BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e mirëseardhjes nga zj. Elisabeta Gjoni, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë, në seminarin e nivelit të lartë ndërkombëtar “Fondi i Sigurimit të Depozitave: Pyetje kryesore, qasje të ndryshme”

Data e publikimit: 12.12.2014

 

Mirëmëngjes dhe faleminderit për mundësinë që më dhatë për të marrë pjesë në këtë takim ndërkombëtar dhe për të diskutuar së bashku!

Është kënaqësi e madhe për Bankën e Shqipërisë (BSH), që Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) organizon këtë seminar me temë “Fondi i Sigurimit të Depozitave: Pyetje kryesore, qasje të ndryshme”. Gjej rastin të falënderoj edhe pjesëmarrësit nga e mbarë bota. Mirëserdhët në Tiranë dhe shpresoj të kaloni disa ditë të këndshme! Do të doja ta shfrytëzoja këtë mundësi për të shprehur mirënjohjen time për Organizatën Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave, Korporatën Federale të Sigurimit të Depozitave, dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave në Shqipëri, të cilët bënë të mundur zhvillimin e këtij aktiviteti në Tiranë.

Tema e seminarit të këtij viti është me mjaft interes për BSH-në dhe jam e sigurt që është po me aq interes edhe për institucionet e tjera përgjegjëse për stabilitetin financiar. BSH-ja pret me interes të dëgjojë dhe të mësojë mbi këndvështrimet dhe qasjet e ndryshme që do të ndahen në këtë seminar. Sigurisht që tema e këtij seminari bëhet akoma dhe më e ndjeshme në kontekstin e kompleksitetit aktual global financiar dhe të tablosë së zhvillimeve, të cilat ndryshojnë me ritme të shpejta.

Në fjalën time sot, do të doja të ndaja me ju dy aspekte kryesore:

  • Një pasqyrë të zhvillimeve të fundit në sistemin bankar shqiptar, dhe
  • E ardhmja e ASD-së nga këndvështrimi i BSH-së.

Që nga krijimi i ASD-së, BSH-ja ka qenë e angazhuar në mënyrë strategjike në krijimin dhe ruajtjen e një skeme eficiente dhe efektive të sigurimit të depozitave në Shqipëri. BSH-ja është një institucion relativisht i ri, i krijuar në vitin 1992. Që në fillim, një nga përgjegjësitë e saj ishte zhvillimi i një sistemi bankar të qëndrueshëm dhe të sigurt. Kështu, me punën e saj për ndërtimin e arkitekturës së re të sektorit bankar, e udhëhequr nga standardet ndërkombëtare dhe parimet e mbrojtjes së konsumatorit, dhe në bashkërendim me qeverinë, u bë i mundur krijimi i ASD-së. Kuvendi i Shqipërisë e miratoi ligjin për ASD-në në vitin 2002, me qëllim rikthimin e besimit të publikut në sistemin bankar vendas. Me ligj, BSH-ja është autoriteti mbikëqyrës i ASD-së. Fillimisht, ASD-ja ishte plotësisht nën ombrellën e bankës qendrore, dhe nga BSH-ja u transferuan ekspertiza dhe personeli, si dhe një numër rregulloresh, madje dhe ato të veprimtarisë operacionale, kërkonin miratimin e bankës qendrore.

Për gjashtë vjet, ASD-ja u zhvillua dhe u rrit me ritme normale dhe, në vitin 2008, u pozicionua për herë të parë në fokus. Sistemi bankar përjetoi tërheqje masive dhe të vazhdueshme të depozitave nga klientët në panik. Krahas masave të ndryshme të marra nga BSH-ja, Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar (GKSF) – i krijuar në vitin 2006 dhe i përbërë nga Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare – duke kuptuar rëndësinë e skemës së sigurimit të depozitave për stabilitetin financiar të vendit dhe të rolit të saj në ruajtjen e besimit të publikut, i propozoi Kuvendit të Shqipërisë trefishimin e nivelit të mbulimit (nga 700 mijë lekë në 2.5 milionë lekë për depozitues).

Marrëdhënia midis BSH-së dhe ASD-së është përforcuar përgjatë viteve dhe është shndërruar në një nga partneritetet dhe bashkëpunimet më të forta, të cilat u mundësojnë institucioneve tona të përmbushin misionet e tyre përkatëse, por dhe plotësuese.

