BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatores së Parë të Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni, në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Departamenti i Ekonomiksit, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, 1 dhjetor 2017

Data e publikimit: 01.12.2017

 

Të nderuar profesorë,

Të nderuar kolegë,

Të dashur studentë,

Është një nder për mua të përshëndes në emër të Bankës së Shqipërisë, punimet e konferencës së parë ndërkombëtare të organizuar nga Departamenti i Ekonomiksit, Fakulteti Ekonomik me temë “ Socio – Economic Perspectives in the Age of XXI Century Globalization”. Dhe njëkohësisht, është një kënaqësi e veçantë të jem midis kolegëve në fakultetin tim.

Përmes fjalës time sot, dëshiroj t’ju njoh pikërisht me rolin dhe vlerësimin që Banka e Shqipërisë i ka dhënë analizës dhe kërkimit shkencor në veprimtarinë e saj.

Banka e Shqipërisë është e angazhuar në fushën e kërkimit shkencor, duke bërë investime serioze në kapacitete njerëzore, financiare e teknologjike për mbështetjen e kërkimit dhe analizës shkencore. Qëllimi i këtij investimi është të shfrytëzojë informacionin e gjerë statistikor në fushën e ekonomisë, financës, demografisë etj., për të siguruar një njohje sa më të plotë të fondamenteve konceptuale dhe empirike që ndikojnë stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar në ekonomi. Konkluzionet dhe rezultatet e kërkimit shkencor në nivel makro dhe mikroekonomik janë përgjithësisht të fokusuara tek efektet që zhvillimet ekonomike e financiare në vend kanë mbi politikën dhe operacionet monetare, politikat e stabilitetit financiar apo mbikëqyrjen bankare. Objektivi i aktivitetit kërkimor mbetet mbështetja e vendimmarrjes në funksion të përmbushjes së mandatit të Bankës së Shqipërisë. Njëkohësisht, aktiviteti i kërkimit synon të nxisë dhe të mbështesë diskutimet publike dhe akademike mbi zhvillimet ekonomike në vend dhe më gjerë, duke shërbyer edhe si një shkollë për stafin e bankës në punën e tij të përditshme.

Fokusi i kërkimit shkencor, metodologjitë dhe burimet e informacionit statistikor të përdorura kanë evoluar në përputhje me problematikat e kohës. Ato kanë ndjekur përgjithësisht çështjet që kanë shqetësuar Bankën e Shqipërisë. Megjithëse mbushen 10 vjet nga shpërthimi i krizës financiare globale dhe efektet e saj kanë evoluar, ato vazhdojnë të jenë të pranishme në ekonomi. Kërkimi dhe analiza jonë e kanë reflektuar këtë evoluim më së miri. Temat që kanë dominuar kërkimin dhe konferencat shkencore të Bankës së Shqipërisë kanë prekur çështje që lidhen me rikonceptimin dhe riorientimin e politikës makroekonomike; analizën dhe diskutimin e çështjeve të stabilitetit financiar dhe efekteve nga kanalet e transmetimit të krizave; rikonceptimin e politikës monetare në kushtet e krizave financiare dhe ndërveprimin e saj me politikën e stabilitetit financiar; rolin dhe ndikimin që zhvillimet financiare dhe struktura e tregut financiar ka mbi stabilitetin financiar dhe efektshmërinë e politikave të bankës qendrore etj.

Studime të ndryshme të diskutuara në këto aktivitete dhe të publikuara në botimet me karakter shkencor të Bankës së Shqipërisë, kanë nxjerrë në pah se ishin luhatjet e moderuara ekonomike dhe stabiliteti i çmimeve, faktorët që mund të kenë shkaktuar “verbërinë” e të gjithëve për të kuptuar stuhinë që po vinte. Bankat qendrore, sidomos ato nën regjimin e shënjestrimit të inflacionit, besonin se përdorimi i një instrumenti (pra, i normës bazë të interesit) për një qëllim të vetëm (kontrollin e inflacionit) ishte i mjaftueshëm për arritjen dhe ruajtjen e objektivave të tyre si autoritet monetar. Por inovacionet financiare, të zgjeruara e të ndërlikuara shumë gjatë kohës, çuan në rritjen e levës financiare tradicionale, e cila shkaktoi një destabilitet të gjithë sistemit edhe pse me një alokim të diversifikuar të rrezikut.

