BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e z. Ridvan Bode, Ministër i Financave, në Forumin e Hapur "Parakushtet për shënjestrimin e inflacionit në Shqipëri" "Mundësi të reja në bashkëpunimin institucional mes qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë", Tiranë, 1-2 dhjetor 2005

Data e publikimit: 01.12.2005

 

Së pari dëshiroj të përshëndes organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij forumi dhe t'i siguroj se Qeveria Shqiptare vlerëson kontributin në këtë diskutim, si një ndihmesë të çmuar në zbatim të prioritetit të saj të përshpejtimit të reformave që përafrojnë institucionet tona me standardet perëndimore që aspirojmë. Në të vërtetë, zhvillimi i këtij debati ka një interes dhe rëndësi të veçantë, që lidhet me faktin se vendi ynë së afërmi plotëson parakushtet dhe përfundon diskutimet për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Associmit me BE, dhe përfshihet në një angazhim të ri, ku objektivat dhe rezultatet e sferës monetare dhe të sektorit financiar janë nga më të rëndësishmit. Progresi i bërë deri më sot dhe angazhimi i qeverisë në një program ambicioz reformash, përbëjnë një premisë të mirë fillestare në suksesin e kësaj sipërmarrjeje jetike për vendin.

Bashkëpunimi ndërinstitucional në përcaktimin e objektivave, të pjesëmarrjes dhe të përgjegjësive merr një rëndësi edhe më të madhe në këtë proces. Banka e Shqipërisë, për misionin e saj që i jep ligji dhe rolin që luan në ekonominë e vendit, përbën për qeverinë një partner të privilegjuar. Detyrimi ligjor i këtij bashkëpunimi si dhe përvojat përgjithësisht pozitive në këtë fushë, kanë nevojë të njohin një nivel të ri.

Nevoja e forcimit të këtyre marrëdhënieve, para së gjithash midis Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, detyrohet nga fakti se janë dy aktorët kryesorë në programimin, mbështetjen dhe garantimin e stabilitetit makroekonomik, por edhe për arsyen se programimi dhe vënia në jetë e tërësisë së reformave në fushën e ekonomisë dhe atë financiare, nuk mund të jetë e suksesshme pa siguruar pjesëmarrjen e kordinuar të këtyre institucioneve.

Unifikimi i objektivave kryesorë të përbashkët, programimi i masave që mundësojnë dhe mbështesin realizimin reciprok të objektivave specifikë, të veçantë për secilin institucion, përbën mendoj, themelin dhe kushtin e parë për një bashkëpunim të qëndrueshëm institucional. Përkundrejt sjelljeve dhe prevalimit të interesave dikasterialë apo më keq, përpjekjeve për të tërhequr më shumë nga vetja përmes objektivave minimalistë komodë, një tendencë e njohur kjo në qëndrimet e këtyre dy institucioneve, lypset të krijojmë një frymë dhe eksperiencë tjetër bashkëpunimi, që dominohet nga vetëpërgjegjësia dhe përgjegjshmëria reciproke. Sigurisht që kjo nuk duhet të jetë vetëm çështje dëshire apo vullneti personal dhe as produkt i koniukturave të momentit apo "arbitrave" të tretë, shpesh institucione ndërkombëtare. Ruajtja e pavarësisë reciproke institucionale dhe obligimi i një bashkëpunimi të frytshëm, kërkojnë përmirësimin dhe përsosjen e instrumenteve ligjore dhe të qëndrueshme.

Në kuadrin e këtij bashkëpunimi midis Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë ekzistojnë disa marrëveshje dhe praktika bashkëpunimi, të cilat në tërësi janë vlerësuar të frytshme. Megjithatë, është koha që ato të rishikohen dhe të reflektojnë standardet e reja të arritura dhe objektivat dhe angazhimet programore në kuadrin e reformave që rrisin standardet e funksionimit të dy institucioneve respektive. Formulimi i këtyre marrëveshjeve është mirë që të bazohet, jo vetëm në raportet detyruese që vijnë në kuadrin e marrëveshjeve të përbashkëta me FMN, BB apo me institucione të tjera që asistojnë vendin, por që të jetë rezultat i një reflektimi të brendshëm në të njëjtin drejtim rreth nevojave reciproke për zbatimin e programeve zyrtarisht të miratuara dhe paraprakisht të konsultuara. Instalimi i praktikës së takimeve të përjavshme midis Ministrit të Financave dhe Guvernatorit, në bazë të një axhende të parapërgatitur nga stafet do të ishte një praktikë e mirë dhe unë mbështes plotësisht këtë ide të Guvernatorit.

