BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z.Shkëlqim Cani takohet me përfaqësues të CITI Group

Data e publikimit: 18.06.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani zhvilloi sot paradite një takim me një delegacion të "Citigroup" të përbërë nga z.Guy Harington, Shef i Departamentit të Tregjeve në Zhvillim dhe z. David Ludlow, Shef i Korporatës Financiare dhe Investimeve bankare të Bankës Evropiane të Investimeve në Evropën Qëndrore dhe Lindore.

Tema kryesore e takimit ishin zhvillimet ekonomike në përgjithësi në Shqipëri dhe sektorin financiar e atë bankar në veçanti.

Guvernatori u shpreh se treguesit makroekonomikë të Shqipërisë paraqesin një zhvillim të qëndrueshëm makroekonomik, inflacion të ulët dhe brenda parashikimeve të bankës qendrore, deficit buxhetor nën kontroll, etj. Ndërsa sa i përket sistemit bankar, z.Cani evidentoi rritjen e konkurrencës bankare me shtimin e numrit të bankave dhe degëve të tyre në qytetet kryesore të vendit dhe ajo ç'ka është më e rëndësishme përfshirjen e Bankës së Kursimeve, e cila zotëron mbi 52 % të tregut bankar, në procesin e privatizimit.

Lidhur me këtë pikë, z.Harington u shpreh se "Citigroup" mund të jetë e interesuar për asistencën në procesin e menaxhimit të Bankës së Kursimeve përpara procesit të privatizimit.

Guvernatori u shpreh se privatizimi i Bankës së Kursimeve do t'i nënshtrohet tenderit të hapur ndërkombëtar ku janë të ftuar të paraqesin interesin e tyre të gjitha bankat e huaja që plotësojnë kushtet e pjesëmarrjes.