BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Guvernatori Sejko i dërgon mesazhe ngushëllimi Guvernatorit të Bankës së Francës dhe Ambasadorit të Republikës të Francës në Shqipëri

Data e publikimit: 14.11.2015

 

Mesazh ngushëllimi drejtuar Guvernatorit të Bankës së Francës, Z. François Villeroy de Galhau

“Jam vërtet i shokuar nga ngjarjet brutale, jonjerëzore dhe të paprecedenta të sulmeve  terroriste të mbrëmjes së djeshme në Paris që shkaktuan shumë viktima dhe lanë shumë të plagosur. Franca, si një vend që e ka lirinë e njeriut një përparësi kryesore, u sulmua pikërisht për shkak të  vlerave të saj.

Në emër të Bankës së Shqipërisë dhe në emrin tim personal, në këto orë dhimbjesh,  dëshiroj t’ju shpreh Ju, stafit tuaj dhe bashkëkombësve tuaj hidhërimin tonë të thellë dhe, njëkohësisht, t’ju përcjell ngushëllimet për jetët e humbura në këtë tragjedi.
 
Mendimet dhe lutjet tona janë për të plagosurit, familjet e viktimave dhe gjithë popullin e Francës.

Jam i bindur se populli francez do t’i kalojë këto çaste të vështira me kurajë, ashtu siç ka bërë gjithmonë.

Ju uroj forcë dhe paqe në ditët që do të vijnë!”

Mesazh ngushëllimi drejtuar Ambasadorit të Republikës të Francës në Shqipëri, Sh.T.Z. Bernard Fitoussi

“Jam vërtet i shokuar dhe i trishtuar nga ngjarjet e paprecedenta të sulmeve terroriste të mbrëmjes së djeshme në Paris, që shkaktuan shumë viktima dhe lanë shumë të plagosur. Ky është një sulm ndaj lirisë dhe vlerave universale.

Në emër të Bankës së Shqipërisë dhe në emrin tim personal, në këto orë dhimbjesh, dëshiroj t’ju shpreh Ju dhe stafit tuaj hidhërimin tonë të thellë dhe, njëkohësisht, t’ju përcjell dhimbjen e madhe për jetët e humbura në këtë tragjedi. Gjej rastin t’u shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të prekurve nga kjo tragjedi e tmerrshme.

Mendimet dhe lutjet tona janë për të plagosurit, familjet e viktimave dhe gjithë popullin e Francës.

Jam i bindur se populli francez do t’i kalojë këto çaste të vështira me kurajë, ashtu siç ka bërë gjithmonë.

Ju uroj forcë dhe paqe në ditët që do të vijnë!”