BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e z. Jan - Peter Olters, Përfaqësues i Përhershëm i FMN në Shqipëri në konferencën për shtyp të datës 30 korrik 2005

Data e publikimit: 01.08.2005

 

Gjatë tre viteve të shkuara, ju keni ndjekur me kujdes negociatat dhe zbatimin e programit të FMN-së "Reduktimi i varfërisë dhe nxitja e rritjes" (PRGF). Në ditën e fundit të mandatit tim si Përfaqësues i Përhershëm i FMN-së, unë doja të shfrytëzoja rastin për t'ju falenderuar që keni kontribuar në një mënyrë shumë të rëndësishme dhe shumë profesionale në rritjen e nivelit të debatit ekonomik në Shqipëri. Ju keni bërë pyetje të mira, të fokusuara dhe shpesh të vështira, të cilat i kanë dhënë lexuesve dhe shikuesve tuaj analiza të mira ekonomike. Ju i keni bërë debatet ekonomike të rëndësishme për shqiptarët dhe si rezultat, programet ekonomike shtyllë kryesore të zgjedhjeve të fundit. Unë nuk mund të largohesha nga Shqipëria pa ndarë me ju vlerësimin tim për punën tuaj. Ju falenderoj shumë.

Programi. Gjatë 3 vjetëve të fundit, FMN-ja ka mbështetur programin ekonomik të këtij vendi me programin tre-vjeçar "Reduktimi i varfërisë dhe nxitja e rritjes". Së bashku me bashkëpunëtorët tanë, veçanërisht në Ministrinë e Financave dhe në Bankën e Shqipërisë, në bashkëpunimin e ngushtë dhe në angazhimin e të cilëve ne kemi mundur të mbështetemi gjithmonë, është ndërtuar një bazë solide e stabilitetit makroekonomik. Konsolidimi fiskal, gradual, por i vazhdueshëm, ka reduktuar kërkesën e qeverisë për burime financimi vendase. Politikat e matura monetare e kanë mbajtur inflacionin brenda intervalit objektiv prej 2-4 përqind. Në të njëjtën kohë, rritja e ndërmjetësimit financiar, sidomos pas privatizimit të Bankës së Kursimeve, i ka mundësuar sektorit privat, përfshirë këtu edhe ndërmarrjeve të mesme, të marrin hua me kosto ndjeshëm më të ulëta. Sa më shumë kreditë bëhen të disponueshme për të investuar në teknologjitë që rrisin produktivitetin, as më shumë prodhimet "made in Albania" po bëhen më konkuruese si në tregun vendas ashtu edhe jashtë. Jam i bindur që kjo do të jetë një trashëgimi e rëndësishme e programit aktual i cili shpresoj do të mbyllet shumë shpejt për vitet që do të vijnë.

Stabiliteti makroekonomik. Unë e di se varfëria në Shqipëri dhe veçanërisht në zonat rurale është shumë e përhapur dhe se diskutimet për "stabilitetin makroekonomik" duken ndonjëherë si teorike dhe akademike. Por unë do të doja të shfrytëzoja rastin për të theksuar se stabiliteti makroekonomik është një parakusht i domosdoshëm për çdo strategji zhvillimi social-ekonomike. Pa një rritje ekonomike të nxitur nga sektori privat, nuk mund të ketë reduktim të varfërisë. Për ndërmarrjet private të vogla ose të mëdha, vendase apo të huaja që të zgjedhin Shqipërinë ndaj vendeve të tjera për të kryer investime, si dhe të zgjedhin të investojnë këtu në vend që thjesht të blejnë bono thesari, duhet që të ekzistojë një shkallë e mjaftueshme besimi për zhvillimet e ardhshme dhe për funksionimin si duhet të institucioneve publike. Çdo ekonomi e suksesshme ka si shtyllë kurrizore një sektor privat të gjallë, më së shumti të udhëhequr nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që sigurojnë shumicën e punësimit dhe e të ardhurave gjithashtu edhe të ardhurat nga taksat për qeverinë, burime nga të cilat financohen shpenzimet sociale dhe investimet në sektorët prioritarë të shëndetësisë dhe arsimit. Gjatë negociatave me bashkëpunëtorët tanë në ministri dhe në bankën qendrore dhe gjatë misioneve tona të asistencës teknike, ne jemi përpjekur t'i ndihmojmë autoritetet për të krijuar këto parakushte për reduktimin e varfërisë dhe zhvillimin social.

