BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e z. Malcolm Knight, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare, në Forumin e Hapur - Parakushtet për Shënjestrimin e Inflacionit në Shqipëri, organizuar nga Banka e Shqipërisë, 1 - 2 dhjetor 2005, Tiranë

Data e publikimit: 07.12.2005

 

Në marrëveshjen e përgjithshme që është vendosur përsa i përket bankingut qendror ekzistojnë tre elemente kyçe: së pari, një mandat i qartë dhe objektiva të përcaktuar; së dyti, pavarësi e mjaftueshme për të përmbushur funksionet e mandatit; dhe së treti, përgjegjshmëri për veprimet dhe administrimin e burimeve. Objektivi i qartë dhe pavarësia e mjaftueshme që i janë dhënë Bankës së Shqipërisë nëpërmjet ligjit të vitit 1997, sigurojnë një bazë të mirë për aktivitetin e saj. Thelbësore në ruajtjen e besimit të publikut dhe realizimin e objektivave të bankës qendrore.

Ndërtimi i institucionit është një process gradual dhe i ndërthurur, veçanërisht në fushën e bankingut qendror. Një përbërës kryesor i tij është të menduarit në përparësi dhe unë përgëzoj Bankën e Shqipërisë, e cila ka bërë një gjë të tillë duke organizuar këtë takim. Është një kënaqësi të jesh këtu.

Fjalimi im mbi "sekretin e suksesit" për një bankë qendrore do të jetë i shkurtër - dhe jo vetëm sepse ky është një fjalim i mbajtur përpara darkës. Për më tepër, shumë prej "sekreteve" domethënëse të një banke qendrore njihen tashmë prej Bankës së Shqipërisë. Banka ka një pavarësi të njohur me ligj, e cila respektohet gjerësisht dhe kjo vlen edhe për të shpjeguar suksesin e saj në ruajtjen e inflacionit në një kufi prej 2-4 për qind. Kjo do të jetë pika e parë e vërejtjeve të mija.

Në pjesën e dytë të fjalimit tim do të diskutoj disa aspekte konkrete të shënjestrimit të inflacionit. Së treti, do të them pak fjalë për rregullimet e përshtatshme institucionale, për vendimmarrjen e politikës monetare. Së fundmi, do të theksoj që çdo bankë qendrore e suksesshme duhet të jetë në gatishmëri dhe të punojë për të siguruar sukses të vazhdueshëm. Banka e Shqipërisë është tepër e respektuar, ndaj është e rëndësishme për të që të jetë e fokusuar në detyrat kryesore, të administrojë rrezikun e reputacionit dhe vazhdimisht të tregojë kujdes ndaj burimeve të saj.

Disa "sekrete të suksesit"
Në dekadat e kaluara, është konkurruar një konsensus rreth asaj që e bën një bankë qendrore të mirë. Kjo i ka lejuar bankat qendrore të ruajnë një stabilitet të mirë çmimesh dhe u ka dhënë atyre mundësinë të ndihmojnë për një stabilitet financiar më të madh. Një mënyrë për të përmbledhur këtë konsensus është nëpërmjet tre elementeve kryesore, të cilat e bëjnë bankën qendrore efektive si një institucion.

Elementi i parë është që një bankë qendrore duhet të ketë një mandat të qartë. Yogi Berra - lojtari i famshëm amerikan i bejzbollit dhe në të njëjtën kohë administratori i "Yankees" të Nju Jorkut ka thënë dikur - "Në qoftë se nuk e dini se ku jeni duke shkuar, do të përfundoni diku tjetër". Bankat qendrore e dinë se ku janë duke shkuar.

Legjislacioni i ri i bankave qendrore, në përgjithësi, pajtohet me parësinë e stabilitetit të çmimeve si objektiv. Aty ku nuk janë ndërmarrë ndryshime statutore, legjislacioni ekzistues është interpretuar në mënyrë të atillë, që arritja e stabilitetit të çmimeve shihet si një kusht sine qua non (i domosdoshëm) për arritjen e objektivave. Më në përgjithësi, publiku pret që bankat qendrore të ruajnë stabilitetin e çmimeve.

Elementi i dytë është pavarësia. Që bankat qendrore të arrijnë objektivat që u janë vënë, ato kanë nevojë të kenë pavarësi të mjaftueshme për të bërë një gjë të tillë. Kjo pavarësi,rrezikohet nga mbizotërimi i konsideratave politike ose fiskale afatgjata. Kështu që, vendimet e bankës qendrore duhet të mbrohen nga presionet politike të tepruara ose nga interesat fanatikë.

Përgjegjshmëria është elementi i tretë i efektshmërisë së bankave qendrore. Në qoftë se një banke qendrore i jepet pavarësia për të arritur disa objektiva, ajo duhet të jetë përgjegjëse për suksesin ose për dështimin e saj; dhe sa më të qartë të jenë objektivat, aq më e lehtë është për të përcaktuar suksesin ose dështimin.

Si i realizon Banka e Shqipërsië këto tre elemente? De juro ajo i realizon shumë mirë. Ligji për Bankën e Shqipërisë, i cili u miratua në vitin 1997 - vit në të cilin falimentuan skemat piramidale - është një shembull i legjislacionit modern për bankat qendrore. Tre nenet e para të ligjit mbulojnë tre parimet kryesore, të cilat sapo i përmenda. Neni 3 përcakton një objektiv të qartë "për të arritur dhe ruajtur stabilitetin e çmimeve". Neni 1 parashikon që Banka do të jetë "krejtësisht e pavarur nga çdo autoritet tjetër në ndjekjen e objektivave dhe kryerjen e detyrave të saj". Ndërsa neni 2 specifikon që Banka "është përgjegjëse para Parlamentit të Republikës së Shqipërisë". Këto janë atribute kryesore për një bankë qendrore moderne dhe të suksesshme. Megjithatë, ka gjithmonë hapësirë për zhvillim të mëtejshëm, siç shihet edhe nga organizimi i këtij forumi. Ndërprerja e financimit të drejtpërdrejtë të deficitit të një qeverie është kyç në këtë drejtim, meqënëse eksperienca e shumë vendeve ka treguar qartë që, dominimi fiskal mund të rrezikojë një strategji monetare, që ka si orientim stabilitetin.

Zbatimi në praktikë i akteve ligjore nuk është asnjëherë i lehtë. Një sërë shtetesh kanë filluar ta bëjnë një gjë të tillë. Edhe në shoqritë e hapura nuk ka asnjë garanci që autonomia e bankës qendrore do të respektohet gjithmonë. Në këtë sfond, më duket shumë e veçantë që autonomia e bankës qendrore duket se pranohet gjerësisht në Shqipëri. Kjo, pa dyshim e ka ndihmuar Bankën e Shqipërisë të ruajë stabilitetin e çmimeve.

Aspekte të Shënjestrimit të Inflacionit.
Ashtu siç e dini edhe ju, ekzistojnë shumë forma të shënjestrimit të inflacionit, dhe nuk ka asnjë ndryshim të dallueshëm midis bankave qendrore që kanë adoptuar këtë regjim dhe atyre që nuk e përdorin këtë term për të përshkruar veprimet e tyre. Edhe ato banka, të cilat përdorin këtë emër ndjekin një sërë praktikash të ndryshme. Mund të thuhet se dy prej praktikave aktuale të Bankës së Shqipërisë - përdorimi i objektivit numerik të inflacionit dhe publikimi i rregullt i një raporti të politikës monetare - janë përbërës kryesorë të çdo përafrimi tek shënjestrimi i inflacionit.

Megjithatë, shënjestrimi i inflacionit është sigurisht shumë më tepër se sa kaq. Të gjitha bankat qendrore që e kanë adoptuar këtë regjim publikojnë parashikime të paracaktuara mbi inflacionin. Këto parashikime i shërbejnë qëllimit të dyfishtë për të qenë një element-kyç në vendimet e politikës monetare dhe në të njëjtën kohë, një mjet komunikimi. Ndërmarrja e këtij hapi, kur gjendesh në fazat fillestare të modelimit të procesit tënd të inflacionit dhe mirëkuptimit të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare, nuk është një detyrë e thjeshtë.

Kjo na sjell tek aspektet e brendshme të shënjestrimit të inflacionit - aspekte të cilat janë të një rëndësie të madhe. Këto janë aktivitetet dhe procedurat që ndërmerren prapa skenës së një banke qendrore, me qëllim që të implementohet një politikë monetare që do të arrijë objektivat e saj të deklaruar. Gjatë kohës që banka qendrore zhvillon detyrat e saj teknike dhe eksperiencën në analizat monetare dhe veprimet, shpesh herë ndodh të ketë një rritje të kërkesës për kërkime ekonometrike, analizë të zhvillimeve ekonomike aktuale dhe procedura të parashikimit sistematik. Në qoftë se vendimet e politikës monetare merren nga një komitet, ka një rritje të kërkesës për personel që do të mbështesë punën e të gjithë anëtarëve të komitetit. Gjithashtu, ekziston nevoja edhe për personel të kualifikuar për të formuluar dhe rregulluar, komunikimin sistematik i cili është i domosdoshëm për adoptimin e inflacionit të shënjestruar. Sukseset e deritanishme të Bankës së Shqipërisë, ambicia dhe motivimi mbas këtij takimi, janë për mua tregues të fortë që ajo do të vazhdojë të përpiqet për ta mposhtur këtë sfidë.

