BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko përshëndet marrëveshjen e nënshkruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Agjencia Shqiptare e Sigurimit të Depozitave

Data e publikimit: 11.06.2021

 

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të ofrojë një linjë kredie prej 100 milionë eurosh për Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave (ASD), e cila do të ndikojë në rritjen e stabilitetit të sektorit bankar në vend dhe të sigurisë së klientëve.

Huaja e garantuar plotësisht nga Qeveria Shqiptare do të ofrojë likuiditetin e nevojshëm për të adresuar pasojat potenciale të pandemisë COVID-19 në ekonomi. Fondet do të jenë të disponueshme - nëse do lindë nevoja - për të kompensuar depozituesit e siguruar nga ASD-ja dhe për ruajtur besimin e klientëve të bankave private dhe tregtare.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, e përshëndet këtë marrëveshje të nënshkruar nga BERZH-i dhe ASD-ja si fuqizim të sektorit financiar shqiptar në vijim të pandemisë COVID-19. Guvernatori shprehet se sistemi financiar shqiptar paraqitet likuid dhe i mirëkapitalizuar, megjithatë forcimi i kapaciteteve të skemave të sigurimit është një vlerë e shtuar, duke lejuar rritjen e nivelit të mbrojtjes të depozituesve. Ai e vlerësoi këtë linjë kredie si një mekanizëm të shtuar sigurie për sistemin financiar e bankar në vend.

Guvernatori Sejko falënderon dhe njëherë BERZH-in për kontributin e rëndësishëm dhe mbështetjen konkrete me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë dhe e fton të vazhdojë të vlerësojë potencialet që ofron Shqipëria.

ASD-ja u themelua në vitin 2002 si një institucion publik i pavarur. Misioni i saj është të mbrojë depozituesit individualë dhe të paguajë për depozitat e siguruara, në rast falimenti të bankave, me një objektiv gjithëpërfshirës për të rritur stabilitetin në sistemin bankar dhe financiar në Shqipëri.

BERZH-i e ka mbështetur institucionin me financim dhe asistencë teknike për herë të parë në vitin 2013. Ai është një investitor institucional lider, me mbi 1.5 miliardë euro të investuara në 112 projekte, në vendin tonë.