BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në Konferencën e Bankës së Shqipërisë “Modernizimi i sistemeve të pagesave me vlerë të vogël në Shqipëri”

Data e publikimit: 21.06.2018

 

E nderuar zj. Zëvendëskryeministre,

Të nderuar përfaqësues të medias,

Të nderuar pjesëmarrës e kolegë,

Është një kënaqësi e veçantë për mua t’Ju mirëpres në këtë konferencë, tematikën e të cilës do ta konsideroja sfiduese dhe njëkohësisht një shkëndijë për të nxitur modernizimin e pagesave me vlerë të vogël në Shqipëri.

Zhvillimi i sigurt dhe efikas i sistemeve të pagesave, sikurse është nënvizuar vazhdimisht në komunikimet e Bankës së Shqipërisë, përbën një objektiv shumë të rëndësishëm, jo vetëm në mbështetje të zbatimit të politikës monetare dhe ruajtjes së stabilitetit financiar, por edhe si një mjet i rëndësishëm për një zhvillim ekonomik të formalizuar dhe të qëndrueshëm.

498 DSC4790-2

Përtej fokusit tek sistemet e pagesave si një shtyllë themelore e funksionimit të tregjeve financiare dhe ekonomisë në përgjithësi, Banka e Shqipërisë po i jep gjithnjë e më shumë rëndësi zhvillimeve të tyre nga perspektiva e përfshirjes financiare. Synim parësor në këtë drejtim është përdorimi i gjerë i instrumenteve të pagesave në përditshmërinë e qytetarëve. 

Kjo mënyrë e re zhvillimi kërkon identifikimin dhe plotësimin e nevojave edhe të komponentit më të vogël përbërës të ekonomisë - individit dhe biznesit. Në kushtet e tregut shqiptar, i cili karakterizohet nga një përfshirje dhe edukim financiar i ulët, si dhe shërbime të ofruara me kosto relativisht të larta, synimi ynë do të jetë nxitja e sistemit bankar në ofrimin për qytetarët të shërbimeve lehtësisht të aksesueshme e me kosto efektive, duke mbështetur kështu objektivin e një përfshirjeje më të gjerë financiare.

Nevoja për ndërhyrje në këtë drejtim bëhet më e rëndësishme dhe sfiduese, sidomos teksa përjetojmë zhvillime teknologjike të shpejta e gjithëpërfshirëse. Në kushtet kur shumica e aspekteve të jetës së përditshme po dixhitalizohen dhe automatizohen, modernizimi i sistemeve të pagesave bëhet edhe më i rëndësishëm.

Bazuar në studimet dhe analizat e kryera nga Banka e Shqipërisë me mbështetjen e Bankës Botërore, evidentohet qartazi se promovimi i dixhitalizimit dhe inovacionit në tregun e pagesave ndikon ndjeshëm në uljen e kostove të mbartura nga këto instrumente, duke krijuar shërbime lehtësisht të aksesueshme dhe të përballueshme nga të gjithë.

Në Shqipëri, ky zhvillim është ndjeshëm më i vonuar se në vendet e tjera, me të cilat ne synojmë të përafrohemi në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian, ndaj promovimi i tij merr akoma më shumë vlerë e rëndësi jo vetëm në kuadër të këtij integrimi, por edhe më gjerë, në tregjet ndërkombëtare.

Modernizimi i këtyre sistemeve përmes dixhitalizimit dhe inovacionit do të synohet nëpërmjet një zhvillimi të mirërregulluar dhe me objektiva qartësisht të përcaktuar në strategjinë afatmesme, e cila do të prezantohet sot në këtë konferencë.

Si një nismë konkrete në këtë drejtim mund të përmendim transpozimin e direktivës së Bashkimit Evropian, e cila konsiderohet si një nga legjislacionet më avangardë të fushës. Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim dhe me ekspertë të Bankës Botërore dhe Bankës së Italisë kanë hartuar një projektligj për këtë qëllim, i cili së shpejti do të jetë objekt konsultimesh publike.