Sigurisht, Ballkani dhe Shqipëria nuk mund të ishin imune ndaj efekteve “kontaminuese” të krizës. Efektet u ndjenë në rënien e eksporteve, rënien e rritjes ekonomike, frenimin e shpejtë të kreditimit dhe përgjysmimin e dërgesave të emigrantëve në formë investimi apo ndihme për familjarët e tyre në vendlindje.

Banka e Shqipërisë, e gjendur përballë këtyre sfidave, ndoqi fillimisht një politikë monetare lehtësuese, duke ulur në mënyrë të vazhdueshme normën e interesit që prej vitit 2009. Megjithatë, në kushtet e një krize financiare globale të stërzgjatur, stabiliteti i çmimeve është një kusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm, duke bërë që Banka e Shqipërisë si shumë banka të tjera qendrore të adresojnë edhe çështjen e stabilitetit financiar, nëpërmjet politikave makroprudenciale për të forcuar sistemin bankar dhe financiar të vendit, si dhe duke adresuar çështjen e kredive të këqija.

Të gjitha këto zhvillime si dhe mekanizmi i përgjithshëm ekonomik e financiar që i lidh ato, përbëjnë një interes të veçantë për punën studimore. Analizat kërkimore, vit pas viti, kanë tentuar t’iu japin përgjigje shumë sfidave dhe dilemave me të cilat përballet ekonomia jonë dhe për këtë arsye në dekadën e fundit kemi rivlerësuar fokusin dhe modelet kërkimore. Ndryshe nga tematikat kërkimore përpara krizës, të cilat ishin kryesisht në mbështetje të politikës monetare dhe të shënjestrimit të inflacionit, duke përdorur të dhëna agregate dhe modele makroekonomike (si VAR, VECM, ARDL etj.), tashmë ka lindur nevoja për të studiuar ekonominë më në imtësi si dhe heterogjenitetin midis agjentëve ekonomikë ku përfshihen familjet, bizneset dhe bankat. Për këtë arsye, kërkimi në Bankën e Shqipërisë është riorientuar drejt analizave me karakter mikroekonomik duke përdorur të dhëna panel dhe ndërsektoriale në mbështetje të funksionit të Bankës së Shqipërisë, si mbikëqyrëse e stabilitetit financiar dhe si rregullatore e aktivitetit të sistemit bankar.

Gjatë kësaj periudhe, ne kemi pasur mundësi, së bashku me ekspertë të fushës dhe akademikë, vendas e të huaj, të analizojmë tendencat më të fundit në zhvillimin e sektorit financiar, në gjithë rajonin, me theks të veçantë në ndërlikimet potenciale mbi ekuilibrin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të çdo ekonomie. Nga një këndvështrim i përgjithshëm, studimet e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë paraqesin, në një formë dhe metodologji rigorozisht shkencore, punën empirike të Bankës për analizën e zhvillimit të sistemit bankar, efikasitetit dhe stabilitetit financiar, konkurrueshmërisë, rrezikut sovran dhe rreziqet me të cilat përballet ekonomia shqiptare në të ardhmen.

