BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko zhvillon një takim me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim

Data e publikimit: 09.09.2019

 

Në datën 9 shtator 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga zj. Zsuzsanna Hargitai, Drejtore Rajonale për Ballkanin Perëndimor dhe z. Matteo Colangeli, përfaqësues i BERZH-it për Shqipërinë.

Në fokus të takimit ishte diskutimi i projektit të Strategjisë së Zhvillimit të Shqipërisë për vitet 2020-2025, një dokument ky i cili konturon prioritetet, objektivat dhe programet e mbështetjes, që BERZH-i planifikon të kryejë në Shqipëri gjatë këtij horizonti kohor. Pas konsultimeve me aktorët përkatës publikë dhe privatë në vend, kjo projekt-Strategji do të miratohet dhe do të vihet në zbatim nga BERZH-i gjatë pesë viteve të ardhshme.

DSC 1987 498

Në këtë kontekst, përfaqësuesit e BERZH-it prezantuan një përmbledhje të shkurtër të saj, duke theksuar objektivat kryesorë, të cilët orientohen në tre shtylla: (i) mbështetjen e përmirësimit të aftësive menaxheriale në ekonomi, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të infrastrukturës dhe forcimit të klimës së biznesit; (ii) mbështetjen e rritjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe inkurajimin e një përfshirjeje më të gjerë të shtresave ekonomike e sociale, nëpërmjet rritjes së aksesit në financë dhe zhvillimit të mëtejshëm të dijeve; dhe (iii) diversifikimin e mëtejshëm të burimeve të energjisë, rritjen e eficiencës dhe qëndrueshmërisë së përdorimit të saj.

Më në veçanti, përfaqësuesit e BERZH-it u ndalën në detaje dhe theksuan mbështetjen aktuale dhe që do të vijojnë të ofrojnë për zhvillimin e sistemit financiar dhe sektorin bankar në Shqipëri, si dhe u interesuan të informoheshin mbi pikëpamjet e Bankës së Shqipërisë për çështjet e parashtruara.

DSC 2019 498

Nga ana tij, Guvernatori Sejko falënderoi BERZH-in për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë vendit gjatë rrugës së tij të tranzicionit dhe procesit të konvergimit në BE, duke theksuar në veçanti rolin pozitiv që programet e BERZH-it kanë pasur në zhvillimin e sistemit financiar dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale të Bankës së Shqipërisë.

Në vijim, Guvernatori Sejko paraqiti një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend. Ai theksoi se – pavarësisht luhatjeve që vijnë nga sektorë të caktuar - zhvillimi i vendit mbetet në një trend pozitiv, duke siguruar rritje të punësimit, përmirësim të shëndetit financiar të sektorit publik dhe privat, si dhe një trend rritës të presioneve të brendshme inflacioniste. Ai theksoi se ky trend zhvillimesh pasqyron si efektet pozitive që ka sjellë politika jonë monetare stimuluese, ashtu dhe efektet e nismave të ndryshme që Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë në drejtim të reduktimit të kredive me probleme, të përmirësimit të ambientit të kreditimit, të përmirësimit të kuadrit mbikëqyrës e rregullator, dhe përafrimit të tij me standardet e BE-së, si dhe në drejtim të rritjes së formalizimit dhe zhvillimit e zgjerimit të mëtejshëm të tregut financiar.

DSC 2055 498

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko, konstatoi se Banka e Shqipërisë ndan opinion të njëjtë më BERZH-in mbi sfidat e zhvillimit të vendit, duke e vënë theksin në mënyrë prioritare në nevojën e rritjes së produktivitetit dhe të aftësive menaxheriale në ekonomi, në nevojën e përmirësimit të gjithanshëm të infrastrukturës dhe të klimës së biznesit, si dhe në nevojën e mbështetjes së zhvillimit të sektorëve, të cilët ofrojnë potenciale ende të pashfrytëzuara zhvillimi, si turizmi, energjia dhe agroindustria.

Në kuadër të masave dhe instrumenteve konkrete, Guvernatori Sejko vuri në pah efektet pozitive që kanë pasur programet e ndryshme të BERZH-it në sektorin financiar, si ato të ndarjes së rrezikut të kreditit, të përmirësimit të aftësive menaxheriale të sektorit bankar e të institucioneve financiare jobankare, si dhe ato të mbështetjes direkte me kapital të segmenteve apo institucioneve të veçanta të sektorit financiar.

DSC 2073 498

Përfaqësuesit e BERZH-it vlerësuan rolin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë luan në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe shprehën gatishmërinë e tyre në ofrimin e asistencës teknike për Bankën e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Në mbyllje të takimit, të dy palët theksuan dëshirën dhe gatishmërinë e vazhdimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, duke vazhduar linjat e projekteve aktuale të bashkëpunimit, si dhe duke eksploruar projekte dhe instrumente shtesë, të cilat do të mundësojnë zhvillimin e tregjeve kapitale, uljen e rrezikut të investimit për industrinë bankare, si dhe nxitjen e përdorimit të instrumenteve financiare në lekë etj.