BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e mbylljes e z. Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, në Forumin e Hapur "Parakushtet për shënjestrimin e inflacionit në Shqipëri"

Data e publikimit: 02.12.2005

 

Zonja dhe Zotërinj,

Do të doja ta përfundoja këtë Forum duke thënë së pari e mbi të gjitha, që mendoj se kemi patur dy ditë me të vërtetë të frytshme! Ishte një kënaqësi e madhe për mua të dëgjoja pikëpamjet tuaja, propozimet konstruktive dhe idetë e frytshme mbi politikën monetare në Shqipëri. Ju falenderoj shumë për të gjithë kontributin e dhënë!

Në fund të këtij Forumi do të doja të ndaja me ju pikëpamjet e mija personale mbi rrugën që Banka e Shqipërisë ka përpara. Por, së pari do të vendosja këto zhvillime në aspektin historik.

Që prej vitit 1990 deri sot në vitin 2005, ekonomia shqiptare është transformuar nga një ekonomi e centralizuar dhe e izoluar në një ekonomi tregu të lirë. Përpara vitit 1990 funksiononte vetëm një monobankë shtetërore. Ndërsa sot kemi një bankë qendrore të rrethuar nga shumë banka të nivelit të dytë dhe institucione të tjera financiare. Në vitin 2000 banka qendrore kaloi tërësisht në përdorimin e instrumenteve indirekte për drejtimin e politikës së saj monetare.

Siç e shikoni, Banka e Shqipërisë ka një histori relativisht të shkurtër bankingu qendror. Për mendimin tim, banka qendrore është duke ecur në rrugën e drejtë. Por ka ardhur koha për të vendosur si duhet lëvizur që tani e këtej në të ardhmen. Kjo ka qenë dhe arsyeja kryesore e organizimit të këtij Forumi të Hapur.

Një synim final për vendin tonë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Hyrja në Bashkimin Evropian nënkupton një anëtarësim të plotë. Për rrjedhojë, kjo mund të përfshijë dhe adoptimin e euros diku, pas këtij momenti. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të çojë në hyrjen në ERM II, dhe më pas adoptimin e plotë e të ligjshëm të euros. Kjo do të sjellë dhe ndjekjen automatike të politikës monetare të Bankës Qendrore Evropiane. Megjithatë, këto janë akoma zhvillime që i përkasin të ardhmes.

Duke patur parasysh këtë periudhë deri në hyrjen në Bashkimin Evropian, ne jemi të vetëdijshëm për ndryshimet e vazhdueshme që pëson bota rreth nesh. Shqipëria si një ekonomi e vogël dhe e hapur është pjesë e kësaj bote në lëvizje. Sot, gjendemi përballë globalizimit e liberalizimit të shpejtë, thellimit dhe zgjerimit të vazhdueshëm të tregjeve financiare, shoqëruar me futjen e produkteve të reja financiare në, një botë gjithnjë e më të lidhur. Shqipëria ndikohet çdo ditë nga këto zhvillime. Ndaj, Shqipëria ka nevojë për një ndjekje të vazhdueshme të këtyre zhvillimeve të reja ndërkohë që i duhet të përballojë këto sfida ndërkombëtare.

Përpara arritjes së objektivit final, atij të hyrjes në Bashkimin Evropian, në këtë botë në lëvizje mbetet ende një rrugë e gjatë për t'u bërë. Në lidhje me politikën monetare, sot Banka e Shqipërisë mendon se rruga që duhet ndjekur është shënjestrimi i inflacionit. Rrugë më të mira do ta bëjnë më të shpejtë vajtjen në Aeroportin e Tiranës. Në të njëjtën mënyrë, sa më efektive, të jetë politika monetare në ruajtjen e stabilitetit e çmimeve, aq më shpejt Shqipëria do të mund të marrë rrugën drejt fqinjëve evropianë dhe të arrijë nivelet e larta të mirëqenies së tyre.

Ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se adoptimi formal i shënjestrimit të inflacionit është një proces, i cili kërkon shumë punë si dhe plotësimin e disa parakushteve, siç u nënvizua dhe gjatë këtyre dy ditëve. Shënjestrimi i inflacionit është më tepër një maratonë se sa një garë e shkurtër me pengesa. Këto dy ditë treguan se nuk është çështje e një vendimi të vetëm që do të zgjidhte të gjitha problemet. Ky proces duhet të jetë gradual. Kjo vlen sidomos për një vend në tranzicion siç është Shqipëria. Sfidat që përballon vendi ynë janë të ndryshme nga ato të vendeve të zhvilluara.

Ku konsiston Plani i Punës sonë?

Fillimisht do të dalloja pjesën e punës brenda dhe jashtë bankës qendrore. Pjesa e punës jashtë bankës qendrore mund të ndahet më tej në pjesën breda Shqipërisë dhe pjesën ndërkombëtare.

