BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Forumi i Hapur “Kolaterali, Kredia, Tregu dhe Ligji”

Data e publikimit: 15.07.2011

 

Në kuadër të vlerësimit të vazhdueshëm të sistemit bankar dhe të adresimit të problematikave të tij, Banka e Shqipërisë, në datën 12 korrik 2011, organizoi tryezën e rrumbullakët: ‘“Kolaterali, kredia, tregu dhe ligji”, me pjesëmarrjen e aktorëve të sistemit bankar dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave. Në këtë tryezë ishin të ftuar Ministri i Financave z. Ridvan Bode, Zv/Ministria e Drejtësisë znj. Brikena Kasmi, si dhe përfaqësues nga Gjykata e Lartë dhe nga shërbimi përmbarimor gjyqësor publik e privat.

Tema e kësaj tryeze të rrumbullakët merr shkas nga një sërë problematikash të evidentuara nga sektori bankar gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre, përsa i përket ekzekutimit të kolateraleve të lëna garanci për ato kredi që konsiderohen të parikuperueshme.

Edhe pse Banka e Shqipërisë nuk është institucion i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e ekzekutimit të garancive, për të transmetuar këtë shqetësimin tek palët pjesëmarrëse në tryezë dhe ndërgjegjësimin e tyre lidhur me situatën, ndërmori një sërë analizash për të evidentuar mangësi dhe njëkohësisht, për të vlerësuar rëndësinë e çështjes, me qëllimin final propozimin e një plani masash, të cilat  do t’i jepnin zgjidhje problemit. Për të diskutuar mbi të gjitha këto, Banka e Shqipërisë mori iniciativën për t’ia kushtuar forumin e radhës, pikërisht trajtimit të kësaj tematike.

Qëllimi i forumi shkoi përtej evidentimit të ngërçeve të procesit të ekzekutimit të kolateraleve. Në përfundim, palët ranë dakord për ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional, objektivi i të cilit do të jetë hartimi i një plani të detajuar veprimesh për zgjidhjen e problemeve.

Banka e Shqipërisë, me qëllim ushtrimin e funksionit të saj si promotore e makroprudencës dhe stabilitetit financiar, fton të gjitha institucionet t’i kushtojnë rëndësi maksimale kësaj çështjeje dhe të shfaqin angazhim në të gjitha nismat ligjore apo çdo praktikë tjetër që do të propozohet.