BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko takon Drejtorin Rajonal të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për Evropën Qendrore dhe Juglindore, z. Ary Naïm

Data e publikimit: 16.11.2021

 

Guvernatori Sejko takon Drejtorin Rajonal të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për Evropën Qendrore dhe Juglindore, z. Ary Naïm

Në datën 16 nëntor 2021, Guvernatori Gent Sejko priti në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, drejtorin rajonal të Korporatës Financiare Ndërkombëtare për Evropën Qendrore dhe Juglindore, z. Ary Naïm.

 DSC0297 498

Në krye të bisedës, Guvernatori Sejko falënderoi z. Naïm për bashkëpunimin, kontributin e dhënë dhe asistencën teknike të vazhdueshme që Korporata Financiare Ndërkombëtare i ka ofruar Bankës së Shqipërisë.

Në vijim të takimit, Guvernatori prezantoi panoramën ekonomike në Shqipëri, reagimin e Bankës së Shqipërisë ndaj situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe sfidat e të ardhmes.

Më tej, përfaqësuesit e Korporatës Financiare Ndërkombëtare shfaqën interes të njihen me zhvillimet makroekonomike, gjatë vitit 2021 dhe pritshmëritë për vitin 2022, në vendin tonë.

 DSC0306 498

Guvernatori u shpreh se pandemia, ashtu si vendet e tjera, e vuri në provë Shqipërinë, lidhur me qëndrueshmërinë ekonomike. Megjithatë falë masave të marra dhe instrumenteve të përdorura në kohën e duhur dhe të mirëkoordinuara nga Banka e Shqipërisë dhe nga Qeveria për të mbështetur veprimtarinë financiare, u arrit të mbahej nën kontroll ndikimi i pandemisë në ekonomi dhe ruajtja e stabilitetit monetar e financiar.

Lidhur me situatën aktuale, Guvernatori u shpreh se ekonomia po vijon të rimëkëmbet gradualisht dhe projeksionet sugjerojnë se parametrat do të vijojnë të stabilizohen gjatë vitit 2022 dhe stimuli monetar do të krijojë premisa për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv gjatë vitit të ardhshëm.

Guvernatori shtoi se rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik kanë luajtur reduktimi i masave kufizuese, rritja e besimit, përmirësimi i ambientit të huaj, si dhe politikat stimuluese ekonomike.

Drejtori Rajonal i Korporatës Financiare Ndërkombëtare, z. Ary Naïm, vlerësoi Bankën e Shqipërisë për politikat e ndërmarra, të cilat kanë kontribuuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe konsolidimin e vazhdueshëm të sistemit financiar në Shqipëri.

Më tej, z. Naïm nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së vlerësimit të rrezikut nga ndryshimet klimatike në politikat e  përgjithshme të vlerësimit të riskut si nga ana e institucioneve publike ashtu dhe nga sistemi financiar.

Në përfundim, Guvernatori Sejko dhe Drejtori Rajonal i Korporatës Financiare Ndërkombëtare për Evropën Qendrore dhe Juglindore, z. Ary Naïm ndanë të njëjtin mendim mbi vullnetin e përbashkët për të zhvilluar bashkëpunimin midis tyre kryesisht në fushën e sistemit financiar.