BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në ceremoninë e promovimit të librit: “Kriza ekonomike në kohën e koronavirusit”

Data e publikimit: 07.07.2020

 

Në datën 7 korrik 2020, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mori pjesë në ceremoninë e promovimit të librit “Kriza ekonomike në kohën e koronavirusit”, të autorëve Akad. Prof. Dr. Anastas Angjeli dhe Prof. Dr. Adrian Civici.

DSC 7696 ok 1 498x332

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Guvernatori Sejko shprehu vlerësimet e tij për dy profesorët Angjeli dhe Civici, të cilët nëpërmjet këtij botimi, me një gjuhë të thjeshtë e të qartë, ndajnë me publikun, mendimet, vlerësimet, pyetjet e sugjerimet për krizën shumëdimensionale të krijuar nga koronavirusi i ri, si një reflektim i hershëm në nivel global mbi reagimin ndaj saj.

DSC 7878 ok 498x332

Në këtë botim, profesorët ballafaqojnë realitetet ndërkombëtare dhe vendase, duke vënë në dukje se as Shqipëria nuk u kursye nga pandemia. Familjet dhe bizneset vendase, përveç përjetimit të një eksperimenti unik shoqëror, pësuan goditje të forta ekonomike dhe financiare, si nga pandemia ashtu dhe nga masat e nevojshme të distancimit social, të ndërmarra për kontrollin e saj.  Për këto arsye, goditja kërkoi një reagim të shpejtë, të efektshëm dhe të gjithanshëm të autoriteteve publike, në një situatë me shumë të panjohura dhe me ndryshime të thella ekonomike, politike e shoqërore.

DSC 7730 ok 498x332

Në këtë drejtim, Guvernatori theksoi se në këtë libër shpjegohen masat e menjëhershme që u morën në planet shëndetësore, ekonomike dhe shoqërore.  Si një nga institucionet më të rëndësishme të vendit, edhe Banka e Shqipërisë vuri në jetë një paketë masash gjithëpërfshirëse për të adresuar situatën dhe për të zbutur goditjen në aspektin ekonomik. Së bashku, ato mundësuan dhe plotësuan edhe më tej paketën fiskale të qeverisë shqiptare.

Guvernatori duke i falënderuar të dy profesorët e nderuar që sollën këtë libër me rëndësi të veçantë nga këndvështrimi i edukimit financiar të publikut, e cilësoi atë si një “lexim të domosdoshëm” për të kuptuar pasojat e pandemisë, të cilat mund të përcaktojnë rrjedhën e zhvillimeve në mbarë botën dhe sigurisht në Shqipëri gjatë viteve të ardhshme.

Në ceremoninë e promovimit të këtij libri merrnin pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues nga bota akademike, drejtues të sistemit bankar, ekonomistë, përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, etj.