BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në ceremoninë e organizuar nga Crimson Finance Fund Albania

Data e publikimit: 18.05.2022

 

Më 18 maj 2022, Guvernatori Sejko mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Crimson Finance Fund Albania, me rastin e përfshirjes së partnerit të tij më të ri, “Helenos”.

Në hapjen e ceremonisë - ku ishin pjesëmarrës Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, Kryetari i Bordit, z. Michael Granoff, si dhe përfaqësues të sektorit financiar - Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mbajti një fjalë përshëndetëse.

 DSC1113 498

Në krye të fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se sistemi financiar në Shqipëri ka përballuar me sukses sfidat me të cilat u përball si pasojë e krizës globale të shkaktuar nga pandemia, si dhe të efekteve të tërmetit të ndodhur pothuaj dy vjet e gjysmë më parë.

Bankat dhe institucionet financiare në vend mundën jo vetëm të ruajnë stabilitetin e tyre financiar, por vijuan të mbështesin ekonominë me kreditim dhe produkte të tjera financiare. Veç funksioneve bazë të tyre, bankat gjithashtu ruajtën të palëkundur besimin e publikut.

Gjithashtu, Guvernatori u shpreh i bindur se ekonomia shqiptare dhe sistemi financiar në vend  do të vijojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të përballuar sfidat të cilat po paraqiten në panoramën ekonomike globale, si pasojë e konfliktit Rusi-Ukrainë.

 DSC1280 498

Më tej, ai shtoi se roli i institucioneve financiare jobanka është i pazëvendësueshëm dhe thelbësor për zhvillimin ekonomik të vendit. Zgjerimi i aktivitetit të këtyre institucioneve gjatë dekadës së fundit konfirmon edhe më tej avantazhet e institucioneve financiare jobanka. Në këtë kuadër, vlen të evidentohet edhe roli që ka pasur Crimson Finance Fund Albania.

Roli dhe kontributi i Crimson Finance Fund Albania në mbështetjen e shtresave më pak të favorizuara lidhur me aksesin në financë, si dhe vëmendja që i kushtohet përgjegjësisë sociale, përbëjnë pasaportën e fortë të këtij institucioni, pasaportë e cila i hap dyert bashkëpunimit me partnerë të rëndësishëm dhe me reputacion të lartë. Vlen të theksohet se nëpërmjet këtyre financimeve i është dhënë rëndësi përfshirjes së të rinjve dhe gruas në aktivitetet sipërmarrëse, duke fuqizuar njëkohësisht rolin e tyre në shoqëri.

Më tej, Guvernatori shtoi se përfshirja e një partneri të ri si “Helenos” konsiderohet një element pozitiv, jo vetëm si mbështetje më e fortë dhe e diversifikuar e burimeve të kapitalit dhe të financimit, por edhe për eksperiencën që sjell në drejtim të përkrahjes financiare për shtresat që përpiqen të integrohen në mjedisin social dhe financiar.  

Së fundmi, Guvernatori Sejko falënderoi themeluesit dhe drejtuesit e Crimson Finance Fund Albania për angazhimin e tyre të çmuar, për të siguruar ndërtimin e një institucioni që i shërben jo vetëm ekonomisë, klientëve dhe publikut në përgjithësi, por edhe si pikë reference për subjektet e tjera në treg.