Drejtimet e mundshme të zgjerimit dhe të përmirësimit të këtij bashkëpunimi janë të shumta. Do të doja të privilegjoja disa prej tyre.

Administrimi i borxhit publik, të brendshëm dhe të huaj, përbën sfidën e përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë. Ministria e Financave është duke përmirësuar dhe fuqizuar strukturat e saj të brendshme si dhe procedurat për administrimin efikas dhe të sigurt. Një ligj organik i veçantë për borxhin është duke u përgatitur dhe do të miratohet së afërmi. Megjithatë, realiteti i krijuar nga pikëpamja pronësore dhe strukturore në tregun e bankave tregtare, krahas rritjes kumulative të borxhit, e bën urgjent hartimin e një strategjie adekuate për shërbimin e këtij borxhi. Në këtë kuadër është kërkuar dhe programuar edhe një asistencë e specializuar me donatorë të huaj, por ngritja e gjithë infrastrukturës së nevojshme kërkon pjesëmarrjen aktive dhe të programuar të vetë Bankës. Hapja funksionale e rrjetit për tregun sekondar të bonove të thesarit, zgjerimi i pjesëmarrjes së individëve në tregun e bonove të thesarit si dhe diversifikimi i shërbimit të tyre, përbëjnë një prioritet në bashkëpunimin tonë të afërt. Minimizimi i rrezikut të këtij tregu, i cili në disa raste është shfaqur kërcënues gjatë vitit në vazhdim, do të ishte kontributi më i dukshëm i qeverisë në kuadrin e programit për inflacionin e shënjestruar. Fakti që gjendja aktualisht është plotësisht nën kontroll dhe e përshtatshme apo rënia e përvitshme e përqindjes së borxhit të brendshëm në raport me PBB (për vitin 2006 programohet 2.6%) dhe as fakti se për herë të parë gjatë gjithë tranzicionit, në vitin në vijim nuk do të ketë deficit korent, nuk japin garancitë e plota përballë borxhit të rritur kumulativ.

Fakti që qeveria përmes reduktimit të deficitit buxhetor vjetor dhe rritjes së qenësishme të të ardhurave fiskale në buxhet, po pakëson dukshëm presionin fiskal që vinte prej deficiteve të mëdha korente, nuk duhet detyrimisht që të largojë menjëherë pjesëmarrjen e Bankës në financimin e tij. Një tjetër sfidë duhet të përballojmë njëherësh, atë të rritjes së nivelit të kredisë për ekonominë reale dhe në radhë të pare, atë private. Viti në vijim shënon një progres të dukshëm në këtë drejtim. Niveli i kredisë për sektorin privat po shkon në 11 për qind të PBB-së nga 7-8 për qind që ka qenë vitet e fundit, një tregues ky që është disa herë më i ulët nga mesatarja e vendeve të rajonit. Kapacitetet e bankave tregtare për të rritur nivelin e kësaj kredie janë shumë më të mëdha. Stopimi i menjëhershëm i pjesëmarrjes së Bankës së Shqipërisë në tregun e bonove të thesarit sigurisht që do të inkurajonte pakësimin e investimeve të bankave në ekonominë reale. Kjo nismë për pakësimin e pjesëmarrjes së Bankës së Shqipërisë në këtë treg duhet bërë në koherencë me të gjithë elementet e strategjisë për zhvillimin ekonomik të vendit.