Në Shqipëri, sistemi financiar mbizotërohet nga bankat, të cilat përbëjnë 94% të aktivitetit të sistemit financiar, ose rreth 88% të PBB-së. Filialet e bankave të huaja përfaqësojnë rreth 93% të aktiveve bankare totale. Huadhënia bankare financohet, në masë të madhe, nga depozitat në vend.

Si rrjedhojë e ndryshimeve ligjore në vitin 2012, të gjitha bankat e huaja veprojnë si filiale. Në Shqipëri, veprojnë 15 filiale të bankave të rëndësishme ndërkombëtare, duke përfshirë banka nga vendet fqinje (Greqia, Italia, Turqia dhe banka më e madhe, Raiffeisen, nga Austria). Bankat me origjinë greke përbëjnë një të pestën e sistemit bankar shqiptar.

BSH-ja mbikëqyr sistemin bankar vendas, shoqëritë e kursim-kreditit (126) dhe institucionet financiare jobankare, ndërkohë që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) mbikëqyr kompanitë e sigurimit (12), fondet e pensionit dhe fondet e investimeve.

Sektori bankar shqiptar e ka ruajtur strukturën dhe qëndrueshmërinë e tij gjatë vitit 2014. Vëllimi i aktivitetit u rrit dhe rezultati financiar u përmirësua. Sektori bankar u paraqit përgjithësisht likuid, i mirëkapitalizuar dhe i aftë për të përballuar goditje të ndryshme.

Rreziqet ndaj sektorit bankar në fund të muajit shtator 2014 u zvogëluan krahasuar me një vit më parë, siç tregohet nga Treguesi për Stabilitetin Bankar, i cili kombinon ndikimin mbi disa dimensione të rrezikut madhor. Me gjithë përmirësimet e likuiditetit dhe përfitueshmërisë, ende vazhdojnë shqetësimet lidhur me cilësinë e aktiveve.

Aktivet e sektorit bankar, në shtator 2014, u rritën me 3% krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Gjendja e aktiveve vazhdoi të ndikohej në mënyrë negative nga ritmi i ulët i kreditimit, për shkak të kërkesës së paqëndrueshme për kredi dhe shitjes së portofolit të kredive me probleme nga bankat. Për këtë arsye, investimet e sektorit bankar në letra me vlerë të qeverisë përbëjnë rreth 25% to totalit të aktiveve të bankës, që do të thotë 60% të borxhit publik të përgjithshëm.
Ritmi i ulët i kreditimit bankar mbetet shqetësimi kryesor për situatën e ekonomisë shqiptare.
Rritja e kreditimit mbeti nën normat e saj historike - rritja e kredisë u ngadalësua dukshëm në vitin 2013, dhe u tkurr në gjysmën e parë të këtij viti. Në këtë zhvillim ndikuan si faktorët nga kahu i kërkesës dhe ata nga kahu i ofertës. Ndryshimet e politikave të bankave mëmë, dobësimi i bilanceve të bankave në vend dhe standardet më të shtrënguara të kreditimit ishin faktorët që kontribuan në tkurrjen e ofertës për kredi.

Megjithatë, ka shenja të lehta rigjallërimi të rritjes së kredisë - më të dukshme gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Në fund të muajit shtator, kreditimi bankar u kthye në shifra pozitive - duke u rritur me 2% në terma vjetorë.

Aktiviteti i sistemit bankar vazhdon të financohet kryesisht nga depozitat, të cilat përbëjnë 82% të totalit të aktiveve. Rritja e depozitave u ngadalësua, duke regjistruar një normë vjetore rritjeje prej 2.3%. Depozitat e individëve, të cilat përbëjnë 86.7% të totalit të aktiveve, u rritën me një normë vjetore më të ulët, prej 1.8%, krahasuar me 3.7% në vitin e kaluar. Depozitat e biznesit u rritën me 6.2%, nga 4% një vit më parë.

Kapitalizimi i shëndoshë i sektorit bankar mbetet tipar dallues i sektorit bankar shqiptar. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit shënoi 17.6%, dukshëm mbi nivelin e kërkuar prej 12%. Pjesën më të madhe në fondet e veta korrente të sektorit bankar e zë kapitali bazë, që siguron fleksibilitet ndaj goditjeve.

Rezultati financiar i sistemit tregoi vlera pozitive dhe inkurajuese këtë vit. Kthimi nga aktivet dhe kthimi nga kapitali shënuan përkatësisht 0.9% dhe 11%, falë rritjes së fitimit neto. Sistemi filloi të tregojë vlera pozitive për treguesit duke filluar që nga dhjetori i vitit 2013.

