BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatores së Parë Minxhozi, në seancën dëgjimore të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mbi projektbuxhetin 2021

Data e publikimit: 02.11.2020

 

E nderuar zonja Kryetare,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Ju falënderoj për ftesën dhe mundësinë që më keni dhënë për të paraqitur opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi projektbuxhetin e vitit 2021.

Banka e Shqipërisë i kushton një rëndësi të veçantë dialogut të vazhdueshëm institucional me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, si dhe me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në interes të harmonizimit dhe koordinimit sa më të mirë të politikave.

DSC 1427 498

 

Ky dialog bëhet dhe më i dobishëm në momente si ky i sotmi, kur vendi përballet me pasojat shëndetësore, ekonomike dhe sociale të pandemisë Covid-19.

Në këtë kontekst, Buxheti i vitit 2021 duhet të luajë një rol të trefishtë. Ai duhet: (i) të sigurojë mbështetjen e nevojshme financiare për zbutjen e pasojave të krizës në afatin e shkurtër; (ii) të sigurojë fondet e nevojshme për mbështetjen e prioriteteve afatgjata të zhvillimit të vendit; si dhe (iii) të garantojë qëndrueshmërinë afatgjatë të shëndetit të financave publike të vendit.

Lidhur me sa më sipër, Banka e Shqipërisë konstaton se:

  • Projektbuxheti i vitit 2021 parashikon ruajtjen e një kahu stimulues të politikës fiskale gjatë vitit të ardhshëm.
  • Po ashtu, Projektbuxheti i vitit 2021 ruan një nivel të lartë investimesh publike, investime të cilat janë thelbësore për rikuperimin e kapitalit fizik të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe për të përmirësuar infrastrukturën e zhvillimit të vendit.
  • Së fundi, Projektbuxheti i vitit 2021 është në përputhje me klauzolat e ‘përgjegjshmërisë fiskale’ të Ligjit Organik të Buxhetit, por rritja e kuptueshme e borxhit publik gjatë periudhës 2019-2021 duhet të adresohet me kujdes në planet afatmesme dhe afatgjata fiskale.

DSC 1500 498

Në përputhje me mandatin tonë ligjor, opinioni në vazhdim i Bankës së Shqipërisë do të orientohet në drejtimet e mëposhtme:

  • stabiliteti makroekonomik dhe ndërthurja e politikës fiskale me atë monetare;
  • projeksionet fiskale dhe qëndrueshmëria e borxhit publik; si dhe,
  • ndikimi i huamarrjes së parashikuar publike në tregjet e brendshme financiare.

Gjithashtu, në mbyllje të këtij opinioni do të gjeni disa sugjerime të Bankës së Shqipërisë mbi çështje, të cilat mendojmë se duhen pasur në vëmendje, në funksion të rritjes së efektivitetit dhe të qëndrueshmërisë së financave publike.

Çështjet e mësipërme do të adresohen më në detaje në vijim.

 

  1. Ecuria e pritur ekonomike dhe ndërthurja e saj me politikat monetare e fiskale

Ekonomia shqiptare po përballet me sfidën e saj më të madhe të dy dekadave të fundit. Tërmeti i datës 26 nëntor 2019 solli humbje të mëdha në jetë njerëzore dhe dëmtoi një numër të madh banesash dhe asetesh infrastrukturore. Pandemia Covid-19 detyroi autoritetet publike të marrin masa kufizuese për lëvizjen e individëve dhe rriti pasigurinë e prodhuesve dhe konsumatorëve. Këto goditje patën një ndikim të fortë negativ në rritjen ekonomike të vitit 2020, duke e sjellë ekonominë shqiptare në recesion.

Të dhënat e disponuara sugjerojnë se rënia ekonomike kulmoi në tremujorin e dytë të vitit dhe ekonomia po lëviz gradualisht drejt rikuperimit të ritmit pozitiv të rritjes dhe nivelit të mëparshëm të aktivitetit ekonomik. Megjithatë, ky rikuperim mbetet i brishtë dhe rreziqet janë e priten të mbeten në kahun e poshtëm.