Sfidat. Ju duhet të merrni parasysh se në mënyrë që të sigurohen ritme dinamike dhe të qëndrueshme të rritjes për të ardhmen gjithashtu, duhen kapërcyer disa pengesa kryesore ndaj investimeve që nxisin produktivitetin në sektorin privat. Shqipëria duhet të dalë nga ky "rreth vicioz" i një evazioni të lartë fiskal, grumbullim i vështirë i taksave, të ardhura të ulëta nga taksat (si përqindje e prodhimit kombëtar), cilësi e ulët e shërbimeve publike dhe institucione publike që nuk funksionojnë siç duhet. Këto nga ana tjetër përbëjnë një faktor kyç në shpjegimin e shkallës së lartë të evazionit fiskal. Përpjekje shumë të mëdha duhet të bëhen në modernizimin e sistemit fiskal me synim për t'i mbledhur taksat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë në bazë të një kodi taksash të thjeshtë dhe rregulla dhe penalitete transparente nga të gjitha ndërmarrjet dhe vetëm në bazë të fitimit të tyre. Në të njëjtën linjë me këshillën e dhënë edhe në vitet e kaluara, ne besojmë se çdo propozim për reforma në taksa duhet të jetë në përputhje me kuadrin e përgjithshëm fiskal dhe të mbrojë integritetin e gjithë sistemit të taksave. Sa më të lehta të jenë taksat, aq më e thjeshtë është të zgjerohet baza dhe të redukohet evazioni fiskal dhe aq më shpejt mund të ulen normat e taksave.

Pas zgjedhjeve, çdo qeveri e re ka privilegjin për të hartuar politika për një periudhë afatmesme. Duket se ka një konsensus të gjerë se përmirësimi i klimës së biznesit dhe të investimeve do të përfaqësojë një gur të rëndësishëm themeli në programin e qeverisë së ardhshme. Dhe, në mënyrë që të zgjatet horizonti i planifikimit për një kompani dhe për t'i dhënë menaxherëve të saj besim në të ardhmen, mbetet parësore për të ruajtur rezultatet e mira në menaxhimin e situatës makroekonomike dhe në forcimin e integritetit dhe funksionimin e institucioneve publike. Të patën në ato fusha ku unë besoj se kuptoj diçka, Shqipëria ka ligje të mira. Shqipëria ka një numër të madh njerëzish të kualifikuar dhe shumë të angazhuar në të gjitha nivelet. Kompetenca, angazhimi dhe integriteti, nëse janë këto kriteret bazë që aplikohen për nëpunësit civilë dhe për emërimet në postet publike, vendi do të ketë çdo mundësi për tu zhvilluar shpejt. Shqipëria ka objektiva që pranohen në shkallë kombëtare, një nga më të rëndësishmit e të cilëve është integrimi në familjen e vendeve europiane. Shqipëria ka gjithçka në dorë për t'i bërë realitet ambiciet e saj.

Lamtumirë. Unë largohem nga Shqipëria relativisht optimist. Unë e di se sfidat janë të mëdha dhe të shumta. Unë e kuptoj ngasjen e përdorimit të taktivave para strategjisë. Unë e kuptoj se ka një bazë të kufizuar të ardhurash. Por të shpenzosh burimet ekzistuese në projekte që premtojnë përfitime të larta dhe t'i shtysh ato që nuk kanë, do të përmirësojë në mënyrë të dukshme mjedisin në të cilin njerëzit dhe ndërmarrjet do të kenë besim për të investuar paratë e tyre. Përse të mos jetë në gjendje ta bëjë këtë Shqipëria, kur vendet e Balltikut ia kanë dalë? Nuk ka asnjë arsye. Ka qenë një kënaqësi të punoje me të gjithë ju. Unë dua të falenderoj bashkëpunëtorët e mi dhe gjithashtu dua t'ju falenderoj ju. Unë ju uroj gjithë të mirat, i uroj qeverisë së re gjithë të mirat, i uroj vendit gjithë të mirat. Dhe fjalën e fundit, më lejoni ta them në gjermanisht: Auf Wiedersehen, mirëupafshim! Gjithë të mirat!

Jan-Peter Olters
Përfaqësues i Përhershëm