Si një nga detyrat e mija kryesore unë konsideroj ngritjen e mëtejshme të bankës qendore në nivelin e një institucioni të njohur dhe të respektuar. Këto nivele të larta pune brenda bankës qendrore do t'i arrijmë duke u mbështetur në njerëz të rinj, të kualifikuar dhe ambiciozë. Për të marrë vendime të sakta për politikën monetare dhe për mbikëqyrjen dhe stabilitetin financiar (në një kuptim të gjerë) banka qendrore ka nevojë për diskutime bashkëkohore dhe studime thelbësore. Gjithashtu, duhet siguruar ruajtja e kapaciteteve njerëzore. Shënjestrimi i inflacionit duhet të shqyrtohet dhe të analizohet më tej në të gjitha aspektet. Modelet ekonometrike duhet të zhvillohen më tepër për parashikimin e saktë të inflacionit dhe qartësimin e kanaleve të transmetimit. Më tepër punë statistikore nevojitet, në veçanti në lidhje me informacionin e ekonomisë reale në nivel firmash individuale. Duhet krijuar një njësi e specializuar që përqendrohet mbi të gjitha segmentet që kanë të bëjnë me indeksin e çmimeve të konsumit. Duhet të përpilohet një strategji e qartë dhe profesionale komunikimi, të cilës duhet t'i përmbahemi në mënyrë rigoroze. Informacioni për politikën monetare duhet të përshtatet në një gjuhë të kuptueshme për grupet e ndryshme të popullsisë në vendin tonë. Krahas këtyre masave, duhet të vazhdojmë diskutimet tona lidhur me vendimmarrjet monetare, të cilat gjykohen të rëndësishme për shënjestrimin e inflacionit. Këto veprimtari brenda Bankës së Shqipërisë përbëjnë axhendën time për të nesërmen.

Për pjesën jashtë bankës qendrore, në Shqipëri duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare dhe kanaleve të tjera të transmetimit. Këtë gjë nuk mund ta bëjmë vetëm. Në këtë kuptim, duhet të vendosim një bashkëpunim më të thellë e konstruktiv me institucionet e tjera vendore. Së bashku me Ministrinë e Financave dhe Parlamentin duhet të shtjellojmë më tej çështjet ligjore për forcimin e pavarësisë së bankës qendrore. Me Ministrinë e Financave jemi duke punuar tashmë mbi disa projekte, si për shembull projekti kundër përdorimit të cash-it në ekonomi, projekti mbi zyrën e inormacionit të kredive, tregun e bonove të thesarit etj.. Por, një çështje me një rëndësi të veçantë në axhendën tonë dhe në atë të Ministrisë së Financave duhet të zërë problemi i statistikave. Statistikat e INSTAT-it duhen përshpejtuar në kohë si dhe duhen përmirësuar për t'i ardhur më mirë në ndihmë vendimeve të politikave të ndjekura nga banka qendrore dhe qeveria. Ashtu siç u diskutua edhe gjatë këtyre dy ditëve, ne duhet të përpiqemi të mbushim hendekun ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe bankave të tjera qendrore në Evropë. Ligji për bankën qendrore i ka shërbyer Shqipërisë për kohën kur ai u krijua. Tani, në prag të vitit 2006, të gjithë jemi në një mendje që ky ligj ka nevojë për përmirësime.

Struktura e drejtimit në bankën qendrore duhet të vijë në nivelet e asaj të bankave qendrore në vendet më të zhvilluara. Duhet të ketë një pavarësi të plotë për politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë në njërën anë, dhe për politikat fiskale dhe politikat e tjera qeverisëse, në anën tjetër. Na duhet më profesionalizëm. Politika monetare duhet ndjekur me vizionin drejt të ardhmes. Duhet të përmirësojmë më tej përgjegjshmërinë. Duhet t'i bëjmë njerëzit tanë të hapur ndaj sfidave si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë, e njëjta gjë edhe përsa i përket politikave. Do të doja të shikoja më tepër takime të hapura ku mund të diskutonim në detaje mbi opinionet tona të ndryshme, por gjithashtu do të doja që në fund të ditës të arrinim marrëveshje - me qëllim të vetëm - përfitim për ekonominë shqiptare.

Bashkëpunimi ynë me organizatat ndërkombëtare, siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar, si edhe diskutimet e hapura rreth çështjeve të përputhshmërisë me strategjinë e re monetare do të vazhdojnë më tej. Bashkëpunimi me Komisionin Evropian duhet të intensifikohet, me qëllim harmonizimin e të gjitha kërkesave për bankën qendrore në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Për mendimin tim, Bashkimi Evropian është një nga përparësitë më të rëndësishme në Axhendën e Shqipërisë, dhe banka qendrore do të sigurojë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm që ligji i saj mbi bankën qendrore dhe të gjithë rregullat e rregulloret e mëtejshme, të jenë në përputhje me standardet evropiane.

Krahas kësaj, marrëdhëniet me Bankën për Rregullime Ndërkombëtare (BIS) dhe Bankën Qendrore Evropiane duhet të thellohen edhe më tej. Si një pikë të veçantë do të doja të theksoja sërish bashkëpunimin me bankat qendrore në rajon. Ne mund të ndajmë më shpesh pikëpamjet tona mbi politikën monetare, mbikëqyrjen dhe stabilitetin financiar. Ne gjithashtu, mund të kemi më tepër projekte të përbashkëta. Dhe një nga projektet e mëdha që kam në mendje është procesi i përgatitjes për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Siç e shikoni, Axhenda jonë është mjaft e plotë dhe e mbushur. E ndoshta jo vetëm për periudhën afatshkurtër, por edhe për atë afatgjatë. Por, më lejoni të ndalem këtu.

Jam i sigurtë që ne do të takohemi sërish në të ardhmen. Por, do ta mbyll këtu duke thënë që shpresoj t'ju takoj sërish në të ardhmen shumë të afërt. Dhe në këto raste do t'ju përditësoj me hapat dhe progresin që kemi bërë brenda Bankës së Shqipërisë! Sot kam thënë shumë fjalë, nesër do t'i vë ato në praktikë.

Edhe një herë, shumë faleminderit dhe rrugë të mbarë për në shtëpi.