BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendesguvernatorit të Dytë të Bankës së Shqipërisë, z. Limos Malaj, mbajtur në seminarin mbi Parandalimin e Pastrimit të Parasë, Hotel Tirana, 21 qershor 2005

Data e publikimit: 21.06.2005

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Në kuadrin e masave për forcimin e luftës kundër pastrimit të parave, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me FSVC dhe Shoqatën e Bankave të Shqipërisë organizon këtë seminar me temë: Bankat dhe roli i tyre në luftën kundër pastrimit të parave.

Sikurse dihet Shqipëria, mbështetur edhe nga asistenca e organizmave ndërkombëtarë si : FMN dhe Bashkimi Evropian, që ka punuar intensivisht për krijimin e bazës ligjore, ngritjen e strukturave të nevojshme për parandalimin e pastrimit të parave, si edhe po punon për trainimin dhe aftësimin e personelit të angazhuar në këtë punë. Banka e Shqipërisë si autoriteti i mbikëqyrjes së bankave dhe institucioneve finaciare jobankare, ka vlerësuar rëndësinë e këtij sektori nisur edhe nga roli i veçantë që këto institucione kanë në luftën kundër pastrimit të parave.

Praktika ka treguar se pastrimi i parave paraqitet si fenomen me rrezikshmëri të lartë shoqërore, për faktin që paratë e pista e kanë origjinën nga krimi dhe në shumë raste destinacioni i tyre përfundimtar është financimi i krimit. Po kështu, pastrimi i parave nuk është një problem i kufizuar në kohë dhe hapësirë. Ai ka një origjinë të largët në kohë dhe në vende e kohë të ndryshme është zhvilluar në përmasa dhe me intensitet të ndryshëm. Përvoja ka treguar se lufta kundër tij kërkon një angazhim dhe bashkërendim të punëve nga faktorë të brendshëm të një vendi, por edhe të forcimit të bashkëpunimit me autoritete, përkatëse të vendeve të tjera.

Sistemi bankar tek ne, si subjekt i ligjit të pastrimit të parave, ndodhet në procesin e zhvillimit dhe të konsolidimit të tij. Në praktikën tonë bankare është forcuar baza ligjore dhe rregulllative edhe në drejtim të luftës për parandalimin e pastrimit të parave. Masat e marra konsistojnë në krijimin e procedurave dhe të praktikave të qarta për identifikimin, regjistrimin dhe raportimin e transaksioneve të dyshimta pranë autoriteteve shtetërore të ngarkuara me investigimin e mëtejshëm të tyre. Masat për parandalimin e pastrimit të parave kanë qenë gjithashtu objekt monitorimi e vlerësimi jo vetëm nga autoritetet mbikëqyrëse brenda vendit, por edhe nga institucionet ndërkombëtare të specializuara. Por, sikurse theksuam në fillim, ky proces kërkon që të thellohen më tej masat e marra, edhe nga vetë institucionet financiare e bankare.

Në sfidat që po ballafaqohet sistemi bankar dhe Banka e Shqipërisë mund të përmendim:

Së pari: Përpjekjet për reduktimin e ekonomisë në cash. Sikurse duket, Shqipëria karakterizohet nga kryerja e një pjese të mirë të transaksioneve financiare jo nëpërmjet bankave, por me lekë në dorë, gjë e cila krijon premisa për filtrimin e parave të pista.

Së dyti: Rrjeti bankar, po zgjerohet e shtrihet gjithnjë e më shumë. Kjo kërkon edhe masa më të forta për kualifikimin dhe trainimin e personelit që punon në këta sektorë.

Së treti: Sistemi bankar po ofron gjithnjë e më shumë produkte të reja, të cilat nuk kanë qenë prezente më parë duke filluar nga shumëllojshmëria e kartave të kreditit dhe deri në kryerjen e transaksioneve bankare në rrugë elektronike - sipas të cilit kryerja e veprimeve në bankë bëhet pa qenë prezent vetë klienti.

Të gjitha këto kërkojnë të rishikohen në vazhdimësi rregullat dhe procedurat e hartuara, por edhe të punohet për aftësimin dhe trainimin e punonjësve të bankave. Këtij qëllimi i shërben edhe organizimi i këtij seminari, të cilin Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave e konsiderojmë si një çështje të përbashkët midis Bankës Qendrore dhe bankave të nivelit të dytë.

Me këtë rast dëshiroj të falenderoj edhe një herë agjencinë amerikane "Financial Services and Volounteer Corps" për asistencën që po na jep duke siguruar specialistë me eksperiencë të gjerë në fushën bankare dhe veçanërisht në fushën e parandalimit të pastrimit të parave.

Më në fund , do të falenderoj lektorët si aseti më i vlefshëm në aktivitete të tilla, duke shprehur mirënjohjen e Bankës së Shqipërisë për ardhjen e tyre për të na asistuar në zhvillimin e këtij seminari.