BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z.Shkëlqim Cani merr pjesë në Takimet e Pranverës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të zhvilluara në Uashington DC

Data e publikimit: 16.04.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Shkëlqim Cani, nga data 8 deri 13 prill 2003, në kuadrin e Takimit të Pranverës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë kësaj periudhe Guvernatori pati një sërë takimesh me autoritete të larta të të dy institucioneve të sipërpërmendura dhe me përfaqësues të institucioneve të tjera si Rezervës Federale dhe Agjensisë së Vullnetarëve në Fushën e Shërbimeve Financiare (FSVC).

Takimi i parë i cili u zhvillua në datën 8 prill në selinë qëndrore të FSVC në New York, me drejtorin ezekutiv, z.Andrew Spindler u përqëndrua gjerësisht rreth marrëdhënieve të vendosura prej kohësh midis të dy institucioneve.

Zoti Cani, shprehu falenderimet e tij për gjithë asistencën dhe kontributin që vullnetarët e FSVC, në mënyrë të vazhdueshme kanë dhënë në departamente të ndryshme të Bankës së Shqipërisë. Zoti Spindler në fjalën e tij theksoi se Shqipëria përbën një vend interesant për Agjencinë që ai drejton dhe këtë e tregojnë angazhimet e shumta të FSVC, por për më tepër e ardhmja parashikon angazhime të tjera edhe më të rëndësishme. Ekspertiza në fushën e mbikëqyrjes, të kontrollit të brendshëm, të sigurimit të depozitave, etj., do të jetë e pranishme edhe gjatë këtij viti, ndërkohë që ai inkurajoi Bankën e Shqipërisë që të paraqesë ide dhe projekte të reja, subjekte të mundshme të asistencës nga e ana e këtij institucioni.

Më tej biseda u përqendrua në aspekte të ndryshme të situatës aktuale ekonomike që po karakterizon vendin tonë, nga ku bashkëbiseduesit konkluduan se Shqipëria tashmë ka bërë një progres të dukshëm dhe se ekzistojnë të gjithë premisat që avancimi i mëtejshëm ekonomik i Shqipërisë të bëhet me hapa më të shpejtë. Në përfundim, duke përfituar nga rasti, zoti Cani, ftoi zotin Spindler të marrë pjesë në Konferencën e Katërt Kombëtare të Bankës së Shqipërisë, ftesë e cila u prit me kënaqësi prej tij.

Në datën 10 prill Guvernatori mori pjesë në punimet e konferencës "Transformimi i bankave të sektorit publik", në qendër të së cilës ishte përhapja e eksperiencave më të mira në lidhje me trajtimin që autoritet duhet t'i bëjnë segmentit publik të sistemit bankar. Nga ana e referuesve dhe ekspertëve të BB-së u argumentua dhe u mbështet ideja se privatizimi i bankave me kapital shtetëror është alternativa më e mirë dhe më e suksesshme, për të siguruar një sistem bankar të shëndoshë financiarisht, i aftë për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.

Në takimin me Zv.Presidentin dhe Antarin e Bordit të Guvernatorëve të Rezervës Federale, zotin Ferguson, u diskutua në lidhje me situatën aktuale ekonomike në Shqipëri. Zoti Ferguson shprehu interesin e tij në lidhje me ecurinë makroekonomike të vendit si dhe me reformat strukturore që janë ndërmarrë në Shqipëri. Guvernatori Cani bëri një ekspoze të gjerë në lidhje me stabilitetin makroekonomik dhe zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare. Nga ana e tij, zoti Ferguson, shprehu vlerësimin e tij për stabilitetin makroekonomik që ka karakterizuar ekonominë shqiptare këto vitet e fundit, sidomos në lidhje me stabilitetin që karakterizon ecurinë e çmimeve të konsumit dhe të kursit të këmbimit. Megjithatë, në fjalën e tij ai theksoi se angazhimi i autoriteteve shqiptare duhet të jetë më i fortë në drejtim të reformave strukturore të vendit, pasi kontributi i tyre vlerësohet të jetë i një rëndësie të veçantë në drejtim të sigurimit të një ekulibri afatgjatë të vendit.

Nga data 11 - 13 prill 2003, zoti Cani pati takime intesive me drejtues të lartë të FMN-së dhe BB-së, nga ku do të veçonim takimet me zotërinjtë Franco Passacantando, drejtor ekzekutiv i Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Pier-Carlo Padoan, drejtor ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Michael Deppler, drejtor i Departamentit EU1 në FMN, zonjën Carol Carson, drejtore e Statistikave në FMN, zz.Alfredo Leone zv.drejtor i Departamentit MAE në FMN dhe Paul Hillbers, përfaqësues i FMN-së për Misionin MAE.