Politikat ekonomike stimuluese të ndjekura deri tani kanë pasur një rol vendimtar në përballimin e goditjes dhe krijimin e premisave për rritje. Banka e Shqipërisë ka marrë një paketë të plotë masash, masa të cilat kanë synuar të ndihmojnë funksionimin normal të tregjeve financiare, të mbështesin furnizimin e ekonomisë me fonde dhe të ulin koston e shërbimit të borxhit, si dhe të rritin qëndrueshmërinë e sektorit bankar. Këtu gjej me vend të veçoj:

  • rritjen e stimulit monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit, në minimumin historik prej 0.5%, dhe ofrimit të pakufizuar të likuiditetit për sektorin bankar;
  • inkurajimin nëpërmjet masave rregullatore të shtyrjes së pagesës të përkohshme të kësteve të kredive për klientët në vështirësi financiare të ngutshme dhe ristrukturimin e kredive për klientët në vështirësi më të qëndrueshme;
  • nxitjen e pagesave online, nëpërmjet eliminimit të kostove të përdorimit të infrastrukturës së sistemit të pagesave në monedhë kombëtare të operuar nga Banka e Shqipërisë;
  • fuqizimin e bazës së kapitalit të sektorit bankar dhe monitorimin e treguesve të tij financiarë, nëpërmjet anulimit të pagesave të dividendit gjatë vitit 2020 dhe vazhdimit të programeve të mbikëqyrjes on- dhe off-site.

Në të njëjtën kohë, stimuli fiskal ka amortizuar pjesërisht ndikimin negativ të pandemisë në të ardhurat e familjeve shqiptare, ka ndihmuar në lehtësimin e ndikimit negativ mbi flukset financiare të bizneseve, si dhe ka gjeneruar fonde shtesë për përballimin e emergjencës shëndetësore.

Bazuar në perspektivën e zhvillimeve ekonomike, si dhe në pasiguritë e shtuara dhe rreziqet mbizotëruese të kahut të poshtëm, Banka e Shqipërisë gjykon se kombinimi i politikave ekonomike duhet të mbetet stimulues për të ardhmen e afërt. Po ashtu, ne gjykojmë se si politika monetare dhe ajo fiskale duhet të japin kontributin e tyre në këtë drejtim. Natyra kundërciklike e politikës fiskale është e nevojshme për të rritur efektivitetin e stimulit monetar, për të nxitur zgjerimin e kërkesës agregate dhe për të amortizuar humbjet në prodhim, si pasojë e pandemisë dhe e tërmetit.

Në këtë kontekst, Projektbuxheti i vitit 2021 duket se e adreson këtë objektiv. Sipas relacionit shoqërues dhe projeksioneve të tij, ky Projektbuxhet bazohet në premisën e një rikuperimi gradual të ekonomisë gjatë vitit të ardhshëm dhe projekton një deficit rreth nivelit 6.5% të PBB-së. Në një masë të madhe, ky deficit pasqyron projektimin e një niveli relativisht të lartë investimesh publike, të parashikuara të arrijnë në nivelin 7.2% të PBB-së.

Për sa më sipër, Banka e Shqipërisë gjykon se:

  • ruajtja e kahut lehtësues të politikës fiskale edhe gjatë vitit 2021 është – në rrethanat aktuale –konsistente me kombinimin optimal të politikave ekonomike;
  • politika fiskale, masat tatimore dhe raporti i shpenzimeve publike korrente ndaj atyre kapitale, janë në përputhje me nevojat afatshkurtra dhe afatgjata të zhvillimit të vendit. Investimet publike janë elementi potencialisht më efektiv i stimujve fiskalë. Krahas efektit pozitiv në afatin e shkurtër, – nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës – shtimi i investimeve publike ka ndikime pozitive dhe në rritjen e potencialit prodhues të vendit.

Së fundi, Banka e Shqipërisë konstaton se efekti i pritur i masave fiskale mbi inflacion do të jetë relativisht i ulët dhe kalimtar.

