BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z.Shkëlqim Cani takohet me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë

Data e publikimit: 06.05.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani zhvilloi sot një takim me drejtorët e përgjithshëm të bankave të nivelit të dytë që veprojnë në Shqipëri. Qëllimi kryesor i takimit ishte shkëmbimi i mendimeve referuar një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me vendimet e fundit të Bankës së Shqipërisë lidhur me politikën monetare dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit bankar dhe ekonomisë në Shqipëri.

Duke diskutuar rreth situatës monetare, Guvernatori u shpreh se "Banka e Shqipërisë vlerëson se problemet që u krijuan vitin e kaluar me tërheqjet e depozitave nga Banka e Kursimeve dhe Banka Kombëtare Tregtare janë rikuperuar. Kapërcimi i kësaj situate ka ndikuar dhe në përmirësimin e situatës së likuiditetit dhe të treguesve të tjerë monetarë".

"Inflacioni, -vazhdoi Guvernatori, -u arrit të mbahej nën kontroll dhe ecuria e tij gjatë katër muajve të parë të vitit 2003 është në përputhje me ç'ka kishte parashikuar Banka e Shqipërisë".

"Gjithashtu, -sipas z.Cani, -në tregun ndërkombëtar nuk ka presione për rritjen e normave të interesit dhe të gjithë këta faktorë ndikuan në marrjen e vendimit për reduktimin e normës së interesit me 0.5 pikë përqindje".

"Banka e Shqipërisë, - vijoi Guvernatori, - gjykon se do të ishte e përshtatshme që bankat tregtare të reagojnë në kohë në lidhje me këtë vendim të fundit të Këshillit Mbikëqyrës, ndërkohë që Banka e Shqipërisë është duke gjykuar nëse ekzistojnë premisat për një "zbutje" të mëtejshme të politikës monetare në të ardhmen.

Reduktimi i "cash" (pagesës së parave në dorë) në ekonomi ishte një nga temat më të diskutuara të takimit të sotëm. Guvernatori Cani u shpreh se ka ardhur koha të ndërmarren një sërë masash të përbashkëta për reduktimin e "cash"-it në ekonominë shqiptare. Në këtë proces, u shpreh ai, Banka e Shqipërisë propozon që autoritetet fiskale (tatimet dhe doganat) të detyrojnë të gjithë subjektet (private apo publike qofshin) që të gjitha pagesat në favor të tyre për shuma mbi një limit të caktuar të behen nëpërmjet sistemit bankar.

Banka e Shqipërisë, vazhdoi më tej Guvernatori, po përgatit një studim mbi mënyrat e eleminimit të "cash"-it në ekonomi dhe përveç se mirëpret sugjerimet e bankave tregtare dhe komunitetit të biznesit, ajo dëshiron që ato të jenë palë në këtë proces aq të rëndësishëm për zhvillimin ekonomiko-financiar të vendit.

Përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë u shprehën të gatshëm të jenë pjesë e grupit të punës të ngritur nga Banka e Shqipërisë për këtë qëllim, duke ndërmarrë hapat e nevojshëm në drejtim të përsosjes së sistemit bankar në funksion të kanalizimit të parave në sistem.

Një çështje tjetër që u diskutua në takimin me drejtuesit e bankave ishte edhe liberalizimi i llogarisë kapitale. Guvernatori Cani iu drejtoi bankave të nivelit të dytë mesazhin për fillimin e procesit të liberalizimit të llogarisë kapitale në përputhje me angazhimet që ka marrë Shqipëria në negociatat me Organizatën Botërore të Tregtisë dhe Bashkimin Evropian. Guvernatori shkëmbeu me drejtuesit e bankave tregtare opinionet lidhur me kohën e zbatimit, angazhimet respektike dhe efektet e procesit të liberalizimit të llogarisë kapitale.

Kapitali minimal për t'u paguar nga bankat, ishte një tjetër pikë diskutimi. Banka e Shqipërisë po përgatit një studim mbi përcaktimin e një shume optimale të kapitalit të paguar për çeljen e një banke. Studimi ende nuk është konkluduar dhe Guvernatori kërkoi nga drejtuesit e bankave të nivelit të dytë se si e vlerësojnë bankat nevojën për të rritur këtë shumë në lidhje me:

- hyrjen e bankave të reja në tregun bankar;
- konkurrencën bankare;
- planet që kanë bankat ekzistuese për zgjerim rrjeti;
- afatin kohor brenda të cilit ato mendojnë se mund të përmbushin kërkesën e re për kapital.

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime rreth ngritjes së sistemit RTGS, çështjen e ankandeve të bonove të thesarit, ngritjen e Zyrës së Informacionit të Kredive, etj.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin opinion se gjendja e sistemit bankar vlerësohet relativisht e shëndetshme, sistemi bankar paraqitet me fitim, niveli i kreditimit vjen gjithmonë dhe në rritje, kreditë me probleme vijnë drejt uljes dhe se nuk ekzistojnë kërcënime për sistemin bankar shqiptar.

Për të vazhduar më tej diskutimet rreth pikave të sipërpërmendura dhe çështjeve të tjera të lidhura me sistemin bankar së shpejti do të zhvillohet një takim tjetër i Guvernatorit me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë.