BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Fatos Ibrahimi mbajtur në Forumin e Biznesit me Guvernatorët dhe Bordin e Drejtorëve të Bankës së Detit të Zi, 19.06.2011

Data e publikimit: 20.06.2011

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Është një kënaqësi e veçantë të marr fjalën në këtë forum të organizuar nga Banka e Detit të Zi, Tregtisë dhe Zhvillimit, që këtë herë ka në qendër të tij nxitjen e mundësive të zhvillimit në Shqipëri. Më lejoni të them se koha e mbajtjes së këtij forumi përkon me nevojën për sigurimin e  një rigjallërimi të ekonomisë së vendit, pas kapërcimit të efekteve të drejtpërdrejta të krizës financiare dhe ekonomike ndërkombëtare. Ky rigjallërim i ekonomisë, ka nevojë të bëhet më i qëndrueshëm duke nxitur zhvillimin e sektorëve që ofrojnë një avantazh konkurrues nëpërmjet zhvillimit të politikave të posaçme publike dhe ngritjes në një nivel të ri të partneritetit mes investimeve publike dhe atyre private.

Më lejoni që në vijim të ndalem më hollësisht në kontributin që sistemi financiar dhe sektori bankar mund të japin në mbështetjen e projekteve të vlefshme të biznesit.

Parakusht për kryerjen e një veprimtarie të suksesshme të ndërmjetësimit financiar, është zhvillimi dhe gjendja e mirë financiare e vetë  sistemit financiar dhe posaçërisht e sektorit bankar. Në fakt, në dekadën e fundit, sektori bankar ka njohur një zhvillim të shpejt. Në treg kanë hyrë grupe të mirënjohura bankare evropiane, të cilat kanë sjellë njohuritë dhe teknologjitë më të mira dhe kanë forcuar tiparet e konkurrencës së tregut ndërbankar. Gjithashtu edhe bankat me kapital shqiptar kanë zgjeruar rrjetin e tyre dhe kanë shfrytëzuar siç duhet përparësitë e njohjes më të mirë të tregut vendas. Si rezultat i politikave aktive të zhvillimit të veprimtarisë,sektori bankar ka patur rritje të qëndrueshme të depozitave dhe zgjerim të kreditimit. Mjafton të përmendim faktin që në fund të vitit 2004, kredia zinte vetëm 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit ,ndërsa sot ky nivel vlerësohet rreth 40%. Rreth 2/3 e kredisë është shfrytëzuar nga sektori privat, ndërsa pjesa tjetër nga familjet dhe individët. Në sektorin e biznesit, kredi kanë përfituar sektorët më të rëndësishëm dhe ata me zhvillimin më të shpejtë, siç janë tregtia, shërbimet e tjera, transporti dhe ndërtimi. Pothuaj të gjithë kredinë për biznese e kanë përfituar ato private, ndonëse së fundi konstatohet një rritje e kredisë për projekte/investime të sektorit publik. Nga ana tjetër, zgjerimi i rrjetit bankar dhe shfrytëzimi më i mirë i teknologjive të reja, kanë mundësuar ndjekjen e politikave më konkurruese, duke tërhequr një numër të madh depozituesish dhe duke ofruar shërbime të vlefshme për qytetarët. Depozitat vijojnë të përfaqësojnë burimin kryesor të financimit të sektorit bankar duke qenë një element që tregon për qëndrueshmërinë e tij. Normat e interesit për kreditë dhe depozitat, kanë pasqyruar objektivat për treguesit financiarë të bankave, politikën monetare në vend dhe në vendet e valutave kryesore, si edhe marzhin e rrezikut të vendit. Vlerësojmë se gjatë kësaj periudhe, këto norma interesi kanë qenë të përshtatshme për zhvillimin e qëndrueshëm të veprimtarisë së ndërmjetësimit financiar nga ana e sektorit bankar.

