BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko takon Ambasadorin e Austrisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Christian Steiner

Data e publikimit: 03.03.2022

 

Në datën 3 mars 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko priti në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, Ambasadorin e Republikës së Austrisë në vendin tonë, Sh.T.Z. Christian Steiner.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu falënderimet Ambasadorit të Austrisë në Shqipëri për marrëdhëniet mjaft të mira, midis dy vendeve, ku theksoi rëndësinë e mbështetjes nga Republika e Austrisë për hapjen e negociatave për vendin tonë.

 DSC1815 498

Në krye të bisedës ishte trajtimi i situatës së krijuar nga përshkallëzimi i konfliktit Ukrainë-Rusi dhe efektet e saj në ekonominë shqiptare.

Guvernatori u shpreh se ndikimi i këtij konflikti në ekonominë botërore ka filluar të jetë i dukshëm, si në rritjen e çmimeve të disa artikujve bazë, ashtu dhe në drejtim të rritjes së pasigurisë së investitorëve dhe të tregjeve financiare.

Ai shtoi se në kontekstin afatshkurtër, sfida kryesore e Bankës së Shqipërisë do të jetë adresimi i presioneve inflacioniste që vijnë nga kjo rritje e çmimeve në tregjet botërore.

 DSC1801 498

Guvernatori theksoi se në të njëjtën kohë, paralelisht me objektivin e saj primar, politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të faktorizojë nevojën e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike dhe do të harmonizohet me procesin e konsolidimit fiskal, në interes të rritjes së qëndrueshmërisë fiskale dhe financiare të vendit.

Më tej, Guvernatori prezantoi gjendjen e sektorit bankar në vend, duke theksuar se ky sistem është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit dhe shëndetit financiar. 

Nga ana e tij, Ambasadori Steiner shprehu shqetësimin mbi situatën globale të krijuar nga konflikti Ukrainë-Rusi. Ai shtoi se monitorimi i kësaj situate mbetet i një rëndësie të veçantë për secilin vend për të paraprirë çdo realitet të ri ekonomik dhe marrjen e masave sa më gjithëpërfshirëse.

Në vijim ai bëri edhe një ekspoze të impaktit socialo-financiar që ky konflikt pritet të japë në Austri dhe më gjerë në tërë Evropën, e veçanërisht në ekonomitë e tyre.

Gjithashtu Ambasadori vlerësoi gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të minimizuar efektet negative të kësaj situate dhe theksoi rëndësinë e  koordinimit me institucionet e tjera në vend me qëllim minimizimin e rreziqeve në këtë periudhë sfiduese.

Ai theksoi punën e mirë që Shqipëria ka bërë në kuadër të procesit të integrimit evropian si dhe shprehu mbështetjen e plotë të shtetit austriak në këtë drejtim.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i shprehu mirënjohjen Ambasadorit Steiner për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka ofruar Shqipërisë dhe në veçanti për bashkëpunimin e frytshëm dhe asistencën teknike të dhënë në fusha të ndryshme të bankingut qendror nga Banka Kombëtare e Austrisë.

Në përfundim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik  kryesisht në fushën e sistemit financiar, si dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.