Rreziku i kredisë dhe pengesat në kanalin e kreditimit bankar janë sfida më e madhe e stabilitetit financiar për sektorin bankar shqiptar.

Cilësia e portofolit të huasë nuk u përmirësua gjatë vitit 2014. Raporti i kredive me probleme shënoi 25%. Megjithëse provigjionet për kreditë e zhvlerësuara u rritën në 65%, raporti i provigjioneve të huave me probleme neto ndaj kapitalit mbetet në rreth 50%. Kështu, nevojitet të ndërmerren hapa të mëtejshëm për të forcuar përpjekjet - veçanërisht përsa i përket ekzekutimit të kolateralit.

Sektori bankar duket të jetë i mbrojtur mirë kundrejt rrezikut të drejtpërdrejtë nga kursi i pafavorshëm i këmbimit dhe luhatjet e normës së interesit, por ndjeshmëria ndaj ndryshimeve të tilla është rritur. Raporti i pozicioneve të hapura valutore neto ndaj kapitalit rregullator është 6.8% dhe pozicionet në blerje të bankave sugjerojnë ekspozim të kufizuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Pozicioni i likuiditetit i sistemit bankar mbetet i fortë. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rrezikut të likuiditetit ishte i ulët për shkak të një situate të përshtatshme të likuiditetit. Depozitat mbeten burimi kryesor i financimit për operacionet e sektorit bankar. Raporti i huasë ndaj depozitave është rreth 55%. Raporti i likuiditetit (aktive likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra), në lek dhe në monedhë të huaj, qëndron mbi raportin minimal rregullator. Në fund të muajit shtator, aktivet likuide përbënin 32.45% të totalit të aktiveve të sektorit bankar, rreth 5 pikë përqindje më lart se niveli i tyre në fund të vitit të kaluar.

Politika monetare ka mbetur lehtësuese me qëllim mbështetjen e kërkesës vendase dhe mundësimin e kthimit në objektiv, si të inflacionit edhe të pritshmërive për inflacionin. Norma bazë e interesit u ul tre herë gjatë vitit, gjithsej me 0.75 pikë përqindje. Ulja më e fundit ishte në muajin nëntor, kur norma bazë e interesit u ul në 2.25%. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka vazhduar të ofrojë udhëzime për të ardhmen për të vendosur presione në rënie mbi normat e interesit dhe për të mbështetur kërkesën agregate.

BSH-ja, nëpërmjet politikës monetare të moderuar, së bashku me një sërë masash ligjore dhe strukturore për trajtimin e kredive me probleme, të zbatuara gjatë dy vjetëve të fundit, synon trajtimin si të ofertës edhe të kërkesës për kredi. Duke marrë në konsideratë kohën e nevojshme për transmetimin e këtyre politikave në ekonomi, ato pritet të ndihmojnë në krijimin e një klime më të favorshme për kreditimin. Megjithatë, kësaj industrie ende i mbeten disa sfida përpara. Marzhet vijojnë të jenë nën presion në një mjedis me norma të ulëta interesi. Institucionet kanë reaguar duke e zgjatur maturimin e aktiveve, gjë që ngre shqetësime në lidhje me rrezikun nga norma e interesit. Të gjitha këto çështje vijojnë të jenë në vëmendje të vazhdueshme të mbikëqyrjes.

BSH-ja synon të zbatojë Bazel II në vitin 2015 dhe të plotësojë fokusin aktual të përputhshmërisë me një qasje të mbikëqyrjes së mbështetur në rrezik dhe që sheh nga e ardhmja. Ne kemi ndërmarrë disa masa makroprudenciale për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend.

Sot, stabiliteti financiar është më i rëndësishëm se kurrë për punën e BSH-së. Ndërkohë që mësimet e nxjerra nga kriza janë ende të freskëta, ne jemi në procesin e forcimit të kapaciteteve tona për stabilitetin financiar. Gjithashtu, jemi duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me ASD-në dhe rregullatorë të tjerë për të hartuar protokolle pune të mirëplanifikuara dhe për të zhvilluar një sens të përbashkët përgjegjësie për stabilitetin financiar, ndërsa respektojmë faktin se çdo agjenci e pavarur ka mandatin e vet specifik ligjor dhe autoritetin e saj drejtues.

