BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Europian të Tiranës

Data e publikimit: 16.07.2018

 

Në datë 13 korrik 2018, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Europian të Tiranës.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë akademikë, përfaqësues të biznesit, studentë e familjarë. Në fjalën e mbajtur në ceremoni, Guvernatori Sejko shprehu urimet më të përzemërta për të gjithë studentët që falë përpjekjeve e këmbënguljes së tyre të palodhur, arritën të finalizojnë një prej fazave më të rëndësishme të jetës, atë të përfundimit të studimeve.

 DSC7996 498

Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë që kjo ditë mbart për të ardhmen e çdo studenti dhe solli në vëmendje se  jeta përtej auditorëve është më komplekse e më sfiduese. Në këtë kontekst, ai inkurajoi të rinjtë të kalojnë me kurajë çdo sfidë me të cilën do të përballen.

Ai u shpreh se përfshirja e brezit të ri në projekte vizionare e inovative, që transmetojnë prosperitet e integritet luan një rol të rëndësishëm në garantimin e të ardhmes së tyre dhe të vendit drejt integrimit evropian.

Në përfundim, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë i ka gjithmonë dyert e hapura  për studentët e talentuar e njerëzit e devotshëm.