BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko në konferencën e 7-të vjetore të Kërkimeve të Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë

Data e publikimit: 13.04.2018

 

Më 13 prill 2018, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Konferencën e 7-të vjetore të Kërkimeve të organizuar nga Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë, me temë "Rreth një dekadë pas krizës: drejt një cikli të ri global dhe normalizimit të politikës monetare", në Ohër, Maqedoni.

Pjesëmarrës në konferencë ishin guvernatorë dhe përfaqësues të bankave qendrore, zyrtarë të lartë nga institucionet financiare vendase dhe ndërkombëtare, si dhe politikëbërës të ndryshëm.

Fokusi i kësaj konference qëndronte në trajtimin e eksperiencave dhe konkluzioneve të nxjerra nga kriza, si dhe të nevojave të mundshme për ridizenjimin e politikave në adresimin e duhur të një mjedisi në ndryshim.

DSC 8527 - 498

Punimet e kësaj konference u çelën me fjalën përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, z. Dimitar Bogov, i cili pasi falënderoi të pranishmit, prezantoi programin e konferencës, duke theksuar se qëllimi i këtij aktiviteti ishte shkëmbimi i mendimeve dhe eksperiencave me kolegët e vendeve të ndryshme.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko ishte i ftuar në panelin e guvernatorëve, me temë "Drejt një cikli të ri global dhe normalizimit të politikës monetare". Në këtë panel merrnin pjesë për të dhënë kontributin e tyre edhe Guvernatori i Bankës Kombëtare të Belgjikës, z. Jan Smets, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, z. Dimitar Bogov, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Kroacisë, z. Boris Vujčić dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Fehmi Mehmeti.

DSC 8511 - 498

Diskutimet e këtij paneli u fokusuan në sfidat me të cilat përballen bankat qendrore një dekadë pas krizës dhe zhvillimet ekonomike të vendeve; rolin e bankave qendrore në rritjen ekonomike nëpërmjet ruajtjes së stabilitetit financiar; politikat monetare dhe masat e ndryshme të aplikuara në këtë drejtim.
 

Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike shqiptare duke u ndalur te zhvillimet ekonomiko-financiare dhe ndikimet e mundshme të normalizimit të politikës monetare. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të marrë të gjitha masat e nevojshme duke dhënë kontributin e saj në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit. Ai shtoi se politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka ulur kostot e financimit të sektorit privat, ka nxitur rritjen e kreditimit në lekë dhe ka ndihmuar në përmirësimin e gjendjes financiare të huamarrësve.  

Prioritetet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë janë orientuar më së shumti drejt identifikimit të masave për nxitjen e kreditimit, vazhdimin e planit të masave për reduktimin e kredive me probleme dhe forcimin e stabilitetit financiar.

Një tjetër çështje e trajtuar nga Guvernatori, ishte dhe rëndësia e kombinimit të duhur të politikave makroekonomike ku një rol kyç luan koordinimi i politikës monetare me atë fiskale.

 

Group photo 350

 

DSC 8543 350

Guvernatori Sejko nënvizoi rëndësinë e reformave të mëtejshme për të përmirësuar modelin e zhvillimit të vendit dhe ambientin e biznesit, si dhe për të ecur përpara në procesin e integrimit.

Në përfundim, Guvernatori Sejko u shpreh se e ardhmja politike afatgjatë dhe prosperiteti ekonomik, lidhen ngushtë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai shtoi se bashkëpunimi dhe kuadri institucional kanë rol kontribues në procesin e konvergjencës, megjithatë bankat qendrore, si politikëbërës, duhet të marrin masat e nevojshme për përgatitjen e ekonomisë për procesin e anëtarësimit.