BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatores së Parë në Workshopin Teknik “Aspektet teknike dhe ligjore të lidhjes me skemat SEPA”
Data e publikimit: 25.01.2025
Të nderuar përfaqësues të Bankës Botërore, Këshillit Evropian të Pagesave dhe Bankës Qendrore Evropiane,
Të nderuar pjesëmarrës,
Kam kënaqësi të veçantë të hap këtë Workshop ku kryefjala e diskutimeve do të jetë SEPA dhe anëtarësimi i institucioneve në këto skema. Ashtu si dhe e kam theksuar në takimet tona të mëparshme, anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA ka qenë një moment historik, jo vetëm sa i përket integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, por dhe për vetë përfitimet, efikasitetin dhe oportunitetet që sjell për ekonominë tonë, për tregun bankar dhe atë financiar.
Megjithatë, puna jonë nuk ka mbaruar me anëtarësimin e vendit; sfida e radhës është që secili nga ju të përmbushë të gjitha hapat e nevojshëm për anëtarësimin në skemat SEPA, duke filluar nga prilli i këtij viti, me qëllim që të gjitha këto përfitime të materializohen dhe të bëhen pjesë e përditshmërisë të qytetareve, bizneseve dhe gjithë aktorëve të tregut.
Në këtë drejtim dua dhe njëherë t’ju inkurajoj të jeni sa më proaktivë në përmbushjen e këtij objektivi që tashmë është tërësisht një proces që varet nga ju. Banka e Shqipërisë dhe të gjitha institucionet partnere si Banka Botërore, Këshilli Evropian i Pagesave dhe Banka Qendrore Evropiane, me siguri do të jenë mbështetësit tuaj kryesorë dhe do t’ju shërbejnë si udhërrëfyes në këtë rrugëtim tuajin.
Pavarësisht se ky rrugëtim është individual, ai kërkon një angazhim maksimal dhe bashkëpunim midis jush që të kryhet në mënyrë efikase dhe të shpejtë. Më lejoni t’ju sjell në vëmendje se anëtarësimi në SEPA për secilin nga ju sjell një dimension të ri në të ardhmen e shërbimeve që ju ofroni. Përtej benefiteve që kemi përmendur në vazhdimësi për qytetarët, bizneset dhe ekonominë në tërësi, ky anëtarësim ju vendos në pozicion avangard krahasuar me vendet e tjera të rajonit ku ju jeni prezentë, por që nuk janë ende në SEPA. Nga ana tjetër, anëtarësimi në SEPA po krijon parakushtet e nevojshme për përgatitjen tuaj, në kuadër të integrimit të plotë të vendit në BE.
Për të gjitha këto arsye, theksoj se duhet ta shihni këtë si një projekt të rëndësishëm dhe prioritar, i cili shënon hapin e parë drejt një rrugëtimi ambicioz dhe sfidues që në thelb do të ketë një ndikim shumë më të gjerë se thjesht ofrimi i një produkti të ri.
Në këtë drejtim gjej rastin të theksoj edhe nevojën për angazhimin tuaj maksimal në projektet e tjera në fushën e pagesave si open–banking dhe, së fundmi, instant payment. Këto projekte janë pashmangshmërisht të ndërlidhura me përgatitjen e tregut tonë për të ardhmen evropiane dhe inovacionin e nevojshëm që ju duhet të zotëroni për të përballuar konkurrencën.
Falë vizionit largpamës dhe strategjik të Bankës së Shqipërisë, mbështetur edhe nga qeveria shqiptare, operacionalizimi i open banking dhe i instant payment bazohet tërësisht në standarde dhe praktika të Bashkimit Evropian, duke mundësuar një tranzicion sa më të lehtë dhe efikas të tregut.
Në përmbyllje të fjalës sime gjej rastin të falënderoj Bankën Botërore për mbështetjen shumëvjeçare në fushën e pagesave, duke kontribuuar kështu për arritjen e shumë objektivave dhe tejkalimin e po aq sfidave. Një falënderim i veçantë shkon edhe për Këshillin Evropian të Pagesave për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA dhe përfshirjen aktive edhe në anëtarësimin individual të institucioneve. Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, falenderoj Bankën Qendrore Evropiane për mbështetjen e saj në lidhje me mundësinë për integrimin e tregut shqiptar të pagesave me atë të Bashkimit Evropian, nëpërmjet miratimit të projektit TIPS clone, i cili do të hapë rrugën për një anëtarësim të plotë në të ardhmen e afërt.
Ju uroj një aktivitet sa më të frytshëm dhe ftoj pjesëmarrësit të jenë sa më aktivë në diskutime, me qëllim që të përfitojnë maksimalisht nga ky aktivitet i rëndësishëm për anëtarësimin në skemat SEPA.
Faleminderit!