BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë, z.Fatos Ibrahimi, në Konferencën e përbashkët për shtyp në Ministrinë e Financave mbi Programin Përtej parasë

Data e publikimit: 09.08.2004

 

Banka e Shqipërisë ka identifikuar si një prej prioriteteve të saj reduktimin e "cash"-it në ekonomi nisur nga niveli shqetësues që ka ky fenomen për Shqipërinë. Paraja jashtë bankave ndaj agregatit monetar M3 aktualisht shënon rreth 26 për qind. Megjithëse ky është niveli më i ulët i regjistruar gjatë viteve të fundit, përsëri mbetet i lartë në krahasim me standartet ndërkombëtare. Sipas sondazheve tona një pjesë e vogël e individëve kanë një llogari bankare dhe po ashtu niveli i atyre që e përdorin në mënyrë të rregullt bankën në transaksionet e përditshme lë për të dëshiruar.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë e ka identifikuar cash-in në ekonomi të lidhur jo vetëm me mungesën e edukimit të publikut shqiptar me bankat, po edhe me krimin ekonomik dhe atë financiar. Cash ndihmon edhe aktivitetin informal në ekonomi dhe evazionin fiskal në veçanti, dhe nga ana tjetër ështe një pengesë serioze për mirëfunksionimin e mekanizmit të trasmesionit të politikës monetare të Bankës Qendrore.

Këto janë disa nga argumentat kryesore që shtynë Bankën e Shqipërisë si përfaqësuese e sektorit bankar dhe Ministrinë e Financave si përfaqësuese e Qeverisë dhe institucioneve publike, të bashkëfirmosin një plan konkret veprimesh në kuadër të Programit "Përjet Parasë".

Çfarë është bërë?
Pas një procesi disa mujor të ndërgjegjësimit të sistemit bankar, biznesit, komunitetit të shoqërisë civile dhe medias, Banka e Shqipërisë hodhi hapat konkretë në disa drejtime. Kuadri ligjor dhe rregullativ i miratuar nga Banka e Shqipërisë është në funksion të modernizimit të sistemit të pagesave ndërbankare.

Vetë Banka Qendrore, me ndihmën e Bankës Botërore realizoi me sukses dhe që ka fillimi i vitit ka vënë në funksion sistemin e Pagesave të Mëdha në Kohë Reale(RTGS) duke lehtësuar dhe realizuar në kohë dhe me kosto reale pagesat e mëdha mes bankave. Po ashtu, Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore janë në fazën e realizimit të projektit të kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël(AIPS)duke kompletuar në këtë mënyrë infrastrukturën e nevojshme për pagesat ndërbankare.

Që në muajin qershor, Banka e Shqipërisë realizoi projektin pilot të pagesës së pagave të punonjësve të saj në një llogari bankare në një nga bankat e sistemit bankar, zgjedhur mbi bazën e ofertave konkuruese dhe një procesi transparent. Vetë bankat e nivelit të dytë janë të përfshira në një proces intensiv marketingu të shërbimeve bankare dhe hapjes së degëve të reja, uljes së komisioneve bankare, investimit për makinat e tërheqjes së parave(ATM), ofertimin e produkteve të reja bankare për klientët etj..

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë falë një procesi transparent dhe mbështetjes së FMN-së, Bankës Botërore dhe OSBE-së ka punuar për të realizuar ndërgjegjësimin e publikut duke fituar edhe mbështetjen e tij në procesin e zëvendësimit të cash-it me transaksione bankare.

Sfidat e BSH-së dhe sistemit bankar
Kalimi i pagave nëpërmjet sistemit bankar është edhe hapi i parë i programit "Përtej parasë" që pritet të ketë një efekt të konsiderueshëm në kalimin e likuiditetit nëpërmjet bankave. Shumica e bankave të nivelit të dytë e ofrojnë pagesën e shërbimeve publike nëpërmjet llogarive bankare dhe programi parashikon që likuidimi i detyrimeve mujore të telefonisë, energjisë, ujit etj., për të gjithë ata që kanë një llogari banare të bëhen nëpërmjet bankave.

Në një etapë të dytë, programi parashikon edhe përmirësimin e aspekteve ligjore dhe legjislative të pagesave elektronike dhe bankingut nëpërmjet internetit etj.. Institucionet do të shqyrtojnë me kujdes ligjin për sekretin bankar, ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe kuadrin ligjor të lidhur me veprimtaritë bankare për të identifikuar pikat e dobta që kanë çuar në zhvillimin e aktivitetit informal dhe për të kryer përmirësimet e nevojshme ligjore.

Zyra e Informacionit të Kredive është një tjetër sfidë e sistemit bankar e cila mendohet se do të japë një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e një aktiviteti të shëndetshëm huadhënës të bankave për biznesin pasi kreditimi po rritet me rreth 30 për qind në vit. Banka e Shqipërisë është e angazhuar seriozisht në procesin e kryerjes së rregullimeve të nevojshme të kuadrit rregullativ, mundësive të financimit të projektit dhe ndërmarrjen e hapave konkrete deri në ngritjen e kësaj Zyre.

Bankat tregtare janë të angazhuara në procesin e marketingut të shërbimeve bankare, në mënyrë të veçantë të kartave të debitit dhe kreditit, zgjerimin e rrjetit të ATM-ve, POS(point of sale) ndërsa Banka e Shqipërisë po synon edukimin e publikut nëpërmjet një pakete të plotë edukuese dhe ndërgjegjësuese.

Të gjitha këto masa të planifikuara në një plan konkret veprimesh dyvjeçar pritet të japin efektet e dëshiruara në reduktimin e cash-it në ekonomi.

Ju faleminderit!