BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z.Shkëlqim Cani takohet me përfaqësues të Bankës Botërore

Data e publikimit: 27.05.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Shkëlqim Cani zhvilloi dje një takim me drejtoren e sapozgjedhur të Bankës Botërore për Europën Jug-Lindore, znj. Orsalia Kalantzopoulos, me delegacionin që e shoqëron dhe z. Eugen Scantie, përfaqësues rezident i Bankës Botërore në Shqipëri.

Takimi kishte një natyrë prezantuese dhe njohëse të projekteve të Bankës Botërore kryesisht me Bankën e Shqipërisë dhe trajtimin e disa problemeve dhe angazhimeve në kuadrin e marrëveshjes për reformën e sektorit financiar, ku Banka e Shqipërisë është e angazhuar në mënyrë direkte ose indirekte.

Pikë diskutimi ishte edhe kërkesa e autoriteteve shqiptare për një vlerësim tërësor prej ekipit të ekspertëve të BB dhe FMN të sektorit financiar në Shqipëri. Në këtë kuadër nga z. Cani u tha se parimisht Autoritetet Shqiptare kanë rënë dakord për të pranuar dhe nxitur një vlerësim të tillë. Nga ana e Bankës së Shqipërisë është bërë tashmë një pjesë e vetvlerësimit të sektorit bankar. Nga ana e përfaqësuesve të BB-së u theksua se një proces i tillë është i dobishëm, që kërkon ekspertizën dhe burimet njerëzore të specializuara dhe natyrisht kohën e duhur. Në bashkërendim me ekspertët e FMN, me të marrë kërkesën zyrtare të autoriteteve shqiptare, do të shohin çdo mundësi për realizimin e këtij vlerësimi.

Çështja e luftës për parandalimin e pastrimit të parave ishte një tjetër pikë diskutimi ku nga ana e z. Cani u theksua se autoriteti i drejtëpërdrejtë përgjegjës është Ministria e Financave, pavarësisht se kjo çështje është edhe në fokusin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë e cila e mbështet punën e saj në bazë të ligjit "Për parandalimin e pastrimit të parave", udhëzimit mbështetur në këtë ligj dhe rregulloren "Mbi veprimtarinë valutore".

Guvernatori Cani u shpreh se nga raportimet e Inspektorëve të Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë rezulton se nuk ka patur raste serioze të identifikimit apo dyshimit për pastrim parash, por gjithësesi nuk mund të pretendohet se sistemi bankar është i imunizuar nga infiltrimi i parave të pista.

Gjatë takimit u trajtuan edhe aspekte të kalimit jashtë vendit të parave në formën e cash-it (parave në dorë) dhe liberalizimi i llogarisë kapitale apo i rregullores që disiplinon veprimtarinë valutore në tërësi. Nga ana tij z. Cani u shpreh se një heqje e nxituar e kufizimeve në daljen e kapitalit jashtë vendit mund të keqinterpretohet edhe si hapje rruge për pastrimin e parave e cila natyrisht mund të kishte pasoja të natyrës deri embargo dhe mos afrim të investitorëve seriozë në Shqipëri. Për të marrë një konsensus sa më të gjerë për këtë lëvizje, Banka e Shqipërisë ka kërkuar edhe opinionin e disa ministrive, aktorëve të sistemit bankar dhe institucioneve ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar. Po kështu u permendën disa aspekte të ndryshimeve të propozuara për rregulloren "Mbi veprimtarinë valutore" si heqja e kufizimit të marrjes së aprovimit nga Banka e Shqipërisë për hapjen nga rezidentët të një llogarie bankare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në kushtet kur një kufizim i tillë është i pakontrollueshëm dhe i paaplikueshëm, përsa kohë një pjesë e mirë e shqiptarëve punojnë e jetojnë në mënyrë sezonale apo edhe afatgjatë jashtë Shqipërisë.

Reduktimi i ekonomise së cash-it si problematike edhe për mirëfunksionimin e politikës monetare, pasi kufizon ndërmjetësimin bankar, ishte një shqetësim i përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë. Për këtë çështje z. Cani u shpreh se fakti i prezencës së madhe të cash-it në ekonomi, veç të tjerash është gjithashtu psikologjike apo edhe rezultat i nivelit të të ardhurave të popullatës.

Disa nga rrugët e përmendura nga të dyja palët për reduktimin e cash-it në ekonomi ishin detyrimi i enteve publike por edhe private për të kanalizuar të gjithë aktivitetin financiar në rrugë bankare, inkurajimin e publikut për të depozituar para nëpërmjet promovimit të disa mënyrave më bashkëkohore të pagesave si kartat e ATM apo kartat e debitit dhe kreditit pa kosto ose me kosto minimale etj.

Z.Cani shprehu gadishmërinë e Bankës së Shqipërisë që në bashkëpunim me Shoqatën e Bankierëve të Shqipërisë të ndërmarrin një fushatë sensibilizimi për publikun për inkurajimin e përdorimit të mënyrave bashkëkohore të pagesave me qëllim reduktimin e parasë në dorë(cash) në ekonomi.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore ishin të njohur me faktin që pjesa me e madhe e remitancave(të ardhurave nga emigrantët) kryhen me kosto të madhe jashtë sistemit bankar, ndërkohë që këto para mund të kanalizoheshin nëpërmjet sistemit bankar.

Privatizimi i sektorit bankar si pjesë e detyrimit dhe e kushtëzimit të Qeverisë Shqiptare për mundësimin e disbursimit të transhit të tretë në kuadrin e marrëveshjes me BB ishte një tjetër moment ku u përqendrua biseda.

Në rastin e privatizimit të Bankës së Kursimeve, z. Cani u shpreh se përgjegjësia e autoriteteve shqiptare duhet parë kryesisht në pjesën që ka të bëjë me ristrukturimin e Bankës së Kursimeve, pasi mund të ndodhë që interesi i investitorëve strategjikë për vetë kushtet në të cilat ndodhet ekonomia ndërkombëtare të jetë minimal, për të mos përjashtuar rastet që mund të ofrohen edhe "investitorë të këqinj". Nga ana e znj. Kalantzopoulos kjo ide u vlerësua si e arsyeshme dhe u la të diskutohet edhe në takimin me Ministrin e Financave.

Duke folur për projektin më të ri të Bankës së Shqipërisë, Sistemin e Shlyerjeve Bruto në Kohë Reale(RTGS), Guvernatori Cani u shpreh se Banka e Shqipërisë do të jetë shumë e kujdesshme dhe koherente që në hapat e parë të zbatimit për të shmangur zvarritjen apo shtyrjen në kohë të permbushjes së këtij projekti. Në vëmendje u soll rasti i ndonjë vendi tjetër ku zbatimi i këtij projekti është shtyrë vazhdimisht duke shkuar deri në 4 vjet. Në lidhje me këtë çështje, z. Cani kërkoi edhe asistencën e BB-së për të ushtruar presion nën autoritetin e financuesit të projektit për zbatimin në kohë të projektit.