Rregullimet e vendimmarrjes.
Në favor të vendimmarrjes kolegjiale në një bankë qendrore përmenden shumë faktorë. Nëpërmjet saj, sigurohet më shumë informacion dhe një diapazon më i gjerë këndvështrimesh. Vendimet përfaqësojnë më shumë interesat e komunitetit dhe rreziku i ndërhyrjeve të Qeverisë është më i vogël.

Kolegjialiteti mund të arrihet në një komitet me një funksion të vetëm, si Komiteti i Politikave Monetare të Bankës së Anglisë ose mund të arrihet duke u mbështetur në një këshill, i cili kryen disa funksione, si në Australi dhe në Suedi. Megjithatë, në përgjithësi, gjithmonë e më shpesh po ndodh të kemi një komitet të politikave monetare të veçantë, ose një këshill drejtues të bankës qendrore, që mblidhet veçanërisht për të diskutuar çështje të politikës monetare (Këshilli Mbikëqyrës i BQE - së, për shembull).

Në qoftë se vendosim të kemi kolegjialitet në vendimmarrje, ekzistojnë disa mënyra për ta bërë këtë. Një prej këtyre mënyrave është të ndryshohet ligji, siç ndodhi në Mbretërinë e Bashkuar. Një tjetër është adoptimi i praktikave që janë në përputhje me ligjin - Këshilli i Politikave Monetare në Bankën e Tailandës dhe Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Kanadasë, mund të merren si shembuj. Zgjedhja varet nga tabloja politike e vendit të interesuar dhe nga gatishmëria për të pranuar rrezikun e hapjes së Kutisë së Pandorës.

Sfidat e së ardhmes.
Media, tregjet dhe politikanët shtrojnë kërkesa të shumta para një banke qendrore moderne. Kjo është veçanërisht e vërtetë për një vend të vogël, ku një bankë qendrore është një prej institucioneve më profesionalë dhe më me reputacion. Disa nga këto kërkesa mund të shkaktojnë devijim nga objektivat kryesorë të bankës qendrore. Një bankë qendrore e re, në një shtet të vogël ka nevojë të mendojë shumë se cilën prej këtyre kërkesave duhet të plotësojë. Për shembull, bankat qendrore shpesh herë nxiten të veprojnë si Banka e Anglisë dhe Rezerva Federale e SHBA - së, dhe të publikojnë të gjitha minutat dhe votat e takimeve të politikës monetare dhe gjithashtu, të publikojnë gjithë gamën e raporteve, duke përfshirë edhe një raport vjetor, raport të politikës monetare, përmbledhje të stabilitetit financiar, buletin kërkimesh dhe raport mujor statistikor. Megjithatë, publikimi i një informacioni të detajuar rrezikon ekspozimin e Bankës ndaj presionit politik. Prodhimi i një sasie të madhe informacioni është i kushtueshëm dhe rrezikon paqartësinë e mesazheve kryesore. Në disa raste, më pak është më tepër. Alternativat duhet të peshohen me kujdes.

Është e domosdoshme për një bankë qendrore të suksesshme të tregojë vazhdimisht profesionalizëm të paanshëm. Ajo duhet t'i tregojë publikut që di të mbajë shtëpinë e saj në rregull. Në axhendën e Guvernatorit dhe të Këshillit, ashtu si edhe interesi ndaj zhvillimeve të reja në artin e vendimmarrjes duhet të jenë edhe kontrolle të brendshme dhe audite, një sistem efektiv prokurimi, administrimi i informacionit, zvogëlimi i rrezikut dhe një gamë e gjerë e subjekteve të ngjashme.

Më lejoni të përfundoj duke shpjeguar se çfarë konsideroj si një "sekret të vërtetë" për një bankë qendrore. Mund të thuhet shumë thjesht. Sekreti i vërtetë është që nuk ka asnjë sekret. Transparenca dhe qartësia e mesazhit dhe misionit, janë vula e një banke qendrore të suksesshme në të gjithë botën. Për të qenë të suksesshme, bankat qendrore duhet të jenë të hapura dhe transparente.

Në ndryshim nga sekretet e mësipërme, sekreti i suksesit për mua si folës në këtë mbrëmje është që të përfundoj këtë fjalë dhe të jem një ekonomist profesionist, i cili thjesht ngre një gotë dhe për t'i uruar sukses Forumit të Hapur të Bankës së Shqipërisë.