BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala hapëse e zj. Elisabeta Gjoni, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë në Konferencën e II-të të Muzeut

Data e publikimit: 20.09.2018

 

Të nderuar pjesëmarrës, studiues, akademikë, numizmatë, koleksionistë, studentë,

ju uroj mirëseardhjen në Bankën e Shqipërisë,

Është një kënaqësi e veçantë të hap sot punimet e Konferencës së Dytë të Muzeut të Bankës së Shqipërisë me temë “Roli i parasë gjatë luftërave”.

Koleksioni i pasur i monedhave dhe objekteve të Muzeut tonë merr domethënie të vërtetë kur shoqërohet në një kontekst historik të periudhës së vendit nga është emetuar. Pikërisht, konferenca e sotme, tashmë si një aktivitet i përvitshëm, kontribuon në rolin historik dhe edukativ të Muzeut. Ky takim është gjithashtu një mundësi shumë e mirë për të shkëmbyer eksperienca me përfaqësues të institucioneve kryesore të kulturës në vend, të muzeve të bankave homologe qendrore dhe të institucioneve të huaja të fushës.

 DSC0241-2 - 498

Ndjehem dyfish e kënaqur që shoh në sallë bashkëpunëtorë të hershëm dhe të rinj, të cilët dëshirojmë të jenë “konsulentët tanë të përhershëm”. Ne synojmë të krijojmë një marrëdhënie solide dhe produktive me ekspertët më të mirë në fushat e numizmatikës, muzeologjisë, trashëgimisë kulturore dhe kërkimit shkencor.

Të nderuar pjesëmarrës,

Konferenca e sotme adreson marrëdhënien e ndërsjellë, të komplikuar dhe shumëdimensionale midis parasë dhe luftës. Luftërat kanë ndikuar ekonominë dhe zhvillimin e njerëzimit qe ne agimin e qytetërimit e deri ne ditët e sotme. Ndërkohë –siç filozofi grek Sokrati thoshte “të gjitha luftërat bëhen për para”.

Disa shembuj historikë që e ilustrojnë këtë marrëdhënie, i dëgjuam edhe në konferencën e vjetshme të Muzeut. Kështu dëgjuam nga Prof. Picard se Mbreti Monun, mbret i cili njihet vetëm përmes monedhës që preu, e preu atë me qëllimin e vetëm që të ndërtonte një ushtri nga më të fortat, i bindur që forca e tij qëndronte tek ushtria. Më vonë, nga profesor Egro mësuam se Mahmut Pashë Bushatlliu dhe Ali Pashë Tepelena u munduan të presin monedhën dhe kartëmonedhën e tyre të pavarur nga Perandoria Osmane, jo për arsye financiare, por për arsye rebelimi apo si një tentativë shkëputjeje nga Perandoria. Për të ardhur më vonë në Luftën I Botërore me kartëmonedhat e Republikës së Korçës, të cilat nuk përbëjnë vetëm rrallësi numizmatike, por pasqyrojnë dhe një nga momentet e para të emetimeve si pasojë e luftës, pas formimit të shtetit shqiptar. Edhe gjatë Luftës II Botërore, monedha shqiptare pësoi ndryshime rrënjësore. Në faqen dhe shpinën e saj nuk shohim më Mbretin Zog, por Viktor Emanuelin III dhe ndryshimi më i rëndësishëm ishte se frangu shqiptar duhet të ndiqte zyrtarisht fatin e liretës italiane. Shembuj të tjerë, interesantë dhe të rëndësishëm për historinë monetare dhe ekonomike vendase dhe ndërkombëtare do të kemi mundësinë t’i dëgjojmë në punimet e sotme.

 

Zonja dhe zotërinj,

Kjo konferencë nuk synon të analizojë luftërat dhe faktorët e ndryshëm që i kanë shkaktuar ato, por të tregojë se si ndryshimet rrënjësore që luftërat apo konfliktet e ndryshme kanë sjellë në sistemet politike dhe aleancat apo ndasitë mes shteteve, kanë ndikuar edhe në zhvillimet monetare. Historia na tregon se periudhat e konflikteve apo luftërave janë veçanërisht të lidhura me ndryshimet rrënjësore në sistemet dhe politikat monetare.

Ndër shekuj gjejmë shembuj të ndryshëm të këtyre zhvillimeve, të cilat shfaqen në ndryshimin e sistemit monetar apo në vendosjen e politikave të përkohshme fiskale, në shtimin e sasisë së monedhave/parave të emetuara para fillimit dhe gjatë zhvillimit të një lufte, në qarkullimin masiv të një tipi monetar në zona të largëta ndaj vendit të origjinës, rritjen e numrit të thesareve të gjetura në një zonë të përfshirë në konflikt apo përdorimin masiv të monedhave të vendeve aleate. Këto fenomene janë të shumta, duke dëshmuar praninë e vazhdueshme të kësaj marrëdhënieje në të gjitha epokat, mes konflikteve ushtarake nga njëra anë dhe rolit të monedhës/parasë gjatë luftërave nga ana tjetër.

Për ta pasqyruar më mirë marrëdhënien mes konflikteve apo luftërave dhe parasë, kemi zgjedhur që konferenca jonë të ndjekë një rend kronologjik të prezantimeve, duke filluar nga antikiteti, tek mesjeta e për të ardhur në sesionin e fundit në historinë e shekullit XX. Të ftuarit tanë janë profesorë të nderuar, studiues, historianë, por edhe përfaqësues të muzeve të bankave qendrore, që i janë përgjigjur ftesës të Muzeut të Bankës së Shqipërisë për të hulumtuar e kumtuar mbi këtë temë.

Pikëpamjet dhe përfundimet e shprehura në këto studime, janë të autoreve dhe jo domosdoshmërisht të institucioneve nga ata vijnë apo të Bankës së Shqipërisë.

Duke i uruar suksese punimeve të kësaj konference, shpresoj që secili prej të pranishmëve në sallë të përfitojë nga prezantimet interesante, që folësit e nderuar do të ndajnë sot me ne.

Pa humbur kohë, kam kënaqësinë e veçantë të prezantoj të ftuarin e nderit, Prof. Olivier Picard, ish-Drejtor i Shkollës Arkeologjike Franceze në Athinë, Profesor në Universitetin e Sorbonës, si dhe anëtar i Académie des Inscriptions et Belles Lettres (Instituti i Francës), i cili do të mbajë për ne kumtesën me titull “Prodhimi i monedhave ilire në periudha luftërash”.