Në këto takime u trajtuan gjerësisht çështje të rëndësishme të aktualitetit të zhvillimit ekonomiko - financiar të vendit, të cilat në mënyrë të përmbledhur u përqëndruan në:

Ø Situatën makroekonomike në Shqipëri. Në përgjithësi u vlerësua se po ruhet stabiliteti i treguesve kryesorë makroekonomikë. Nga ana e palës shqiptare u theksua se për vitin 2003 parashikohet një rritje ekonomike (e Prodhimit të Brendshëm Bruto) rreth 6 për qind, ndërkohë që inflacioni vjetor mesatarisht parashikohet të arrijë rreth 3 për qind, brenda kufijve-objektiv të Bankës së Shqipërisë, 2-4 për qind. Po kështu edhe kursi i këmbimit të lekut me euron dhe dollarin amerikan gjatë vitit 2003 pritet të jetë relativisht i stabilizuar.

Nga ana e përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar u kërkua që autoritetet shqiptare të punojnë më shumë në drejtim të krijimit të një klime më të favorshme për zhvillimin e biznesit dhe menaxhim më të mirë të situatës elektroenergjitike. Përsa i përket klimës së biznesit, përfaqësuesit e FMN-së, ishin të interesuar për ecurinë e përmirësimit të kuadrit ligjor fiskal dhe të marrëdhënieve të organeve tatimore dhe doganore me komunitetin e biznesit.

Ø Ecurinë e reformave dhe angazhimeve të marra nga autoritetet shqiptare në kuadër të programit afatmesëm të zhvillimit të vendit. Argumenti kryesor i bisedimeve ishte privatizimi i Bankës së Kursimeve. Përfaqësuesit e FMN-së kërkuan vazhdimin me vendosmëri të programit të ristrukturimit të Bankës së Kursimeve, edhe pse tregu ndërkombëtar nuk është në kushtet optimale për privatizimin e saj. Bashkëbiseduesit arritën në përfundimin se një ristrukturim i plotë i Bankës së Kursimeve do ta bëjë atë më atraktive për investitorët e huaj potencialë për privatizimin e saj.

Ndërkohë që në një këndvështrim më specifik u diskutua gjërësisht në lidhje me aspekte të veçanta të bankingut qendror si:

Ø Politika monetare dhe qëndrimi i ardhshëm ndaj normës së interesit. Guvernatori i BSH-së, z.Cani i informoi përfaqësuesit e FMN-së se, në përgjigje të zhvillimeve më të fundit monetare, gjatë ditëve të ardhshme do të diskutohet së bashku me misionin e FMN-së që po viziton Tiranën për një ulje të mundshme të normës së interesit

Ø Ecuria e kursit të këmbimit u vlerësua kryesisht e qëndrueshme ndërsa përfaqësuesit e FMN-së kërkuan të bëhet më shumë kujdes në drejtim të qëndrueshmërisë së llogarisë korrente;

Ø Në fushën e statistikave, nga ana e zonjës Carson nga Departamenti i Statistikave të FMN-së, u vlerësua puna e bërë nga ana e BSH-së në statistikat monetare dhe ato të parasë dhe bankave si dhe mbi përgatitjen e manualit të ri metodologjik. Me znj.Carson u ra dakort që autoritetet shqiptare të bëjnë një vetëvlerësim të nivelit të zhvillimit të statistikave, mbështetur dhe në standartet e FMN-së. Banka e Shqipërisë do të bashkëpunojë me FMN-në për vlerësimin e kalimit nga projektit GDDS (General Data Disemination Sistem) në projektin e SDDS (Special Data Disemination Sistem), i cili synon përafrimin e standartit të sistemit statistikor me vendet e zhvilluara. Gjithashtu, një ekspert i FMN-së do të asistojë Bankën e Shqipërisë në fushën e statistikave të bilancit të pagesave, pikërisht në ndërtimin e një metodologjie më të avancuar për vlerësimin e të ardhurave valutore nga emigrantët.

Ø Asistenca teknike për Bankën e Shqipërisë. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se asistenca teknike e ofruar deri më tani ka qenë efektive. Madje së shpejti një ekip i ri i FMN-së do të asistojë Bankën e Shqipërisë në fushën e mbikëqyrjes bankare, luftën kundër pastrimit të parave dhe në fushën e sigurimit të depozitave.