BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Forumi III Financiar, 25 qershor 2015

Data e publikimit: 28.06.2015

 

Forumi III Financiar u zhvillua më 25 qershor 2015, në Tiranë, nën kujdesin e përbashkët të Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Tematika e këtij viti ishte diskutimi i çështjes së kredive me probleme në sektorin bankar. Diskutimet në forum do t’i ndihmojnë autoritetet të hartojnë një qasje strategjike për trajtimin e kësaj çështjeje si dhe të ndërtojnë një plan veprimi të efektshëm.

photo 10 7487 0


Në Forum morën pjesë Ministri dhe Zëvendësministri i Financave, Ministri dhe Zëvendësministri i Ekonomisë, Zëvendësministri i Drejtësisë, Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, drejtuesit ekzekutivë të bankave që veprojnë në Shqipëri dhe përfaqësues nga bankat mëma, kryetari i Shoqatës së përmbaruesve, drejtuesit e misioneve dhe përfaqësuesit vendorë të FMN-së dhe Bankës Botërore, përfaqësues të institucioneve financiare jobanka si dhe drejtues të tjerë. Pjesëmarrja e gjerë reflektoi objektivin e organizatorëve për të nxitur diskutime aktive midis palëve të pranishme dhe për të ndihmuar një qasje të shumanshme dhe të hollësishme ndaj kësaj tematike.

Gjatë Forumit pati sesione të dedikuara që trajtuan me hollësi jo vetëm ndikimin e kredive me probleme mbi rritjen ekonomike, por edhe ndërveprimin e tyre me çështje të stabilitetit financiar dhe përshtatshmërinë e sistemit ligjor.

Pjesëmarrësit shkëmbyen informacione dhe mendime mbi masat e marra nga Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ekonomisë dhe Banka e Shqipërisë për përmirësimin e mjedisit ligjor, rregullator dhe operacional, në mbështetje të përpjekjeve të bankave për trajtimin e kredive me probleme. Me interes të veçantë u ndoqën diskutimet mbi çështjet ligjore që pengonin zgjidhjen e shpejtë të kredive me probleme. Pjesëmarrësit vlerësuan se projekti i Ministrisë së Drejtësisë për të bërë ndryshime në ligjin për falimentimin është një mundësi e mirë për të hequr disa prej këtyre pengesave ligjore.

photo 8 7486 0

 
Në forum u identifikuan dhe u diskutua rreth disa problematikave dhe çështjeve të tjera, adresimi i të cilave do të jetë pjesë e planit të veprimit që do të mbështesë qasjen strategjike të autoriteteve për trajtimin e çështjes së kredive me probleme. Ndër to përfshiheshin: nevoja për mbështetjen e skemave të ristrukturimit vullnetar të borxhit, të cilat do të mundësonin zgjidhje të tij jashtë gjykatave; rritja e transparencës së pasqyrave financiare të huamarrësve; përdorimi i instrumenteve tatimore dhe mbikëqyrëse për nxitjen e ristrukturimit dhe zgjidhjes së borxhit etj.
 
Diskutimet treguan se kreditë me probleme pasqyrojnë dhe kontribuojnë në brishtësinë e institucioneve dhe të ekonomisë shqiptare. Ulja e nivelit të kredive me probleme kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, të bashkërenduar dhe të qëndrueshme, për përmirësime në fushën ekonomike, legjislative, administrative dhe institucionale. Përvoja e deritanishme duhet të shërbejë për ndërtimin e një sistemi që do ta trajtojë me eficiencë problemin e kredive me probleme.

Bankat kanë një rol kyç në këtë proces. Ato duhet të përmirësojnë proceset e tyre të brendshme për dhënien, monitorimin dhe analizimin e kredive, si dhe për mbështetjen e trajtimit me eficiencë të kredive me probleme. Gjithashtu, bankat duhet të sigurojnë që sistemi të ketë mbrojtës në nivele të duhura gjatë procesit. Asistenca e institucioneve financiare ndërkombëtare është e mirëpritur dhe e domosdoshme. Fokusi i asistencës do të jetë në përmirësimin e kapaciteteve zbatuese të institucioneve në Shqipëri, të cilat merren me praktikalitetet e zgjidhjes së kredive me probleme.
 
Në përfundim të forumit, Guvernatori Sejko theksoi se ndonëse sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe mjaft likuid, zgjidhja e kredive me probleme është faktor thelbësor për përmirësimin e qëndrueshmërisë së sektorit dhe rritjen e kreditimit, me ndikim të drejtpërdrejtë në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Guvernatori falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e tyre dhe theksoi edhe një herë rolin aktiv që Banka e Shqipërisë do të luajë për nxitjen e zbatimit të shpejtë të Planveprimit të ardhshëm, si drejtpërdrejt ashtu edhe në bashkëpunim me autoritete të tjera dhe industrinë bankare.