BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjalimi përshëndetës i z.Ardian Fullani me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes në fushën e Mbikëqyrjes Bankare midis Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës

Data e publikimit: 11.07.2005

 

Duke përfituar nga rasti i nënshkrimit të marrëveshjes në fushën e Mbikëqyrjes Bankare, dëshiroj të them se ndjehem sinqerisht i emocionuar që ndodhem sot në Prishtinë. Është vizita ime e parë që nga momenti që kam marrë detyrën e Guvernatorit dhe dëshiroj t'ju garantoj se nuk do të jetë e fundit.

Kam shumë arsye që më shtyjnë të marr këtë angazhim sot para jush dhe ndër to do të dëshiroja të veçoja domosdoshmërinë që të dy institucionet tona, Autoriteti i Rregullimit të Pagesave dhe Mbikëqyrjes së Kosovës dhe Banka e Shqipërisë, duhet të rritin nivelin e bashkëpunimit dhe të ndihmës reciproke në një nivel më të lartë.

Unë personalisht kohët e fundit kam zhvilluar takime të ndryshme, jo vetëm me bankat qendrore të rajonit por edhe me përfaqësues të lartë të institucioneve të interesuara ndërkombëtare. Kudo kam gjetur një klimë mirëkuptimi dhe mbështetjeje, veçanërisht në drejtim të nismës për më shumë bashkëpunim midis bankave qendrore të rajonit.

Dëshiroj që të ndalem pak më shumë në këtë pikë, pasi mendoj se ajo përbën një nga drejtimet e rëndësishme ku duhet të fokusohemi më shumë në të ardhmen. Marrëveshja që ne kemi nënshkruar sot është një argument mbështetës në këtë drejtim dhe nga biseda që unë zhvillova me zotin Svetchine, me drejtuesit e UNMIK-ut dhe me zotin Kosumi, kam gjetur mirëkuptimin dhe gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në këtë drejtim.

Më konkretisht, kemi vendosur kontakte me të gjitha bankat e rajonit deri në nivele të larta përfaqësimi dhe kam konstatuar se në çdo rast, ato janë shprehur të gatshme për të intensifikuar bashkëpunimin rajonal në këtë kontekst. Nga ana tjetër, në kontakte me organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë si nga ana e Komisionit Evropian, Bankës Botërore, pa harruar të përmend Bankën Qendrore Evropiane dhe shumë prej bankave anëtare të sistemit të Bankave Qendrore të Evropës, kam diskutuar gjerësisht këtë problem dhe kam gjetur mbështetjen e plotë të tyre për probleme specifike që karakterizojnë zhvillimin ekonomiko-financiar të rajonit tonë. Aktualisht, ka shumë oportunitete që ne duhet t'i shfrytëzojmë në mënyrë të mençur, pasi një sjellje e jona në bllok do të rriste shumë imazhin pozitiv të rajonit në sytë e komunitetit ndërkombëtar gjë që do ta bënte më të lehtë aspiratën tonë finale për antarësim në BE.

Gjithashtu, mendoj se duhet të shfrytzojmë të punuarin në grup edhe për një arsye tjetër. Pavarësisht shkallëve të ndryshme të zhvillimit të vendit, pavarësisht shumë faktorëve të tjerë gjeopolitikë, mendoj se në fushën e ekonomisë, të bankave, të reformave strukturore, të financave dhe të tregjeve shfaqim simptoma të njëjta dhe priortietet deri-diku konvergojnë. Për këtë qëllim mendoj se asistenca e huaj do të jetë më efektive dhe se projektet e ndryshme që mund të hartohen nga donatorë të huaj do të jenë më të efekshme. Mendoj se rajoni do të progresojë me një hap pak a shumë të njëjtë pa krjuar kontraste të mëdha, të cilat në një këndvështrim afatgjatë mund të shndërrohen në probleme serioze.

Unë shpresoj që marrëveshja që nënshkruam sot të jetë vetëm hapi i parë në rrugën e gjatë të bashkëpunimit të gjithanshëm midis të dyja institucioneve tona. Personalisht, shoh si drejtime të tjera me interes reciprok fushën e pagesave, fushën kërkimore, fushën e burimeve njerëzore pse ajo edhe atë të statistikave. Bashkëpunimi duhet të jetë konkret dhe në kuadër të adoptimit të standardeve më të mira, si edhe të shkëmbimit të opinioneve për çështje të ndryshme të kuadrit rregullativ.

Lidhur me Marrëveshjen e Mirëkuptimit në fushën e Mbikëqyrjes Bankare, dëshiroj të theksoj është adoptuar një model standard në përputhje me Direktivat Evropiane dhe të Komitetit të Bazelit. Kemi të bëjmë me një angazhim të përbashkët konkret, dhe të përshtatshëm për bashkëpunimin në fushën e mbikëqyrjes. Ajo që është me rëndësi vlen të theksohet se të dyja palët, ndërmjet të tjerash do t'a shtrijnë bashkëpunimin edhe në drejtim të organizimit të evenimenteve të përbashkëta si dhe në drejtim të programeve të ndryshme të trainimit me interes të përbashkët.

Banka e Shqipërisë ka zhvilluar tashmë kapacitetet e saj mbikëqyrëse dhe analizuese në nivel të kënaqshëm e për rrjedhim, mendoj se asistenca jonë në këtë drejtim do të jetë e dobishme. Po kështu, mendoj se edhe në Autoritetin Bankar e të Pagesave të Kosovës, si një institucion më i ri, janë duke u zhvilluar me ritme të kënaqshme këto aftësi dhe mendoj se ka shumë praktika dhe gjetje, të cilat mund t'u ofrohen kolegëve të Bankës së Shqipërisë.

Në përfundim të kësaj përshëndetjeje të shkurtër më lejoni që edhe njëherë të shpreh kënaqësinë e madhe që më jep kjo vizitë. Përfitoj nga rasti të përshëndes të gjithë miqtë e mij kosovarë dhe dëshiroj t'i garantoj ata se tek unë personalisht dhe tek insitucioni që unë drejtoj do të gjejnë përherë një dritare të hapur, jo thjesht mikëpritjeje, por një oportunitet të pashtershëm bashkëpunimi, asistencë dhe përkushtimi.

Edhe një herë faleminderit.

Prishtinë, 6 korrik 2005