Së bashku me institucione të tjera kyçe përgjegjëse për stabilitetin financiar në Shqipëri, si Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, kemi kuptuar rëndësinë në rritje të rolit të ASD-së në sistemin tonë financiar. Kështu, vitet e fundit jemi siguruar që Agjencia të bëhet një pjesëmarrëse aktive në GKSF, së bashku me tre institucionet e përmendura. GKSF-ja, e krijuar në vitin 2006, nisi të funksionojë plotësisht në vitin 2012. Ky grup mblidhet një herë në tre muaj për të monitoruar zhvillimet dhe rreziqet në sistemin financiar. GKSF-ja shkëmben informacion, diskuton politika të përgjithshme ekonomike, dhe angazhohet në hartimin e planeve rezervë dhe përgatitje për situata krizash. ASD-ja raporton për çështje me rëndësi në veprimet e saj dhe aftësinë paguese, në përputhje me një Memorandum Mirëkuptimi të nënshkruar midis palëve në shkurt 2012. Vështirësia e bashkërendimit midis rregullatorëve të ndryshëm krijon gjasa që shkalla e suksesit të politikave makroprudenciale të varet në mënyrë kritike nga struktura institucionale e komunikimit.

Në muajin mars 2014, anëtarët e GKSF-së, së bashku me ASD-në nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi të përditësuar, i cili përmirëson bashkëpunimin ndërinstitucional në mbështetje të parandalimit dhe trajtimit të rreziqeve sistemike në sistemin financiar.

Gjatë viteve të fundit, Banka e Shqipërisë, si autoriteti mbikëqyrës, e ka mbështetur Agjencinë për rritjen e kapaciteteve të saj me qëllim përmbushjen me sukses të misionit dhe shndërrimin e saj në një lojtar kyç për ruajtjen e besimit të publikut në sistemin tonë financiar.

Në mënyrë që kapacitetet e shtuara të përmbushin më mirë misionin në përputhje me praktikat më të mira në sigurimin e depozitave, Banka e Shqipërisë ka mbështetur ndryshimet e reja organizative dhe strukturore që ndërmori Agjencia në mes të vitit 2013. Ndër ndryshimet kryesore mund të veçojmë krijimin e funksioneve të analizës së rrezikut, teknologjisë së informacionit (TI) dhe marrëdhënieve me publikun brenda Agjencisë. Kjo ka mbështetur zbatimin e sistemit të TI-së për të dhëna për depozitat dhe depozituesit për të garantuar funksionimin e skemës. Ky funksion strategjik ka hedhur bazat që Agjencia t'i përmbushë objektivat e saj më me efektshmëri nën dritën e zhvillimeve aktuale dhe atyre të pritshme për skemën e sigurimit të depozitave.

Depozitat e siguruara vlerësohen të jenë 4.1 miliardë euro, që do të thotë 66% e depozituesve individualë ose 55% e depozitave totale të sistemit bankar. Raporti i rezervës - i cili është bilanci i fondit në përqindje i depozitave të siguruara të vlerësuara - është rritur. Megjithatë, siç kërkohet nga ligji, Fondi i Sigurimit të Depozitave duhet të arrijë raportin e rezervës minimale prej 5%, që do të thotë 38 milionë euro më shumë ose 19% të fondit të kërkuar. Prandaj, Agjencia është në rrugë të mbarë drejt arritjes së këtij objektivi.

Në vitin 2014, hyri në fuqi një ligj i ri për sigurimin e depozitave, duke lejuar një skemë sigurimi më të efektshme dhe më eficiente. Ligji i ri, objektivi i të cilit është përmirësimi i lidhjes së skemës së sigurimit të depozitave me parimet bazë të Organizatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI), trajton rekomandimet e lëna nga FSAP-i në fund të vitit 2013. Ligji i ri synon të rrisë autoritetin e ASD-së pa e ndryshuar mandatin e saj për vënien në dispozicion të kursimeve të depozituesve në rast se banka e tyre përballet me vështirësi financiare (pay box), si dhe të konsolidojë pavarësinë e saj ligjore.

Ligji i ri trajton një sërë aspektesh për përmirësimin e skemës dhe rrit aftësitë institucionale të Agjencisë.

Politikat e investimeve mbështeten në ligjin e ri dhe ndjekin një politikë të brendshme të miratuar që fokusohet si duhet te siguria dhe likuiditeti ndaj kthimit. ASD-ja administron një portofol investimi që ka arritur pothuajse 23 miliardë lekë (166 milionë euro ose afërsisht 1.4% të PBB-së). Me rritjen e portofolit dhe duke marrë parasysh rrezikun e valutës në lidhje me depozitat në monedhë të huaj, dhe informacione të tjera për strukturën e detyrimeve, ASD-ja duhet të krijojë horizontin e duhur për investimet dhe të përshtatë më mirë parimet e administrimit të aktiv-pasivit.

