BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z.Shkëlqim Cani takohet me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë

Data e publikimit: 09.06.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani zhvilloi sot një takim me drejtorët e bankave të nivelit të dytë që veprojnë në Shqipëri. Qëllimi kryesor i takimit ishte shkëmbimi i mendimeve dhe marrja e opinionit të drejtuesve të bankave tregtare lidhur me Politikën Monetare të Bankës së Shqipërisë, reduktimin e "cash"-it (parasë në dorë) në ekonomi, liberalizimin e llogarisë kapitale, kapitalin minimal për licensimin e bankave dhe ngritjen e Byrosë së Informacionit të Kredive.

Drejtuesit e bankave të nivelit të dytë, vlerësuan takimet e herëpashershme të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe konkluduan si të përshtatshme politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, duke u shprehur se reagimi i tyre përgjithsisht ka qenë në të njëjtin kah me vendimet e bankës qëndrore. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se niveli aktual i normës së interesit është i përshtatur me zhvillimet në tregun financiar.

Lidhur me reduktimin e cash-it në ekonomi, pas përfundimit të studimit përkatës të BSH-së, Guvernatori Cani parashtroi përpara bankierëve të bankave të nivelit të dytë, propozimin për zhvillimin e një fushate të përbashkët të Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankierëve "Për reduktimin e CASH-it në ekonomi". Fushata, e cila do të ndërmerret në disa etapa, do të ketë si qëllim sensibilizimin e publikut për të futur paratë në sistemin bankar. Nga ana tjetër do t'ju kërkohet autoriteteve fiskale moslejimi i pagesave në cash të subjekteve publike dhe private për shuma mbi një limit të caktuar, me synim kanalizimin e tyre në sistemin bankar.

Drejtuesit e bankave ishin plotësisht dakort me propozimin e z.Cani dhe së shpejti pritet ngritja e një Grupi të përbashkët Pune, për përcaktimin e objektivave dhe hapave konkretë të Planit të Veprimeve që do të përfshijë kryesisht: ndërgjegjësimin e publikut dhe të autoriteteve për reduktimin e "cash"-it në ekonomi, shtimin e degëve dhe shërbimeve të bankave (duke ndjekur një politikë më fleksibël në drejtim të Bankomateve (ATM) dhe reduktimit të komisioneve), detyrimin për kanalizimin në sistemin bankar të pagesave në vlera mbi një limit të caktuar të enteve të mëdha publike dhe kompanive të biznesit, etj.

Sa i përket liberalizimit të llogarisë kapitale, Guvernatori Cani dhe drejtuesit e bankave të nivelit të dytë shprehën angazhimin për realizimin sa më shpejt të obligimeve në procesin e integrimit evropian lidhur me këtë çështje, ndërkohë që Banka e Shqipërisë mirëpret edhe mendimet e bankave të nivelit të dytë për të bërë ndryshimet në Rregulloren përkatëse.

Nga ana e tij, kryetari i Shoqatës së Bankierëve, z.Ardian Fullani, u shpreh se "vlerësojmë hapat e ndërmarra nga ana e Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim dhe rritjen e rolit dhe kompetencave të bankave të nivelit të dytë, që do të thotë se çdo bankë duhet të marrë përgjegjësitë e veta për kontrollin e çdo transferte në përputhje me rregulloren aktuale të Bankës së Shqipërisë".

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e komunitetit bankar në Shqipëri u shprehën se Kuvendi duhet të marrë parasysh edhe opinionin e Bankave kur diskutohen projektligje të natyrës ekonomiko-financiare. Ndërkohë, në lidhje me projektligjin "Për parandalimin e pastrimit të parave" komuniteti bankar kërkon rritjen e kompetencave të bankave në procesin e liberalizimit të llogarisë kapitale dhe paralelisht të luftës kundër pastrimit të parave, pasi ata janë shumë më pranë klientit.

Lidhur me këtë çështje, Shoqata e Bankierëve dhe Banka e Shqipërisë ranë dakort që të kërkojnë pranë Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Financës dhe Privatizimeve marrjen në kohë të opinioneve të Shoqatës së Bankierëve në ndryshimet në Ligjin "Kundër pastrimit të parave" përpara diskutimit dhe miratimit në Kuvend.

Një pikë tjetër e diskutimit ishte edhe kapitali minimal për t'u paguar nga bankat, që aktualisht është 700 milionë lekë. Drejtuesit e bankave të nivelit të dytë u shprehën se aktualisht ky limit duket optimal për sistemin bankar në Shqipëri por gjithsesi do të bashkëpunojnë ngushtë me Bankën e Shqipërisë në rast se do të diskutohet për ndryshimin e tij.

Lidhur me ngritjen e Byrosë së Informacionit të Kredive, bashkëbiseduesit e vlerësuan si shumë të rëndësishme për aktivitetin e kredidhënies dhe u informua se Shoqata e Bankierëve është në procesin e marrjes së hapave konkrete për ngritjen e kësaj zyre.

Takimet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë do të jenë të vazhdueshme me synim marrjen e masave konkrete për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit bankar në Shqipëri.