 

  1. Projeksionet fiskale dhe qëndrueshmëria e borxhit publik

Projektbuxheti i vitit 2021 bazohet në projeksionin e një niveli të ardhurash publike rreth vlerës 480 miliardë lekë ose 11% më të larta se niveli i pritur gjatë vitit aktual. Ky projeksion faktorizon pjesërisht tendencën e rikuperimit të aktivitetit ekonomik dhe pjesërisht rritjen e eficiencës së administratës tatimore e doganore në mbledhjen e taksave. Në të kundërt, ndryshimet e paketës fiskale projektohen të kenë një ndikim agregat marxhinal negativ në ecurinë e të ardhurave.

Banka e Shqipërisë gjykon se ky është një projeksion i arsyeshëm për ndërtimin e Buxhetit dhe programimin e shpenzimeve. Megjithatë, projeksionet tona të të ardhurave janë lehtësisht më të ulëta se projeksionet e Buxhetit. Po ashtu, pasiguria për të ardhmen si dhe rreziqet e shumta të kahut të poshtëm mund të prodhojnë surpriza negative në grumbullimin e të ardhurave. Për këtë arsye, ndonëse Projektbuxheti ka kontingjenca për amortizimin e tyre, Banka e Shqipërisë gjykon se realizimi i shpenzimeve të programuara duhet të jetë i kujdesshëm dhe të ndjekë në ritëm e në kohë nivelin e realizimit të të ardhurave.

Në këtë drejtim, ne sugjerojmë se një hap pozitiv do të ishte rritja përtej niveleve aktuale e fondeve kontingjente në buxhet apo identifikimi paraprak i shpenzimeve jo-prioritare, realizimi i të cilave duhet të kushtëzohet me realizimin e nivelit të parashikuar të të ardhurave.

Paralelisht me kujdesin ndaj respektimit të treguesve të Buxhetit të vitit të ardhshëm, Banka e Shqipërisë i kushton rëndësi të madhe qëndrueshmërisë afatgjatë të borxhit publik. Në këtë prizëm dëshiroj të ndaj me ju dy konstatime.

Së pari, Projektbuxheti i vitit 2021 plotëson kërkesat që burojnë nga Ligji Organik i Buxhetit (LOB). Më konkretisht, këto dispozita kërkojnë:

  • rivendosjen e borxhit në një trajektore rënëse, pas goditjes së marrë në vitin 2020;
  • përcaktimin e investimeve në nivel më të lartë sesa deficiti i përgjithshëm buxhetor;
  • mospërfshirjen e të ardhurave nga privatizimi si një instrument konvencional në financimin e deficitit; si dhe,
  • krijimin e një fondi kontingjence për përballimin e rreziqeve potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit që ndikojnë nivelin e borxhit.

Në gjykimin tonë, këto dispozita gjejnë pasqyrim në Projektbuxhetin e vitit 2021.

Së dyti, Projektbuxheti i vitit 2021 parashikon një reduktim prej rreth dy pikësh përqindje të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, për ta zbritur atë rreth nivelit 78.6% në fund të vitit 2021. Në një aspekt kohor më afatgjatë, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen se ky nivel borxhi vijon të mbetet i lartë. Përballja me krizën e fundit ilustroi plotësisht rëndësinë që ka një nivel i ulët apo nën kontroll i borxhit publik. Për këtë arsye, reduktimi i borxhit publik duhet të jetë një objektiv primar i politikës tonë fiskale, si një instrument për uljen e kostove të financimit të sektorit publik dhe privat si dhe si një instrument garancie mbi ruajtjen e hapësirave të nevojshme fiskale për përballimin e goditjeve të ardhshme.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë:

  • përshëndet përfshirjen në LOB të detyrimit për të krijuar suficite primare duke filluar nga viti 2023. Kjo është një masë e nevojshme për rritjen e qëndrueshmërisë së financave publike në afatin e gjatë;
  • gjykon se konsolidimi i politikës fiskale duhet të fillojë në momentin më të parë të përshtatshëm që mundëson kristalizimi i qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike dhe ecuria e primeve të rrezikut në tregjet financiare.

