BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko zhvillon takimin përmbyllës me përfaqësuesit e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 19.05.2022

 

Më 19 maj 2022 Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi takimin përmbyllës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga zj. Yan Sun, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë. Në takim ishte i pranishëm dhe z. Domenico Fanizza, Drejtor Ekzekutiv në FMN për Italinë, Portugalinë, Greqinë, Shqipërinë, Maltën dhe San Marinon.

 DSC2444 498

 

Në fokus të takimit ishte analiza e situatës më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, projeksionet mbi të ardhmen, si dhe diskutimi mbi politikat që duhen ndjekur për të përballuar goditjet që vijnë nga pasojat e sulmit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi se Shqipëria po përballet me një goditje serioze që vjen nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nga shtrëngim i pritur i kushteve financiare. Megjithatë, edhe përkundrejt tyre, ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje në vitin 2022 e më tej, duke dëshmuar gjerësinë dhe soliditetin e burimeve të rritjes, qëndrueshmërinë e mbështetjen e sektorit financiar, si dhe fleksibilitetin e sektorit privat. Nga ana tjetër, inflacioni ka pësuar një rritje të shpejtë dhe pritet të mbetet mbi objektiv përgjatë vitit 2022. Në këto rrethana, Guvernatori theksoi se politika monetare e Bankës së Shqipërisë pritet të fillojë një kurs gradual normalizimi, duke synuar kontrollin e presioneve afatmesme inflacioniste dhe kthimin sa më të shpejtë e me një kosto sa më të ulët të inflacionit në objektiv.

 DSC2430 498

Më tej, Guvernatori bëri një ekspoze të gjerë të masave që Banka e Shqipërisë ka marrë për rregullimin dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të sektorit bankar, për zhvillimin e instrumenteve të pagesave, si dhe për konsolidimin e stabilitetit të sektorit financiar. Ai theksoi se ky investim institucional ka dhënë rezultate tashmë të prekshme, në formën e një sektori bankar të shëndetshëm dhe konkurrues, në formën e tregjeve të qeta financiare. si dhe në formën e rritjes së vazhdueshme të kreditimit dhe të gamës së instrumenteve të pagesave në ekonomi.

Përfaqësuesit e FMN-së ndanë të njëjtin opinion mbi problemet me të cilat po përballet ekonomia shqiptare dhe kahun e zhvillimeve të pritura. Në veçanti, ata mbështetën nevojën e normalizimit të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare, duke theksuar se edhe pas këtij normalizimi politika monetare do të vijojë të mbetet në kahun stimulues për një periudhe të konsiderueshme kohe.

 DSC2423 498

 

Po ashtu, Misioni i FMN-së vlerësoi punën dhe rezultatet e arritura nga Banka e Shqipërisë në drejtim të forcimit të stabilitetit monetar e financiar të vendit. Në veçanti, ai shprehu bindjen se parametrat e konsoliduara financiare të sektorit bankar janë një garanci se goditja aktuale që po vjen nga tregjet ndërkombëtare nuk do të ketë pasoja në shëndetin dhe aktivitetin e këtij sektori.

Më tej, të dy palët theksuan rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të situatës, si dhe të koordinimi të kujdesshëm të politikave nga autoritetet shqiptare, duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.

Në mbyllje, Misioni i FMN-së falënderoi autoritetet shqiptare për mikpritjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të ofruar gjatë vizitës.