BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit Sejko në ceremoninë e çeljes së Javës së Parasë 2023

Data e publikimit: 20.03.2023

 

E nderuar zj. Ministre e Arsimit dhe Sportit,

I nderuar z. Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave,

Të nderuar nxënës e mësues, miq dhe kolegë bankierë,

Edhe këtë fund marsi kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në ceremoninë çelëse të Javës Globale të Parasë, që prej më shumë se një dekade, na bën bashkë të gjithë: bankierë, arsimtarë, studentë e nxënës. Përkrah faktit se përpjekjet dhe puna jonë për rritjen e kulturës dhe përfshirjes financiare të publikut nuk rreshtin përgjatë gjithë vitit, kjo është java që i fokuson ato plotësisht te brezi i ri, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë globin. Rekomandimi i OECD-së mbi kulturën financiare inkurajon qeveritë dhe politikëbërësit e tjerë “… të marrin masa për zhvillimin e kulturës financiare në moshë sa më të hershme” mbi tema dhe përmes kanalesh të përshtatshme për përfituesin. Në përputhje me të, Java e Parasë, e koordinuar nga OECD-INFE[1], ka si objektiv që fëmijët, që në moshë të vogël, të mendojnë aktivisht për paranë dhe financat, si dhe të fitojnë gradualisht njohuritë, aftësitë, qëndrimet dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të shëndosha financiare, me finalitet mirëqenien dhe qëndrueshmërinë financiare.

 DSC5415-2

Mund të themi me krenari se Java e Parasë është tashmë e njohur globalisht për publikun dhe veçanërisht për të rinjtë. Që nga edicioni i parë i saj, i organizuar në vitin 2012, fushata ka përfshirë një numër gjithnjë në rritje institucionesh dhe organizatash qendrore dhe lokale, në më shumë se 175 vende në mbarë botën.

Në vendin tonë, Banka e Shqipërisë, me bashkëpunimin e Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe falë mbështetjes tepër të vyer të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe partnerëve të tjerë, ka organizuar ndër vite aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për grup-moshat e nxënësve të arsimit parauniversitar dhe atij universitar. Në këtë javë, synimet tona konvergojnë më shumë se kurrë me ato të institucioneve arsimore dhe organizatave të shoqërisë civile, për rritjen e njohurive financiare dhe ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të përgjegjshëm financiarisht në të ardhmen.

 DSC6145 - Copy-2

Tema e Javës Globale të Parasë për vitin 2023 është “Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde!”, duke nënvijëzuar edhe njëherë rëndësinë e një përqasjeje të kujdesshme e proaktive ndaj parasë, për siguruar një të ardhme të begatë, duke qenë i pajisur me njohuritë e duhura mbi një treg financiar gjithnjë e më të pasur me risi. Së bashku me partnerët tanë, kemi përgatitur një kalendar të larmishëm aktivitetesh edukative dhe argëtuese lidhur me këtë temë, për t’u mësuar fëmijëve dhe të rinjve si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes, si të kursejnë dhe si të kujdesen për paratë, në mënyrë që të vendosin baza të qëndrueshme për të ardhmen e tyre.

Me angazhimet e pareshtura në fushën e edukimit financiar, Banka e Shqipërisë ka dëshmuar se e konsideron edukimin financiar të publikut, si premisë të domosdoshme për mirëqenien e qëndrueshme dhe mbrojtjen e shëndetit financiar të individëve në veçanti dhe shoqërisë sonë, në përgjithësi. Ngjarjet e jashtëzakonshme që kemi përjetuar vitet e fundit - tërmeti i vitit 2019, pandemia COVID-19, si dhe lufta në Ukrainë - kanë goditur thellësisht, jo vetëm qëndrueshmërinë e shëndetit publik dhe balancave gjeopolitike, por edhe atë të ekonomisë dhe financave. Tronditja e këtyre ekuilibrave delikatë, ka nxjerrë më në pah nevojën për kultivimin dhe rritjen e mëtejshme të kulturës financiare, si pjesë e formimit të përgjithshëm të individëve, për të përballuar sa më mirë vështirësitë e financave familjare e personale.

