BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, takohet me Guvernatorin e Bankës së Italisë, Ignazio Visco

Data e publikimit: 11.09.2015

 

Në datat 9-10 shtator 2015, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko zhvilloi një vizitë  pune dyditore pranë Bankës së Italisë, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh që ekziston midis dy bankave qendrore.

foto visco sejko rossi itali 7611 0

Në foto (nga e majta në të djathtë): Guvernatori Visco, Guvernatori Sejko, Zëvendësguvernatori Rossi

Gjatë qëndrimit në Itali, Guvernatori Sejko u prit nga Guvernatori i Bankës së Italisë, z. Ignazio Visco, si dhe zhvilloi takime të rëndësishme edhe me drejtues të tjerë të këtij institucioni. Bisedat u përqendruan kryesisht në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, në ecurinë e sistemit bankar shqiptar, si dhe në zhvillimet më të fundit në Eurozonë.

Nga ana e tij, Guvernatori Sejko e çmoi si mjaft të rëndësishme përfshirjen e opinioneve të vendeve të rajonit në vendimmarrjet e Bankës Qendrore Evropiane, vendime të cilat kanë impakt të lartë në ekonomitë e rajonit dhe sistemet e tyre bankare.

Guvernatori Sejko falënderoi Guvernatorin Visco për bashkëpunimin e suksesshëm midis dy institucioneve, e veçanërisht për asistencën e dhënë nga Banka e Italisë në projektet e përbashkëta të zhvilluara deri tani në fushat kryesore të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë, si: mbikëqyrja bankare, statistikat, sistemet e pagesave dhe politika monetare.

Të dy institucionet mund të vijojnë të shkëmbejnë ekspertizë dhe të rrisin bashkëpunimin në fusha si: konvergjenca e legjislacionit me standardet evropiane, kreditë me probleme dhe transparenca e aktorëve të tregut financiar, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Nga ana e tij, Guvernatori  Visco vlerësoi kontributin dhe rolin e rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë në sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Ai theksoi se politikat e ndjekura dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë kanë ndikuar në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe të integritetit të saj.

Njëherësh edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane, Guvernatori i Bankës së Italisë theksoi se institucionet evropiane ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe në veçanti ato që lidhen me Bankën e Shqipërisë, ku vlerësohet si një faktor mjaft i rëndësishëm ruajtja e pavarësisë institucionale të bankës qendrore.

Guvernatori Visco theksoi se lidhjet midis dy institucioneve kanë qenë dhe vijojnë të jenë mjaft të qëndrueshme dhe të frytshme, si dhe siguroi Guvernatorin Sejko se Banka e Italisë do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, derisa Shqipëria të bëhet pjesë e familjes evropiane. 

Në përfundim të takimit, Guvernatori Sejko duke e falënderuar për mikpritjen e ngrohtë, ftoi homologun Visco të zhvillojë një vizitë në Shqipëri, në një kohë të përshtatshme për axhendën e tij.