Gjithashtu, ligji i ri rriti pavarësinë administrative të Agjencisë nga Banka e Shqipërisë dhe përmirësoi kuadrin e saj qeverisës, i cili vijon me rishikimin e disa ratifikimeve të shumë prej veprimeve të saj nga BSH-ja. Ndër të tjera, Agjencia miraton tani buxhetin e vet, i cili lejon rritjen e zhdërvjelltësisë operacionale në përmbushjen e misionit të saj dhe siguron mbrojtje ligjore për punonjësit e saj.

Duke marrë në konsideratë temën e këtij seminari, vlen të përmendet: Në vitin 2013, Agjencia filloi negocimin për një linjë krediti në gatishmëri (stand-by) prej 100 milionë eurosh nga BERZH-i. Fondet do të bëhen të disponueshme në rast të një ngjarjeje sigurimi duke mundësuar, kështu, një reagim më të shpejtë dhe më të efektshëm nga Agjencia në këto raste. Banka e Shqipërisë e ka mbështetur këtë nismë me përmirësime domethënëse në një element kyç për siguruesit e depozitave, të tillë si financimi.

Sikurse është vënë në dukje, marrëdhënia midis BSH-së dhe ASD-së ka evoluar përgjatë viteve për t’u shndërruar në një nga partneritetet dhe bashkëpunimet më të forta, të cilat u mundësojnë institucioneve tona përmbushjen e misioneve të tyre përkatëse por dhe plotësuese.

Me qëllim arritjen e përputhshmërisë së plotë me direktivën e BE-së për skemat e garantimit të depozitave për arritjen e niveleve maksimale të mbulimit me lloje të ndryshme subjektesh (banka dhe shoqëritë e kursim-kreditit) të mbuluara nga skema (sipas rreziqeve përkatëse), në vitin 2015 pritet përfshirja e shoqërive të kursim-kreditit në skemën e sigurimit të depozitave. Banka e Shqipërisë, në rolin e mbikëqyrëses së shoqërive të kursim-kreditit, dhe Agjencia, në rolin e siguruesit të depozitave, kanë bashkuar përpjekjet për të siguruar një proces të butë për përfshirjen e këtyre institucioneve në skemë.

ASD-ja vijon punën me BSH-në për trajnime mbi edukimin financiar dhe konferenca në të gjithë Shqipërinë për edukimin e audiencës së synuar në lidhje me sigurimin e depozitave.

Qëllimi i këtyre trajnimeve është rritja e ndërgjegjësimit për skemën e sigurimit të depozitave dhe reduktimi i rrezikut operacional në degët e bankave në Shqipëri.

Ligji i ri përmbush nevojën për rritjen e llojit dhe sasisë së informacionit që merr ASD-ja nga BSH-ja për ta përgatitur më mirë siguruesin e depozitave për çdo shlyerje të mundshme. Bashkëpunimi intensiv dhe i vazhdueshëm i dy institucioneve tona do të siguronte një zbatim të plotë të marrëveshjes për shkëmbim informacioni midis BSH-së dhe ASD-së.

Do të përmendja theksin gjithmonë e në rritje nga ana e institucioneve tona mbi hapjen dhe mbajtjen e kanaleve të hapura të komunikimit në të gjitha nivelet çka do të mundësonte shkëmbimin në kohë të informacionit në lidhje me sistemin bankar.

Në përfundim, do të thosha:

Kuadri i sigurimit të depozitave në Shqipëri, i administruar nga ASD-ja, përputhet gjerësisht me praktikën më të mirë ndërkombëtare. Ne kemi besim se angazhimi ndaj këtyre praktikave do të vijojë nga ASD-ja, gjë që do t'i shërbejë interesit afatgjatë si të depozituesve ashtu edhe të industrisë bankare.

Mirëpres pikëpamjet tuaja mbi mënyrën më të mirë për të ecur përpara në lidhje me këto dhe çështje të tjera për të cilat jemi mbledhur të diskutojmë.

Në mbyllje, ju falënderoj për mundësinë që më dhatë të flas para jush sot.
 
Ju uroj sukses!

Faleminderit!