetare. Një normalizim i bazuar në të dhëna do të thotë se politikëbërësit kanë nevojë të shohin evidenca të dukshme të një rigjallërimi të qëndrueshëm, para se të ndërmarrin masa të shtrëngimit të politikës. Për shkak të rigjallërimit të brishtë, politikëbërësit do të ishte e këshillueshme të anonin nga ana e kujdesit.

Në përballje edhe me goditje të tjera shtesë, mendojmë se përparësi duhet të ketë ofrimi i lehtësive të mëtejshme për ekonominë. Megjithatë, politikëbërësit duhet të jenë të kujdesshëm në kombinimin e drejtë të politikave, në mënyrë të tillë që, kostot potenciale afatgjata të mostejkalojnë përfitimet afatshkurtra. Lidhur me këtë, mendojmë se:

  • Politika fiskale duhet të ofrojë mbështetje shtesë, në varësi të hapësirës fiskale ekzistuese. Deri më tani, sektori publik në ekonomitë e zhvilluara ka nivel të ulët të kufizimeve financuese, pjesërisht falë injektimeve masive të likuiditetit nga bankat qendrore. E njëjta gjë duket se është e vërtetë dhe për ekonomitë me tregje në zhvillim, të tilla si Shqipëria, e cila vijon të ketë akses në treg si dhe kosto financiare relativisht të ulëta. Megjithatë, autoritetet fiskale të ekonomive të tregjeve në zhvillim duhet të jenë të kujdesshme lidhur me nevojën për të ruajtur besueshmërinë e tregjeve në qëndrueshmërinë e financave të tyre.
  • Ndërmjetësuesit financiarë - të tillë si bankat - gjithashtu po mbajnë peshën e duhur të kësaj barre. Ato në mënyrë natyrale do të mund të absorbojnë një pjesë të madhe të kostove shtesë financiare në rast goditjesh të mëtejshme. Megjithatë, politikat financiare dhe makroprudenciale duhet të shmangin  tundimin për të zhvendosur një pjesë gjithnjë në rritje të kostos në bilancet e bankave. Stabiliteti financiar dhe një sektor bankar i qëndrueshëm janë parësorë për një rritje ekonomike afatgjatë.
  • E fundit, politika monetare duhet të ofrojë stimuj të tjerë shtesë. Tregjet financiare likuide nuk janë kura për krizën, por mbeten parakusht i nevojshëm për çdo zgjidhje.  Instrumentet jokonvencionale shpejt po bëhen pjesë e serisë së instrumenteve të politikës së ndjekur nga pjesa më të madhe e bankave qendrore. Bankat qendrore të ekonomive në zhvillim – përfshirë Shqipërinë - gjithashtu po studiojnë mundësinë e përdorimit të instrumenteve jokonvencionale.  Megjithatë, kjo nuk është pa rreziqe dhe nuk mund të zbatohet me lehtësi në ekonomitë në zhvillim. Në veçanti, mendojmë se bankat qendrore të vendeve në zhvillim duhet të shmangin rritjen e profilit të rrezikut të bilanceve të tyre dhe duhet të përpiqen të ruajnë besueshmërinë e kuadrit të politikës dhe të atij të pavarësisë së tyre.

Tërësia e dytë e sfidave është njohja e ndikimit afatgjatë të pandemisë në ekonomitë dhe shoqëritë tona, dhe përfshirja e këtyre sfidave në kuadrin e politikës sonë. Spektri i ndërlikimeve potenciale është i gjerë, por unë do të përpiqem t’i përqendroj komentet e mia në disa prej tyre:

  • Pandemia mund të çojë në një hendek më të madh për sa i përket pabarazisë, si ndër vendet e zhvilluara dhe në ato në zhvillim, ashtu dhe brenda një ekonomie. Një pasojë ekonomike e kësaj pandemie është se ajo mund të ngadalësojë procesin e përshpejtimit të ekonomive në zhvillim në krahasim me ato të zhvilluara. Një tjetër mund të jetë pabarazia brenda një ekonomie, meqenëse papunësia godet më shumë popullsinë në moshë të re dhe atë me nivel arsimor më të ulët. Mënyra si këto divergjenca mund t’i japin formë politikave të ardhshme sociale dhe ekonomike, të cilat kanë për qëllim t’i trajtojnë këto dallime, mbetet për t’u parë.
  • Ndërveprimi social i detyruar i kufizuar për shkak të rrezikut nga koronavirus ka përshpejtuar kalimin drejt bizneseve dhe financave digjitale. Ndërsa teknologjia financiare (e njohur si FinTech) ka qenë në rritje para kësaj pandemie, mbyllja totale dhe ndërveprimi social i kufizuar kanë nxitur më tej rritjen e këtij sektori, i cili mund të ndryshojë tablonë e industrisë financiare në të ardhmen.
  • Pandemia mund “të ndezë” një zhvendosje të përhershme në balancën punë-jetë.  Puna në distancë mund të bëhet një alternativë e përhershme në të ardhmen, ashtu siç mund ta kenë parashikuar shumë kompani globale tashmë.
  • Një çështje tjetër është ndikimi i mundshëm i pandemisë në krizën aktuale të klimës në periudhën afatgjatë.  Përveç ndikimit afatshkurtër të mbylljes së përgjithshme në çështjen e klimës, një këndvështrim optimist lidhet me faktin se mbyllja totale mund të sjellë një kalim drejt një ekonomie më të pastër.

***

Të nderuar pjesëmarrës,

Mirëpres çdo diskutim të hapur dhe që do të ofrojë pa diskutim opinionin tuaj të vlefshëm për këto çështje.

Jam e bindur se një shkëmbim i sinqertë mendimesh do të rrisë të kuptuarin tonë të përbashkët mbi natyrën e sfidave që po hasim, si dhe të politikave e instrumenteve më të mira që duhet të përdorim për t’i përballuar ato.

Më lejoni ta mbyll këtë fjalë duke ju falënderuar dhe një herë për pjesëmarrjen tuaj sot!