Më lejoni të ilustroj me disa shembuj, disa nga studimet tona më të fundit:

  • Një studim shkencor mbi vlerësimin e “kufirit të poshtëm të normës bazë të politikës monetare” në fillim të vitit 2016- periudhë në të cilën u përballëm me nivele shumë të ulëta të inflacionit, me një ambient të jashtëm sfidues dhe me rrezikun e një inflacioni të paankoruar. Në këto kushte kur akoma ishte e paqartë sa mund të zgjaste kjo situatë, një nga pikëpyetjet më thelbësore të politikës monetare kërkonte përgjigje: deri në çfarë niveli mund të ulet norma bazë? Çfarë faktorësh duhen konsideruar për të vlerësuar këtë kufi të poshtëm? A ka vend për masa jokonvecionale dhe në ç’raport qëndrojnë këto me stabilitetin financiar? Cilat masa janë më efektive? Studimi përpiqet të vlerësojë se deri në çfarë niveli mund të ulej norma bazë e politikës monetare në kushtet konkrete të Shqipërisë për të siguruar stabilitetin e çmimeve, por pa cenuar stabilitetin financiar. Studimi jepte qartë mesazhin se si rezultat i qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit - si një faktor kyç në ekonominë tonë - kufiri i poshtëm i normës bazë nuk ishte arritur dhe se kishte akoma hapësirë për të përdorur instrumentin tradicional. Në një ekonomi dhe sistem financiar me një prani të theksuar të Euros, këto rezultate dhe kërkime të tjera të dedikuara janë konsideruar në politikat e BSH-së për de-euroizimin.

  • Mekanizmi i transmetimit të politikës monetare ka qenë pjesë integrale e studimeve analitike dhe empirike të BSH-së, me synim identifikimin dhe vlerësimin e impaktit të kanaleve të transmetimit të politikës monetare dhe të kursit të këmbimit në prodhim dhe në inflacion pas krizës, bazuar në fakte empirike të reja.

  • Studime mbi hendekun e kredisë, depërtimin dhe përfshirjen e financave, strukturën e sistemit financiar, me qëllim mbështetjen e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike, janë në proces dhe duhet të plotësohen. Ato synojnë të vlerësojnë me besueshmëri të pranueshme nivelet optimale të treguesve të rritjes në ekonominë reale dhe sektorin financiar.

  • Studime mbi ndërveprimin e makroprudencës me mikroprudencën janë në proces, shoqëruar me modelime të instrumenteve përkatëse për të mitiguar efektet e ciklit financiar në ekonomi.

  • Puna empirike e Bankës së Shqipërisë është bërë bashkë në formën e disa modeleve ekonometrike, të cilat kanë në fokus politikën monetare, ekonominë reale dhe sistemin financiar. Këto modele përshkruajnë në mënyrë të detajuar lidhjen ndërmjet sektorit bankar dhe ekonomisë në përgjithësi. Ato japin një tablo analitike të kuantifikuar, përmes së cilës mund të analizohen dhe vlerësohen efektet e rreziqeve potenciale, në nivel individual apo makroekonomik, që mund të godasin sektorin financiar. Këto modele ofrojnë një bashkësi instrumentesh për të analizuar dhe parashikuar sjelljen e sistemit bankar ndaj zhvillimeve financiare makroekonomike dhe efektshmërinë e politikave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë. Modelet sjellin një vlerë të shtuar në analizën e zhvillimeve në sistemin bankar përkundrejt mjeteve alternative të bazuara në ekuacione të vetme, pasi ato i përcaktojnë dhe i gjenerojnë vlerësimet për treguesit kryesorë ekonomikë e financiarë në mënyrë endogjene e të njëkohshme.

Konkluzionet e kërkimeve të Bankës së Shqipërisë identifikojnë nevojën për t’u thelluar në hulumtime të mëtejshme empirike dhe për diskutimin e tyre midis ekspertëve të fushës.

  • Problematikat aktuale dhe boshllëqet e identifikuara në kuadrin empirik të analizës dhe të parashikimit për tregun financiar e atë bankar, përcaktojnë nevojën e zgjerimit të kërkimit shkencor, në lidhje me çështjet e stabilitetit financiar dhe mbikëqyrjes bankare.

  • Më shumë studime nevojiten në fushën e të dhënave dhe statistikave, për të siguruar një informacion të besueshëm dhe sistematik. Aktualisht, zhvillimet teknologjike dhe përhapja e tyre po e rrisin me shpejtësi sasinë e informacionit të gjeneruar dhe akumuluar në të gjitha fushat e jetës. Ky informacion përmban dhe përcjell sjelljen e publikut dhe perceptimin e tij në lidhje me zhvillimet politike, sociale e ekonomike, dhe si i tillë, përmban sinjale të vlefshme për politikëbërjen. Shfrytëzimi “i mençur” i këtij informacioni mund të ndihmojë në vlerësimin e pritshmërive dhe perceptimeve të publikut dhe në përmirësimin e parashikimeve dhe analizës së vendimmarrjes. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë synon të investojë në hulumtimin dhe aplikimin e teknologjive të “Big Data”, për filtrimin e informacioneve të vlefshme nga bashkësia e informacioneve numerike e shkresore (të strukturuara ose jo) që gjenerohen nga e gjithë ekonomia e publiku. Ne gjithashtu inkurajojmë dhe studiues të tjerë të përfshihen në këtë projekt - një sfidë më vete kjo, që do t’i pasuronte shumë analizat tona.

Vlerësojmë dhe shpresojmë se kërkimi shkencor në Bankën e Shqipërisë në fushat e përmendura me lart, do të nxisë interesin e akademisë dhe studiuesve të fushës për të plotësuar më tej hallkat që mungojnë, duke e bërë këtë pjesë të punës së tyre akademike, në mënyrë që akademia t’i paraprijë zhvillimeve të mëtejshme dhe të mbështesë sa më shumë hartimin e politikave. Prandaj, gjej rastin të ftoj të gjithë të interesuarit të përfshihen në diskutimin e punimeve akademike dhe atyre shkencore.

Përveç zotërimit të njohurive teorike të konsoliduara, akademia ka potencialin të udhëzojë në drejtim të zhvillimit të politikave, si në aspektin e inputeve kërkimore, po ashtu dhe në aspektin e pjesëmarrjes në proceset vendimmarrëse. Banka e Shqipërisë vë re se institucionet kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në krijimin dhe akumulimin e kapitalit njerëzor në fushën e kërkimit shkencor. Aktualisht, përmes krijimit të studimeve të doktoraturës, është krijuar një rrjet kërkimi shkencor që përmbledh në vetvete profesorët, studentët aktualë dhe institucionet akademike. Ky rrjet ka potencial të madh për zhvillimin e kërkimit shkencor në ekonomi dhe diskutimin e kërkimit të gjeneruar nga Banka e Shqipërisë apo institucionet e tjera që veprojnë në këtë fushë. Pjesëmarrja e tyre në aktivitetet e organizuara nga Banka e Shqipërisë, me qëllim diskutimin e analizave dhe studimeve empirike, mund të jetë më e madhe. Rrjedhimisht, në mbyllje, i bëj thirrje studiuesve dhe përdoruesve potencialë të studimeve të përfshihen në diskutimin e punimeve akademike dhe atyre shkencore me karakter ekonomik. Kjo edhe për faktin se modelet empirike mbeten në një proces të vazhdueshëm përmirësimi dhe plotësimi. Si pasojë edhe pjesëmarrja dhe diskutimi i tyre përbën një proces thelbësor të domosdoshëm dhe për vendimmarrjen. Njëkohësisht i inkurajoj lexuesit të hyjnë në diskutim me kërkuesit dhe punonjësit e Bankës së Shqipërisë për të zhvilluar debatin mbi tematikat e mësipërme dhe për të nxitur hulumtimin e këtyre hipotezave nga këndvështrime të reja.

Duke shpresuar se punimet e kësaj konference në vazhdim do të karakterizohen nga një shkëmbim i frytshëm i ideve dhe pikëpamjeve mes të pranishmëve në këtë sallë, ju uroj punë të mbarë!