Një drejtim tjetër prioritar në bashkëpunimin tonë imediat është përmirësimi drastik i shkallës së lartë të informalitetit ekonomik dhe atij financiar. Rezultatet e deritanishme anti-cash janë inkurajuese, por shkalla e informalitetit mjaft të përhapur të ekonomisë sonë dhe korrupsionit të lartë të administratës, mund të luftohet vetëm me kalimin në kanalet bankare të punonjësve të administratës publike. Ministria e Financave ka përfunduar një skemë bashkëkohore edhe me asistencën e FMN, për të bërë përmirësime thelbësore në administrimin dhe nxjerrjen e taksave. Modernizimi i këtij sistemi është i lidhur ngushtë me kapacitetin dhe cilësinë e shërbimit të sistemit bankar në mënyrë që likuidimi i pagesave dhe operacionet e tjera financiare të realizohen tërësisht përmes kanaleve bankare. Sistemi bankar gradualisht po fiton besueshmërinë e nevojshme para publikut, por kostoja e operacioneve bankare për këto shërbime vazhdon të jetë e lartë dhe jo atraktive për biznesin. Është e nevojshme që gjithë sistemi bankar dhe ai financiar të jenë më atraktivë për biznesin dhe t'i bashkëngjiten programit të qeverisë për formalizimin e shpejtë të ekonomisë sonë.

Nga thellimi i privatizimit të sektorit bankar dhe atij financiar, dhe përmirësimi i funksionimit të tyre, krahas nevojës për përmirësime thelbësore në mënyrën e funksionimit të ekonomisë reale, pritet edhe një impakt pozitiv lidhur me kanalizimin dhe investimin edhe të të ardhurave nga emigracioni, shumat e të cilave janë të konsiderueshme si nga pikëpamja e zhvillimit të vendit ashtu edhe nga nevoja për të vendosur nën kontroll çdo presion inflacionist që vjen prej tyre, sidomos nisur nga sezonaliteti i remitancave.

Një pikëtakimi tjetër në veprimtarinë tonë korente është sistemi financiar jobankar. Stabiliteti në sferën financiare dhe në radhë të parë atë monetare sikurse dhe zhvillimet pozitive të ekonomisë në tërësi, kanë nevojë për një sistem financiar të qëndrueshëm dhe të zhvilluar. Ndërsa zhvillimet në sektorin bankar përgjithësisht janë pozitive, sektori financiar jobankar mbetet problematik. Aktualisht, ky treg mbikëqyret nga komitete të pavarura dhe në disa raste, me një rol më të shënuar të qeverisë. Standardet e kësaj mbikëqyrjeje janë të dobëta dhe ecuria e disa sektorëve sidomos të tregut të sigurimeve, të fondeve private të pensioneve etj., kërkon marrjen e masave të menjëhershme. Nga ana e qeverisë po punohet për një ligj të ri organik, që synon forcimin e këtyre standardeve dhe garancive, sikurse dhe unifikimin në një bord të vetëm të autoritetit mbikëqyrës të sektorit financiar jobankar, në modelin e shumë vendeve të tjera të suksesshme në tranzicion. Përmirësimet në këtë sektor do të shoqërohen me privatizimin e kompanive publike dhe me krijimin e një realiteti më konkurrues dhe më transparent në tregun financiar. Jam i mendimit se po aq vëmendje kërkojnë edhe qendra të tjera të tregut financiar si Bursa e Tiranës, e cila vijon të mbetet vetëm si një realitet juridik, një sërë fondesh publike, gjysmë publike e private që ekzistojnë dhe që mbikëqyren dobët, sikurse dhe disa agjensi të cilat mund të jenë më eficiente në këtë treg. Pjesëmarrja e Bankës së Shqipërisë në këtë proces është e domosdoshme, pasi veç nevojës për të kapërcyer prapambetjen e këtij sektori dhe për të pakësuar rrezikun që vjen prej këtij tregu, është e mundur që paralelisht të zhvillohen dhe të shtohen produkte dhe instrumente të reja financiare. Ky duhet të jetë një objektiv me rëndësi në strategjinë globale të Bankës së Shqipërisë për inflacionin e shënjestruar.

Shqipëria, si një pjesëmarrëse aktive në koalicionin botëror në luftën kundër terrorizmit ka marrë një sërë angazhimesh, midis të cilave parandalimi i pastrimit të parave, në një treg gjerësisht informal përbën një sfidë më vete. Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë kanë detyrime tërësisht të adresuara në këtë fushë. Një Drejtori e Përgjithshme funksionon pranë Ministrisë së Financave, për këtë qëllim. Për të vënë në eficiencë këtë strukturë, në zbatim të ligjit, sistemi bankar dhe ai financiar kanë detyrimin për të furnizuar me informacion të përditshëm, sipas një mënyre të standardizuar. Megjithatë, problemi vazhdon të persistojë. Ngritja e një banke të dhënash me informacione të vlefshme kërkon një bashkëpunim më të ngushtë dhe përmirësime në dhënien e informacionit, në saktësinë dhe shpejtësinë e lëvrimit të tij.