Me gjithë ndërhyrjet e qenësishme të qeverive dhe bankave qendrore në mbarë botën, në përgjigje të këtyre goditjeve të njëpasnjëshme dhe të fuqishme në ekonomi, ku përfshihen paketat ndihmëse, kontrollet mbi çmimet dhe ndërhyrjet e politikës monetare, vlerësojmë se efektshmëria e tyre është e lidhur pashmangshmërisht me një ambient me nivel të lartë kulture dhe përfshirjeje financiare. Një individ i kulturuar financiarisht – pra që zotëron njohuritë, tregon sjelljen dhe mban qëndrimet e duhura financiare – jo vetëm merr vendime të mirinformuara në marrëdhëniet e tij të përditshme financiare, por dhe kupton dhe reagon në mënyrën e duhur ndaj mesazheve të autoriteteve politikëbërëse, duke i bërë më efektive masat e marra prej tyre. Po ashtu, një individ i përfshirë financiarisht është në gjendje të përfitojë sa më shumë nga produktet e shërbimet novatore në dispozicion, dhe falë kulturës financiare di të lundrojë në mënyrë të sigurt në një treg financiar që evoluon me shpejtësi.

Për këto arsye, Banka e Shqipërisë e ka shndërruar kulturën dhe përfshirjen financiare në një prej objektivave të rëndësishëm të mandatit të saj, duke e bërë pjesë integrale të detyrave të saj institucionale. Megjithatë, ne jemi të vetëdijshëm që nuk jemi të vetëm në përpjekjet në këtë fushë. Të shumta janë institucionet që punojnë paralelisht me ne për rritjen e kulturës dhe përfshirjes financiare të publikut, ndaj mendojmë se ka ardhur koha t’i bashkojmë dhe bashkërendojmë ato në një strategji të mirëfilltë kombëtare.

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe të gjithë partnerët e brendshëm kemi punuar për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Edukimit dhe Përfshirjes Financiare (SKEPF), që përshkruan parimet dhe objektivat e përgjithshme të edukimit dhe përfshirjes financiare. Ky material mbështetet mbi punën shumëvjeçare të Bankës së Shqipërisë për matjen dhe studimin e kulturës financiare në vend, përvojat e suksesshme në zhvillimin e programeve edukuese dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare, bazuar në rekomandimet e INFE/OECD dhe të Bankës Botërore. Synimi i strategjisë kombëtare është t’i sjellë të gjitha institucionet e interesuara në rang kombëtar brenda një strukture ndërinstitucionale me një objektiv dhe program të koordinuar, për rritjen e kulturës dhe përfshirjes financiare në fushat që ato mbulojnë.

Ne kemi bindjen se një dokument i tillë, i përshtatur me nevojat e vendit për edukim financiar, do të ndihmojë në bashkërendimin e veprimeve dhe përgjegjësive të aktorëve të ndryshëm, në rritjen e efektivitetit për arritjen e objektivave. Strategjia do të përcaktojë objektivat, instrumentet, planet e veprimit, burimet e financimit, monitorimin dhe vlerësimin, si dhe raportimin e progresit të arritur, për secilin nga institucionet tona. Jemi të sigurt se ky do të jetë një hap cilësor që do t’i bëjë më të frytshme të gjitha programet dhe iniciativat tona në fushën e edukimit financiar, përfshirë edhe Javën e Parasë, për të cilën jemi mbledhur sot.

Interesi gjithmonë e në rritje i fëmijëve, të rinjve, mësuesve e profesorëve të tyre, për aktivitetet edukuese të kësaj Jave, i shprehur në numrin e madh të projekteve, videove, vizatimeve dhe eseve konkurruese, nuk mund të mos na bëjë krenarë për punën tonë të deritanishme, si dhe të na mbushë me optimizëm për projektet tona të ardhshme.

E them me krenari se në këto dhjetë vite, ju keni qenë partnerë të denjë në rrugëtimin tonë drejt një shoqërie më të ndërgjegjshme, më të kulturuar e më të përfshirë financiarisht. Nuk janë të pakta rastet e nxënësve që nga njëri vit në tjetrin kanë konkurruar me punimet e tyre në të gjitha konkurset e organizuara për grup-moshat përkatëse. Nxënësit e klasave të treta që para dhjetë viteve kanë marrë pjesë me punët e tyre në konkursin tonë për vizatimet më të mira, sot mund të konkurrojnë me esetë e tyre në konkursin për studentë. Ju përgëzojmë që na keni bërë pjesë të jetës suaj shkollore e akademike dhe ju ftojmë të vijoni të na konsideroni si partnerë edhe në të ardhmen!

Ju falënderoj përzemërsisht për kontributin tuaj dhe i uroj të gjithë pjesëmarrësve suksese!   


[1] OECD International Network on Financial Education (INFE).