BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, në Kongresin e parë të Kontabilistëve dhe Financierëve, Pallati Kongreseve 10 shkurt 2005

Data e publikimit: 11.02.2005

 

Përshëndetje të dashur miq, të njohur dhe kolegë!

Sinqerisht ndjehem mirë që jam i ftuar të marr pjesë në një eveniment të parë të këtyre përmasave, të kontabilistëve shqiptarë. Dhe akoma më shumë, më vjen mirë, që midis të pranishmëve në këtë sallë, shoh mjaft nga kolegët dhe miqtë e mij, ndërkohë që shoh edhe të rinj midis jush!

Gjatë viteve që kemi lënë pas, shpesh na ka rënë rasti të debatojmë rreth çështjeve që lidhen me evidencat kontabile. Shthurja e ekonomisë së planifikuar në fund të viteve '80 dhe në dy- tre vitet e para të dekadës në vijim, përveç të tjerash, krijoi një lloj amullie edhe në drejtim të kontabilitetit financiar. Transformimi i madh ekonomik, lindja e shpejtë e sipërmarrjeve private, konceptimi i ri i menaxhimit të aseteve dhe ndërmarrjeve publike, shteti ende i pakonsoliduar, mungesa e eksperiencave ndërkombëtare dhe shumë shkaqe të tjera, krijuan një konfuzion, i cili megjithë kalimin e viteve, mendoj se vazhdon të na shoqërojë edhe në ditët e sotme.

Nga pozicioni që jam sot, më vjen mirë të theksoj se biznesi bankar, ishte ndër të parët që investoi dhe u azhornua shumë shpejt me praktikat ndërkombëtare në këtë drejtim. Si rezultat, bilancet kontabile dhe pasqyrat financiare të këtyre institucioneve, janë pothuajse të njësuara me modelet e përparuara ndërkombëtare, duke bërë që: llogaridhënia, transparenca dhe besueshmëria e tyre të fitojnë përmasa bashkëkohore.

Nga ana tjetër, në qarqet e ndryshme vendimmarrëse, në grupet e ndryshme të mendimit ekonomik, në institucionet e ndryshme monitoruese kombëtare apo ndërkombëtare, ekziston ideja se evidenca aktuale kontabile në segmente të ndryshme të ekonomisë, lë për të dëshiruar. Për më tepër, shpeshherë shërben edhe si levë për të materializuar përpjekjet për evazion fiskal, pse jo edhe për aktivitete të tjera të jashtëligjshme.

Unë e kuptoj, që para së gjithash, kemi të bëjmë me një problem etike profesionale, një shtrembërim i qëllimshëm i të cilës, krijon premisat për të mbajtur në këmbë dhe për të rritur pambarimisht përmasat e ekonomisë informale.

Iniciativa e sotme mendoj se është një zhvillim pozitiv me përmasa madhore, i cili mbi gjithçka do të shërbejë në vlerësimin më të mirë të figurës së vetë kontabilistit. Tashmë duhet ta pranojmë se për një etikë dhe përgjegjshmëri më të lartë të ekspertit kontabël duhet të investohemi të gjithë ne, pa përjashtim. Është e vërtetë se ka nevojë për mbështetje më të madhe të ekspertit kontabël, ashtu sikurse ka nevojë edhe për më shumë investime në drejtim të kualifikimit dhe të trainimit.

Një vëmendje më e madhe në këtë drejtim, duhet të jetë dhe hyrja e literaturës së re bashkëkohore, në lidhje me teknikat e kontabilizimit dhe të analizës financiare, në përgjithësi.

Unë jam i bindur, që investimi në dije për kontabilistët, do të sjellë një rikthim të shpejtë e të sigurt të rolit tuaj në ekonomi.

Në përfundim të kësaj përshëndetjeje të shkurtër, përfitoj nga rasti të apeloj, se tashmë ka ardhur koha që në rang ekonomie të kemi një standard të unifikuar të evidencës kontabile, plotësisht në përputhje me Standardin Ndërkombëtar të Raporteve Financiare (ndryshe njihet IFRS). Pasqyrat tona financiare duhet të jenë të sakta, të ndershme dhe lehtësisht të krahasueshme. Bilancet tona kontabile duhet të pasqyrojnë me vërtetësi gjendjet e llogarive kontabile, në fund të periudhave ushtrimore.

Sistemi bankar do ta kishte shumë herë më të lehtë ndërtimin e politikave të tij kredituese në rast se bilancet dhe raportet financiare do të ishin të vërteta, të standardizuara dhe publikisht të njohura. Po kështu, tregu i kapitaleve, për të cilin kaq shumë kemi biseduar, do të kishte një shans real zhvillimi. Një biznes mund të kapitalizohet vetëm kur është i ndershëm dhe i hapur, gjë që nënkupton etikë dhe profesionalizëm nga ana juaj.

Mendoni se produkti juaj, përbën dokumente bazë, nga do të burojë informacioni aq i dëshiruar statistikor, për të bërë përgjithësime të mëtejshme dhe për të ushqyer statistikat makroekonomike të vendit.

Nga ana tjetër, bilancet e ndershme do të ndihmonin autoritetet përkatëse të kontrollonin më mirë informalitetin, evazionin dhe fitimet e pamerituara.

Unë jam i bindur se të fituarit më të mëdhenj do të jeni vetë ju!

Për këtë qëllim, nuk hezitoj që edhe një herë tjetër, t'ju përgëzoj për këtë iniciativë dhe t'ju siguroj që tek ne do të gjeni gjithnjë një dritare të hapur komunikimi dhe bashkëpunimi reciprok.

Në fund, do t'ju sugjeroja të gjithëve që keni zgjedhur të ushtroni këtë profesion të nderuar, të bëni tuajin sloganin " vërtetësi me ndershmëri !".

Faleminderit!