Banka ka dhënë një kontribut me vlerë në zgjidhjen dora-dorës të borxhit të prapambetur, të trashëguar nga periudha para ‘90-ës dhe Guvernatori është Zëvendëskryetar i Komitetit Qeveritar të Negocimit të Borxhit të Jashtëm. Eksperienca që ka Banka në këtë fushë, e bën të nevojshme përfshirjen më direkte të saj në programin e ri të Komitetit për të zgjidhur pjesën e mbetur të borxhit, i cili duhet të përfundohet brenda 2 vjetëve. Përshpejtimi i zgjidhjes së kësaj çështjeje detyrohet edhe nga fakti që gradualisht, vendi duhet të hyjë në tregun e kredive tregtare pa kufizime dhe pengesa që janë trashëguar nga e shkuara.

Forcimi i këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat e sipërpërmendura si dhe për çështje të tjera kërkon ndërtimin e një infrastrukture adekuate ligjore dhe të shkëmbimit të informacionit reciprok. Qeveria është e gatshme që me shumicën e saj të mbështesë çdo nismë që synon të forcojë pavarësinë e Bankës së Shqipërisë dhe të garantojë mosndërhyrjen e asnjë autoriteti tjetër në funksionimin e saj si e tillë. Është detyrim i autoriteteve të Bankës që kjo pavarësi të mos shpërdorohet dhe të respektojë moralitetin e nevojshëm të shtetit të së drejtës dhe realitetin në vend. Është për t'u përshëndetur synimi ambicioz i Bankës së Shqipërisë për të arritur shpejt nivelin mesatar të Bankës Qendrore Evropiane dhe përafrimi i saj me këto nivele dhe qeveria do të angazhohet në plotësimin e detyrimeve të saj në realizimin e kërkesave që duhen për arritjen e këtij standardi. Ne të gjithë, duhet të jemi të vetëdijshëm, se ky angazhim që të jetë i suksesshëm, ka nevojë jo vetëm për akte ligjore që përputhen me standardet e kërkuara, por para së gjithash për reforma të thella që përmirësojnë standardet e gjithë sistemit financiar dhe të atij ekonomik. Kjo do të thotë se sfera e reformave, e transformimeve dhe e përmirësimeve në këtë strategji duhet të jetë shumë më e gjerë sesa Banka në vetvete. Përndryshe, do të krijonim modelin virtual të një Banke jooperacionale, jofunksionale dhe joeficiente në raport me ekonominë në tërësi.

Përmirësimi i komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit përbën elementin tjetër të shtratit ku duhet të kanalizohet ky bashkëpunim. Ministria e Financave dhe institucionet në varësi të saj janë duke realizuar disa projekte që modernizojnë dhe përshpejtojnë kryerjen e operacioneve dhe informimin për to. Drejtoritë e Përgjithshme të Doganave dhe Tatimeve, do të përfundojnë brenda vitit të ardhshëm, rrjetin unik të të gjitha operacioneve fiskale që kryejnë. Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit ka filluar ngritjen e rrjetit kombëtar të operacioneve me shpenzimet buxhetore. Banka dhe sektori bankar janë duke bërë të njëjtën gjë. Përmes një programi të përbashkët është e nevojshme që sistemin e të dhënave që përdorim reciprokisht, ta integrojmë në një rrjet unik, çka do të mundësonte një komunikim të shpejtë dhe efikas.

Së fundi, edhe një herë shpreh kënaqësinë time për mundësinë që më dhatë për të shprehur konsideratat pozitive për nivelin e bashkëpunimit institucional midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, dhe për të paraqitur fusha të reja që do të përmirësojnë këtë bashkëpunim, aq të nevojshëm për përmirësimin e efikasitetit të punës së institucioneve tona