BANKA E SHQIPËRISË

Fjala përshëndetëse e Guvernatorit në Konferencën e Katërt të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 11.09.2003

 

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Jam shumë i lumtur që përshëndes të pranishmit e nderuar të kësaj salle, miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi, ata që vazhdimisht kanë kontribuar në foltoret e konferencave tona të përvitshme dhe të ata që janë për herë të parë në auditorin e sivjetshëm.

Kam kënaqësi të veçantë, që në emër të organizatorëve të konferencës "Ekonomia shqiptare, arritje dhe sfida të politikës ekonomike", të shpreh falenderim dhe respekt për miqtë e mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të pranishëm sot në këtë sallë, që kanë dhënë kontribute dhe kanë lënë gjurmë në përparimin e ekonomisë tonë.

Shpresoj që takime të tilla të shërbejnë edhe si gjeste publike që flasin në gjuhën e mirënjohjes për këto kontribute që në njëfarë mënyre kanë ndihmuar Bankën e Shqipërisë të ndërmarrë organizime të mendimit shkencor për çështje që stresojnë ekonominë shqiptare.

Të nderuar kolegë dhe bashkëpunëtorë,

Shqipëria, në këta 13 vjet, ka ecur në rrugën e përparimit. Ekonomia tashmë, përfundimisht është orientuar drejt zhvillimit. Ne të gjithë, si autorë dhe përjetues të kohës sonë, jemi të prirur drejt më të mirës, drejt të ardhmes.

Të jetosh në një shoqëri, që përpiqet të ndërtojë një të ardhme më të sigurtë; të kesh institucione, që tentojnë modele të përparuara; të krijosh një mendësi popullore demokratike të orientuar nga një rezultante pozitive e llojshmërisë së ideve; është një sukses për vendin dhe për ekonominë.

Në anën tjetër, shoqëria, shteti dhe mendësia shqiptare kanë evoluar, përgjithësisht, në mënyrë të njëkohshme. Kjo është ndoshta e lidhur me traditën tonë të hershme; ndoshta e imponuar nga vështirësia e mbijetesës nëpër vite; ndoshta lidhet me dëshirën e madhe për ta parë vendin dhe veten midis më të zhvilluarve.

Por, një gjë është e sigurtë, që kjo ecje e përgjithshme përpara, mbështet dhe mbështetet në një ekonomi që zhvillohet. Se sa është rritur ekonomia shqiptare dhe në ç'mënyrë; në ç'drejtime ka lëvizur dhe sa herë ka ngecur; këto nuk janë objekt i kësaj fjale. Ajo që dua të theksoj është që në fund të fundit ekonomia ka shënuar rritje të prekshme nga të gjithë. Kjo rritje bëhet mbështetje e projekteve dhe e sfidave tona të ardhme. Kjo rritje ushqen besimin se të gjithë ne po përpiqemi për t'i dhënë vetes dhe vendit çka më të mirë zhvillimi i sotëm ofron dhe se ne realisht meritojmë më shumë.

Njeriu duhet të luftojë shumë për të fituar gjithnjë e më shumë; duhet që atë që ka fituar ta përdorë mirë dhe pastaj, në fund, të ketë zemërgjerësinë dhe t'u lërë diçka të tjerëve që vijnë pas. Kështu krijohet vazhdimësia e zhvillimit.

Tashmë i kemi hedhur themelet e një zhvillimi të përgjithshëm ekonomik. Që ky zhvillim do të jetë i shpejtë apo i ngadalshëm; i sigurtë apo i brishtë; i qetë apo i ngarkuar me të papritura është edhe përtej kësaj konference. Rëndësi ka që ne i kemi projektuar ekonomisë një të ardhme ambicioze.

Realizimi i saj kërkon shumë përpjekje; kërkon mendim të qartë ekonomik; kërkon vendimmarrje të guximshme; kërkon vizion të gjerë në trajtimin e problemeve dhe strategji reale të zhvillimit ekonomik. Këtu shpresoj të shpreh më shumë kjo konferencë.

Të dashur miq,

Jemi mbledhur në këtë sallë të flasim për një argument që nuk është i panjohur për secilin prej nesh. Ajo që do të themi, mënyra se si do ta shohim të ardhmen e problemeve tona dhe mundësitë reale të ecjes së mëtejshme përpara, jam i bindur që do të jenë të dobishme.

Ne dhe bashkëorganizatorët tanë të Fakultetit Ekonomik, të Universitetit të Tiranës, kemi bërë përpjekjet tona më të mira për të arritur këtë.

Edhe për këtë arsye, kam dëshirë që kjo Konferencë të vazhdojë t'i shërbejë bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët ekonomik.

Në mbyllje të fjalës time, duke shpresuar të kem përcjellë gjithë falenderimin tim për praninë tuaj në sallë, i uroj kësaj konference punë të mbarë; folësve të nderuar suksese; dhe të gjithëve së bashku një qëndrim të këndshëm në qytetin e bukur të Sarandës.

Ju faleminderit!