Në mbështetje të këtyre nismave, Banka e Shqipërisë po hulumton mundësinë e zhvillimeve inovative në sistemet e operuara nga ne, të tilla si instant payment, e cila, bazuar dhe në eksperiencat ndërkombëtare vlerësohet se sjell një reformim në tregun e pagesave nga pikëpamja e dixhitalizimit.

******

Të nderuar pjesëmarrës,

Për shkak të natyrës së tij, ky dimension i ri i zhvillimit të sistemeve të pagesave kërkon një bashkëpunim më të gjerë. Dhe në këtë drejtim, një mekanizëm mjaft efikas ka rezultuar bashkëpunimi ndërinstitucional i materializuar nëpërmjet organizimit dhe funksionimit të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave. Ashtu sikurse do të njiheni më tej në këtë konferencë, ky organ kolegjial me natyrë kryesisht këshillimore, i udhëhequr nga Banka e Shqipërisë, po ndërmerr hapa të rëndësishëm në kuadër të reformimit dhe modernizimit të sistemeve të pagesave me vlerë të vogël.

Vizioni i tij për të ardhmen është “krijimi i një tregu bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe eficiente, dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh dhe shërbimesh që përmbushin nevojat e përdoruesve”.

Realizimi i këtij vizioni ka nevojë edhe për zhvillime ligjore, rregullative e infrastrukturore. Vlen të theksohet se nismat e sipërcituara, të formalizuara në strategjinë kombëtare për këtë qëllim, kanë pasur një mbështetje thelbësore nga institucionet ndërkombëtare të mirënjohura si Banka Botërore, Banka Qendrore Evropiane dhe disa banka qendrore të Bashkimit Evropian. Ndaj më lejoni të bëj një falënderim të veçantë për mbështetjen e këtyre institucioneve, si dhe të ftuarve të nderuar nga këto institucione, të cilët sot do të ndajnë me ju eksperiencën e tyre në zhvillimin e tregut të sistemeve të pagesave me vlerë të vogël.

Duke qëndruar në kontekstin e komunikimit dhe bashkëpunimit, vlerësohet si i rëndësishëm e frytdhënës edhe komunikimi rajonal. Për shkak të zhvillimit të tregut, por edhe veçorive kulturore dhe edukimit financiar të vendeve të rajonit, ndarja e këtyre eksperiencave merr vlerë të veçantë pasi mund të kontribuojë ndjeshëm në arritjen sa më efikase të objektivave të synuar.  

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, është edhe nisma e përbashkët e Bankës së Shqipërisë, me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, dhe Ministrin e Shtetit për Diasporën për një vëmendje më të madhe në përthithjen dhe përdorimin efektiv të remitancave, si komponent përbërës i pagesave me vlerë të vogël.

Në nivel ndërkombëtar, remitancat kanë një kontribut të rëndësishëm në ekonomi dhe në mirëqenie, e gjithashtu konsiderohen si një përshpejtues për nxitjen e përfshirjes financiare. Për rrjedhojë, Banka e Shqipërisë, përtej zhvillimeve të synuara në strategjinë kombëtare për reformimin e sistemeve të pagesave me vlerë të vogël, është angazhuar në hartimin dhe publikimin e një reviste dedikuar remitancave. Publikimi i kësaj reviste synon të zhvillojë njohuritë dhe informacionin mbi remitancat në tregun shqiptar, si dhe të përcjellë mesazhe në kuadër të nevojave për ndërhyrje dhe potencialit që kanë remitancat për aktorë të ndryshëm të ekonomisë.

Për të gjitha sa trajtova, e për më tepër lidhur me angazhimet e aktorëve të ndryshëm në procesin e modernizimit të sistemeve të pagesave në Shqipëri, ju ftoj të ndiqni punimet e konferencës së sotme. Në përfundim, dëshiroj ta përmbyll fjalën time, duke uruar një konferencë sa më të frytshme për të gjithë dhe duke ju përcjellë një falënderim të veçantë për pjesëmarrjen dhe vëmendjen tuaj!