 

  1. Huamarrja e sektorit publik dhe tregu i brendshëm financiar

Deficiti i përgjithshëm buxhetor i vitit 2021 programohet thuajse në nivelin 108.7 miliardë lekë. Financimi i tij projektohet të realizohet kryesisht në tregun e brendshëm financiar, dhe më pak nëpërmjet përdorimit të likuiditetit të tepërt të krijuar nga viti 2020; dhe rritjes së huamarrjes nga jashtë.

Banka e Shqipërisë gjykon se tregjet e brendshme financiare paraqiten relativisht akomoduese ndaj një huamarrjeje të rritur të qeverisë.

Megjithatë, tregu financiar mbetet i ndjeshëm ndaj shpërndarjeve jo të njëtrajtshme të huamarrjes së qeverisë gjatë vitit. Gjithashtu, banka të veçanta vijojnë të kenë politika kufizuese për sa i përket ekspozimit ndaj borxhit sovran, gjë që mund të sjellë një interes më të ulët të aktorëve të tregut për të investuar në titujt e qeverisë.

Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë sugjeron monitorimin e vazhdueshëm të tregjeve financiare, si edhe vazhdimin e dialogut dhe bashkëpunimit midis institucioneve tona. Në një perpsektivë më afatgjatë, kujdes duhet bërë për përmirësimin strukturor të sistemit financiar si dhe për rritjen e efikasitetit të tregut sekondar të letrave me vlerë.

 

  1. Sugjerime për të ardhmen

Në funksion të harmonizimit optimal të politikës fiskale me atë monetare në të ardhmen, çka do të garantonte arritjen e ekuilibrave makroekonomikë në të ardhmen, gjykojmë se është i nevojshëm adresimi në afatin e mesëm dhe të gjatë i disa çështjeve, si në vijim.

Projektet e partneritetit publik – privat

Projektbuxheti i vitit 2021 merr parasysh rreziqet që burojnë nga zgjerimi i projekteve të partneritetit publik-privat (PPP), duke vendosur kufi mbi vlerën totale të këtyre projekteve dhe duke detajuar shpenzimet e lidhura me to brenda vitit. Megjithatë, Banka e Shqipërisë sugjeron vlerësimin e mundësisë së përfshirjes së një kufiri të sipërm të përgjithshëm mbi vlerën totale të PPP-ve në raport me PBB-në në Ligjin Organik të Buxhetit.

Po ashtu, gjejmë me vend të theksojmë që projektet e reja të PPP-ve duhet të miratohen brenda një kornize, e cila mundëson prioritizimin e investimeve publike.

Struktura valutore e borxhit publik

Analiza e borxhit publik dhe matrica e rreziqeve të tij në të ardhmen tregon se kompozimi i borxhit duhet përmirësuar, sidomos në termat e monedhës, drejt rritjes së peshës së borxhit të denominuar në monedhë kombëtare dhe kontrollin e ekspozimit ndaj borxhit të denominuar në monedhë të huaj.

Mbi efektivitetin e financave publike

Banka e Shqipërisë ka mbështetur në vazhdimësi sanksionimin ligjor, i cili kërkon që niveli i investimeve publike të jetë jo më i vogël se niveli i huamarrjes. Duke nënvizuar dhe një herë rolin e madh që këto investime kanë në zhvillimin e vendit, Banka e Shqipërisë sugjeron ruajtjen e vëmendjes ndaj deficitit strukturor korrent, në interes të ruajtjes së hapësirave për investime kapitale në të ardhmen.

***

E nderuar zonja Kryetare,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Më lejoni t’ju shpreh, në fund të fjalës sime, vullnetin e gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për respektimin e detyrave të saj ligjore dhe për vijimin e vazhdueshëm të dialogut me Kuvendin dhe Qeverinë Shqiptare.

Ju faleminderit!