Gjate 2-3 viteve të fundit, ekonomia e vendit ndjeu ndikimin e krizës financiare dhe ekonomike ndërkombëtare. Autoritetet publike  u angazhuan për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit nëpërmjet politikave stimuluese, fiskale dhe monetare. Në sektorin bankar, kriza financiare ndërkombëtare u shfaq kryesisht me tkurrjen e ritmit të kreditimit për ekonominë  vendase. Gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë ka synuar të mos lejoj thellimin e ndikimit të kësaj krize, duke ofruar një politikë monetare lehtësuese, si edhe duke siguruar  likuiditetin e nevojshëm në tregun ndërbankar. Gjatë vitit 2009 dhe në vitin 2010, Banka e Shqipërisë uli me 1.25 pikë përqindje normën bazë të interesit, në nivelin 5%. Po ashtu, në pjesën më të madhe të vitit 2009, bankat përfituan likuiditet pa kufi, me normën e interesit të njëjtë me atë të politikës monetare.  Ndërkohë, përpara ndikimit të krizës, nëpërmjet akteve të posaçme rregullative të nisura prej vitit 2006, Banka e Shqipërisë synoi të kufizonte disa nga rreziqet e veprimtarisë bankare, si kreditimi i shpejtë dhe në valutë, nëpërmjet vendosjes së kërkesave më të larta për kapital për bankat më të ekspozuara. Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi komunikuar rregullisht me publikun e gjerë, me biznesin dhe me vetë industrinë bankare, për të shpjeguar veprimet tona dhe për të diskutuar rreth sfidave me të cilat ndeshen aktorët ekonomikë. Ne besojmë që si rezultat i këtyre veprimeve të autoriteteve publike dhe të bashkëpunimit me industrinë financiare, sektori bankar e përballoi me sukses ndikimin e krizës financiare ndërkombëtare, duke mbetur i qëndrueshëm dhe duke ruajtur tregues pozitivë të ndërmjetësimit financiar. Kështu, gjatë vitit 2010 rritja e kreditimit nga ana e sektorit bankarë, ndonëse në nivele më të ulëta se ato të viteve të parakrizës, mbeti e konsiderueshme duke qenë rreth 9%. Në disa vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore, ky tregues është negativ. Rënia e ritmit të kreditimit, e cila fillimisht u ndikua edhe nga faktorë të ofertës, është më tepër një fenomen që i atribuohet rënies së kërkesës për kredi. Si rezultat i pritjeve më të dobëta për zhvillimin e veprimtarisë, bizneset kanë ulur përdorimin e kapaciteteve të tyre prodhuese, duke ulur objektivat për investime dhe kërkesën për kredi.

  Megjithë përballimin e situatës së ndikimit të drejtpërdrejtë të krizës, sektori bankar dhe Banka e Shqipërisë duhet të përballen edhe me disa sfida të rëndësishme. Së pari, duhet ndjekur me kujdes ecuria e cilësia e kredisë, duke synuar që të evidentohen në kohë kreditë me probleme, të vlerësohen  drejtë sipas mundësive të tyre për t’u arkëtuar dhe të ndiqen politikat e nevojshme për rikuperimin e vlerës së kredisë brenda një kohe të përshtatshme. Së dyti, gjatë kësaj faze është e domosdoshme të forcohen sistemet e kontrollit të brendshëm në banka, jo vetëm ato që lidhen me rrezikun e kreditit por edhe ato që sigurojnë një standard më të lartë të drejtimit të tyre. Së treti, është e nevojshme që bankat të vlerësojnë pritshmëritë e tyre për ecurinë e veprimtarisë dhe të veprojnë për të forcuar paraprakisht pozicionin e tyre të kapitalit në rast nevoje.  Banka e Shqipërisë vlerëson që sektori bankar dhe ekonomia shqiptare kanë nevojë që gjatë kësaj kohe të përcaktojnë dhe të ndjekin disa politika më të përshtatshme të zhvillimit, që për sektorin bankar duhet të përfshijnë vendosjen e objektivave më realiste të zhvillimit, vendosjen e çmimeve me konkurruese për produktet dhe shërbimet bankare dhe rritjen e kreditimit në monedhën vendase.  Për ekonominë në përgjithësi, është e nevojshme të sigurohet një zhvillim më i qëndrueshëm që lidhet kryesisht me kontrollin më të mirë të ecurisë së deficitit tregtar, nëpërmjet mbështetjes së sektorëve që aktualisht kontribuojnë ose mund të kontribuojnë në rritjen e eksporteve të vendit. Autoritet publike duhet të përforcojnë angazhimin e tyre për zhvillimin e tregut financiar jobankar si një zhvillim i cili do të çoj gradualisht në uljen e varësisë së ekonomisë nga gjendja e sektorit bankar,  dhe do të përmirësojë aksesin në financim të një numri më të madh subjektesh private. Në këtë mënyrë do të sigurohej edhe një mundësi më e madhe e financimit nga ana e sistemit financiar të projekteve në sektorin e bujqësisë, si një prej sektorëve që ka potencial të lartë për sigurimin e avantazheve konkurruese të ekonomisë shqiptare.

Më lejoni që në përfundim të ritheksoj gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë që nëpërmjet politikave të saj në sferën monetare, dhe në atë të stabilitetit financiar, të kontribuojë për ruajtjen e një klime sa më të mirë të zhvillimit të shëndetshëm të veprimtarisë financiare, dhe të asaj bankare ne vend, si kusht për një mbështetje më të madhe financiare, për zhvillimin e biznesit në vend. Mendoj se ky forum do të jap një kontribut të çmuar në përcaktimin e disa politikave dhe projekteve konkrete të zhvillimit, për të cilat besoj se Banka e Detit të Zi, Tregtisë dhe Zhvillimit do të ofrojë mbështetjen dhe ekspertizën e saj.
Duke ju uruar sukses në zhvillimin e këtij forumi, ju falenderoj për vëmendjen!